Më 9 tetor të këtij viti ishte caktuar ndeshja futbollistike midis Crvena Zvezdës nga Beogradi dhe Trepçës nga Mitrovica, apo Mitrovica e Veriut, apo Mitrovica e Kosovës, si t’u pëlqejë më së miri ta quani këtë qytet. Bëhej fjalë për të gjashtëmbëdhjetën e finales së Kupës së Serbisë dhe ndeshja ishte caktuar të luhej në Zveçan. Derisa tifozët e Zvezdës, që në fakt në Kosovë janë mjaft, përgatiteshin për ngjarjen e madhe, banorët lokal i gëzoheshin ardhjes së lojtarëve nga Beogradi por edhe tifozllëkut për klubin lokal, natyrisht që edhe këtë herë u përzie politika në sport.
Në të vërtetë, rrugës për në Mitrovicë, lojtarët e Zvezdës u ndaluan në kalimin në Jarinje dhe Policia e Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ua ndaloi hyrjen në Kosovë. Derisa përfaqësuesit e klubit beogradas pohonin se e kanë mbështetjen e FIFA-s, nga Kosova natyrisht vinin lajme krejtësisht tjera si dhe ajo se Crvena Zvezda po tentonte të hynte me dhunë në Kosovë.
Në fund, ndeshja u shty për një ditë më vonë dhe u zhvillua në Stara Pazovë, me një fitore të madhe të Zvezdës. Mirëpo poenta nuk qëndron këtu. Poenta është se politika për kushedi të satën herë po përzihet në sport dhe assesi nuk po e lejon sportin të luajë atë rol që di më së miri: të ngjallë miqësi dhe frymë sportive. Apo ndoshta ky ka qenë qëllimi i sportit në një kohë të largët, më të mirë? Apo kjo është poenta në një botë tjetër, por jo në këtë botën tonë, kosovare-serbe. Këtu përbën një problem më shumë. Një pengesë më shumë drejt një jete normale.
Për t’i bërë gjërat më keq, në gjithë këtë kaos sportivo-politik, menaxheri i përgjithshëm i Crvena Zvezdës, Zvezdan Terzić tha se kjo ishte një fitore diplomatike e Serbisë. Nëse e dëgjoni atë, ky vendim i Qeverisë së Kosovës tregon fytyrën e saj të vërtetë.
Megjithatë, unë jam e mendimit se kjo nuk është fitore e askujt, e as zbulim i fytyrës së kujtdoqoftë. Kjo është edhe një lojë politike si e Beogradit ashtu edhe e Prishtinës. Dhe për ne, qytetarët e zakonshëm, të cilët ndeshjet sportive vetëm do t’i bënin më të lumtur, i bëjnë edhe këto gëzime të vogla aq të vështira dhe të paarritshme.
Përveç kësaj, çfarë fitore është kjo e Serbisë kur qytetarët nuk kanë pasur mundësi ta shohin Crvena Zvezdën e madhe dhe të famshme në terrenin lokal? Dhe si ashtu që kjo është fitore diplomatike? Le të kujtojmë situatën nga prilli i vitit të kaluar, kur Serbia ndaloi ndeshjen midis seleksioneve hendbollistike të junioreve të Serbisë dhe Kosovës. A nuk ishte kjo një humbje diplomatike? Apo tashmë e kemi harruar këtë?
Shumëkush do të thoshte se këto dy raste nuk mund të krahasohen dhe nuk janë të njëjta sepse njëra është ndeshje mes klubeve dhe tjetra midis shteteve. Edhe po të ishte kështu, në të dyja rastet politika i përziu domosdoshmërisht gishtat e saj dhe prishi edhe një herë jetën e përditshme të popullit në Kosovë.
Është bërë paksa edhe e trishtueshme që sot çdo rast, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, përdoret ekskluzivisht për qëllime politike. Politikanët nga të dyja anët e shfrytëzojnë çdo rast për poena të rinj politik, duke mos e çarë kokën për qytetarët e rëndomtë dhe për atë se çka mund t’iu sjellë një shfrytëzim i tillë. Java e kaluar na e solli edhe një konflikt politik, e ne shpresuam se do të kemi vetëm një ngjarje sportive. Sikurse ndodhi atëherë me hendbollistet e reja, politika edhe një herë na e mori sportin dhe na e solli edhe një shqetësim e konflikt politik.