‘Post-toleranti’ shqiptar

Shtypja nuk matet vetëm me vrasje apo burgosje. Shtypja është multidimensionale dhe ndodhë në nivele të ndryshme të shoqërisë. Dhe nëse vazhdon të përdoret arsyetimi se ‘ata vet nuk po duan’, barazohemi me arsyetimin e shtypjes ndaj të gjitha pakicave etnike, racore, klasore etj. që janë bërë ndër vite. Sigurisht që shteti do të mundohet t’ua lë fajin të shtypurve per mosinteresim, përtaci, kalkulim etj. Mirëpo, realiteti është ndryshe.

0
2121

Vitin e kaluar, Oxford Dictionaries e zgjodhi togfjalëshin ‘post-truth’ si fjala e vitit 2016. Ky përshkrim rezultoi pas dy proceseve më të rëndësishme politike të dekadës, Brexit-it  dhe zgjedhjeve në Amerikë, të cilat e popullarizuan këtë fjalë duke sjellë rëndësinë e emocioneve në vendimmarrje para fakteve.

Në Kosovë një ‘post’ realitet ekziston për një kohë të gjatë. ‘Post-toleranti’. Ky është shqiptari i pasluftës, i cili, sa herë që bëhet fjalë për jetesën e serbëve të Kosovës, tenton të theksojë faktin se toleranca e shqiptarëve nuk ka ku të shkojë më lart sesa fakti që serbët ekonomikisht përfitojnë nga të dyja shtetet. ‘Ata i marrin nga dy rroga’ është përgjigja e zakonshme e cila tenton të mbyllë çdo përpjekje për debat përmbajtësor për realitetin e një pjese të qytetarëve të Kosovës.

Sjellja e shqiptarit është asisoji që pengon çdo shqyrtim të mëtutjeshëm, sepse sipas ‘post-tolerantit’ ky është kulmi i tolerancës. Mirëpo edhe po të ishte e vërtetë, edhe pse një gjë e tillë vlenë për sektore të caktuara dhe regjione të caktuara, sipas një raporti të BPRG, këto institucione paralele janë vitale për qytetarët serbë, përndryshe ata do të iknin nga Kosova. Serbët, sipas këtij raporti, përveç vendeve të punës në institucione arsimore dhe shëndetësore, jetojnë kryesisht nga bujqësia.

Një tjetër arsyetim është që serbët vet zgjedhin të mbajnë raporte me të dy shtetet dhe kjo konsiderohet hipokrizi nga ‘post-toleranti’. Së pari, qytetarët serbë ballafaqohen me pasiguri dhe probleme të përkatësisë e identitare për arsye të shumta, duke u nisur nga lufta, deri tek trajtimi përjashtues që u është bërë gjatë këtyre 18 vjetëve. Ta zëmë se një serb e din shqipen dhe i përcjell lajmet shqip, cila është ndjenja identitare e serbit të Kosovës pasi dëgjon narrativën nacionaliste çdo të dytën ditë dhe aktualizimin e aspiratave për bashkim me Shqipërinë. Së dyti, argumenti i njëjtë do të vlente për shqiptarët kur bëhet fjala për zgjedhjet e tyre, edhe shqiptarët po i zgjedhin qeveritarët e korruptuar, mirëpo a do të thotë kjo që nuk meritojmë më mirë?

Shqiptarit ‘post-tolerant’ nuk i intereson bashkëjetesa me serbët, ndoshta me të drejtë, pas përvojës së vonshme. Shqiptari ‘post-tolerant’ nuk e di personalisht realitetin e serbëve të Kosovës. Shërbehet kryesisht nga llafet a kafeterive, propaganda e partive politike dhe politikat jo-profesionale të medieve. Nuk e di se nuk e takon kurrë një serb të vetëm, e lëre më të ndërrojë ndonjë fjalë me të. Shqiptarit ‘post-tolerant’ i është bërë ankth Veriu, mirëpo nuk i intereson për serbët e Novobërdës, Kamenicës, Prishtinës.

Shtypja nuk matet vetëm me vrasje apo burgosje. Shtypja është multidimensionale dhe ndodhë në nivele të ndryshme të shoqërisë. Dhe nëse vazhdon të përdoret arsyetimi se ‘ata vet nuk po duan’, barazohemi me arsyetimin e shtypjes ndaj të gjitha pakicave etnike, racore, klasore etj. që janë bërë ndër vite. Sigurisht që shteti do të mundohet t’ua lë fajin të shtypurve per mosinteresim, përtaci, kalkulim etj. Mirëpo, realiteti është ndryshe. Shteti e ka për detyrë sigurimin e një të tashme dhe të ardhme jo vetëm të sigurtë por edhe kualitative të qytetarëve të tij.

Fundja, nëse serbët qenkan të enklavizuar dhe kështu dëshiruakan vetë, atëherë harrojeni përdorimin e idesë së multietnicitetit për qëllime të tjera. Thjeshtë pranojeni që nuk jemi shtet multietnik, nuk ka tolerancë, nuk ka bashkëjetesë. E në momentin kur ‘post-toleranti’ shqiptar e arrinë këtë nivel sinqeriteti së pari me veten e vet, pastaj me të tjerët, do ta kuptojë që në Kosovë ka tension ndëretnik. Sepse nuk ka realitet të ndërmjetëm. Ose ka tolerancë ose s’ka. E në Kosovë, intoleranca ndrydhet përmes mekanizmave të ndryshëm. Ballafaqimi sipërfaqësor me të kaluarën, mungesa e komunikimit, enklavizimi dhe orientimi drejt temave boshe dhe absurde të cilat nuk po japin hapësirë për trajtimin e temave reale të qytetarëve të Kosovës.

Sigurisht që problemet themelore si papunësia, korrupsioni, integrimi europian, do të zgjidheshin shumë më shpejt dhe më mirë po që se do t’kishte një qasje normale ndaj këtyre problemeve. Po që se qytetari i Kosovës do të trajtohej si qytetar normal, ngjashëm me trajtimin që u bëhet qytetarëve në botë demokratike, e jo i kategorizuar në identitete të shpikura të cilat nuk kanë kurrfarë impakti real në jetën e jo vetëm qytetarëve të sotëm të Republikës, por edhe atyre t’tardhmes. Tjetra, problemet reale të kosovarëve do të zgjidheshin po që se qytetari kosovar ndalon së rëni në kurtha të politikës ditore të partive populiste. Kjo vlenë për të dyja palët. Nëse themi që qytetarët duhet të zgjedhin, si është e mundur që serbët nuk kanë të drejtë të asocohen me shtetin e tyre amë, ndërsa shqiptarët kanë. Nëse s’ka ‘hem… hem…’ për serbët, s’ka ‘‘hem… hem…’’ as për shqiptarët!