Pse është mirë që nuk është mbajtur referendumi i Serbisë në Kosovë

Një vendim për të lejuar mbajtjen e referendumit do të përbënte një lëshim serioz për Kosovën në raport me Serbinë në sensin që shteti serb deri tani është treguar jokonstruktiv në raport me Kosovën.


0
254

Së fundmi, çështja e referendumit të Serbisë ka bërë që edhe një herë të ripërsëriten temat e ndërlidhura me raportin mes Kosovës dhe Serbisë dhe mbi të gjitha është diskutuar nëse vendimi që minoriteti serb të votojë në Kosovë paraqet një vendim legjitim dhe mbi të gjitha ligjor. Në fund, një referendum i tillë nuk është mbajtur dhe kjo mund të konsiderohet si pozitive duke patur parasysh implikimet e ndërlidhura me këtë ngjarje. Jo vetëm që si i tillë kundërshton sovranitetin e Kosovës por njëkohësisht paraqet një veprim përmes të cilit minohet mbrojtja nga ana e Kosovës e këtij sovraniteti ndaj një Serbie që përgjithësisht ka qenë jokonstruktive në raport me Kosovën.

Së pari, një vendim për organizim të këtij lloji zgjedhjesh është në kundërshtim me sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Megjithatë, implikimi kryesor i një vendimi për të lejuar atë referendum do të minonte indirekt faktin që edhe Kosova është shtet sovran dhe i barabartë me shtetin e Serbisë në procesin e dialogut. Duhet patur parasysh që njëri nga parimet bazë mbi të cilat shteti i Kosovës është angazhuar në dialog është sovraniteti i pakundërshtueshëm dhe në këtë pikë nuk mund të bëhet kthim prapa sepse do të lëkundte edhe bazat e deritanishme me të cilat ka operuar vetë ky proces. Në këtë mënyrë, duke patur parasysh efektin e tillë negativ domino për procesin e dialogut dhe specifikisht për Kosovën, është mirë që nje proces i tillë ka dështuar.

Një vendim për të lejuar mbajtjen e referendumit do të përbënte një lëshim serioz për Kosovën në raport me Serbinë në sensin që shteti serb deri tani është treguar jokonstruktiv në raport me Kosovën. Më saktë, shteti i Serbisë nuk ka respektuar shumë marrëveshje të realizuara gjatë procesit të dialogut por që lë për të dëshiruar edhe me sjelljen ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës me përpjekjet për fshirje të adresave që janë përceptuar si një lloj tentimi për spastrim etnik. Pra, edhe shikuar nga prizmi i respektit të raportit bilateral mes të dy shteteve, Serbia nuk ka treguar vullnet për fleksibilitet në çështjen e Kosovës duke bërë kështu që arritja e një marrëveshjejeje mes dy shteteve të vazhdojë të duket një realitet i largët. Pra, kundërshtimi i referendumit ka edhe një komponente të fortë morale bazuar në mungesën e vullnetit të Serbisë për të shtyer përpara normalizimin e raportit me shtetin e Kosovës.

Argumenti i fundit kundër mbajtjes së një referendumi të tillë është edhe mungesa e vetë konsistencës së qëndrimit të shtetit serb ndaj çështjes së Kosovës dhe minoritetit serb. Në lidhje me këtë ,  juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, u shpreh ndër të tjera se “pandërprerë deklarojnë në Beograd se minoriteti serb nuk duhet njohur shtetin e Kosovës”. Në këtë mënyrë, mungesa e qartë e konsistencës mes vullnetit për lejim të mbajtjes së referendumit për një popullatë që në fund nuk bën të njohë shtetin mbajtës të atyre zgjedhjeve dëshmon se shteti i Serbisë është i fokusuar në masë të madhe në arritjen e qëllimeve afatshkurtëra në raport me Kosovën (siç janë ndryshimet e veta kushtetuese) dhe vazhdon të mos jetë i interesuar për të gjetur zgjidhje afatagjate (siç dëshmon realiteti i tanishëm) për të normalizuar raportin me një shtet sovran tashmë gjerësisht të njohur nga shtetet tjera. Çdo përpjekje për të zhvendosur fokusin nga barazia e Kosovës dhe Serbisë ne proces të dialogut paraqet kthim mbrapa në proces dhe një gjë e tillë duhet të jetë tërësisht e papranueshme nëse mund të shpresohet për ndonjë progres në këtë proces.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.