Qytetarët në veri të pakënaqur me trendet politike, ekonomike dhe të sigurisë

Mbi 90 për qind e të anketuarve në veri të Kosovës janë shprehur pesimistë dhe të pakënaqur me zhvillimet e përgjithshme politike, të sigurisë dhe ato ekonomike në vend. Çdo i dyti beson se në tri vitet e ardhshme jeta e serbëve do të përkeqësohet

0
830

Sipas një hulumtimi të publikuar nga organizata joqeveritare “Aktiv”, çdo i dyti në veri beson se në tri vitet e ardhshme jeta e serbëve në Kosovë do të përkeqësohet. Mbi 90 për qind e të anketuarve në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë shprehur pesimistë dhe të pakënaqur me zhvillimet e përgjithshme politike, të sigurisë dhe ato ekonomike. Raporti mbi rezultatet e hulumtimit 2017 është prezantuar të martën në Mitrovicë të Veriut, me ç’rast panelistë të ndryshëm kanë diskutuar për analizën e trendit, që krahasuar me vitin paraprak, ka rënie të besimit të qytetarëve edhe në institucione, politikanë dhe në BE-në.

Sa i përket perceptimit mbi sigurinë dhe gjendjen ekonomike, pjesëmarrësit e fokus grupit kanë deklaruar se krimi dhe korrupsioni në veri janë shumë më të përhapura se në të kaluarën. Të anketuarit kanë pohuar se incidentet e shpeshta ndëretnike që erdhën menjëherë pas hapjes së urës kanë përkeqësuar më tej marrëdhëniet ndëretnike duke krijuar një atmosferë të pasigurisë. Sipas hulumtimit, të anketuarit kanë deklaruar se “gjithnjë e më shumë shqiptarë kalojnë urën dhe sillen në mënyrë provokative në raport me serbët”. Pesëdhjetë e tre (53.5) për qind e të anketuarve i kanë vlerësuar si shumë të këqija marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Një nga autoret e hulumtimit, Milica Andrić, ka thënë se rritja e incidenteve ndëretnike ka ndikuar në perceptim negativ për situatën e sigurisë në veri. “Në Zveçan për shembull, të anketuarit kanë thënë se mund të rrezikohet jeta e tyre, nëse Ramush Haradinaj do të ekstradohej në Serbi”, ka thënë Andrić.

Kurse Jovana Radosavljević, Drejtoreshë Ekzekutive në Iniciativën e re Sociale, ka thënë se qytetarët serbë gjenden në një situatë të pakëndshme sepse shpesh ndihen se nuk i përkasin as Kosovës e as Serbisë.

“Ka pasur mungesë vullneti nga ana e Prishtinës që t’i integrojë edhe qytetarët. Prishtinës zyrtare deri më tani i ka interesuar vetëm integrimi i territorit por jo edhe i popullsisë”, ka thënë ajo.

Disa pjesëmarrës në hulumtim kanë shprehur besimin se “periudha e krizës nuk ka kaluar akoma dhe se shkalla e varfërisë është e lartë”, si në mesin e serbëve ashtu edhe ndër shqiptarë, dhe u theksua se marrëveshjet e arritura në Bruksel, të cilat mund të konsiderohen pozitive për komunitetin serb, nuk janë zbatuar.   

Të pakënaqur me efektet e dialogut të Brukselit

Për shumicën e të anketuarve, dialogu Kosovë-Serbi nuk ka prodhuar ndonjë efekt pozitiv në mirëqenien e tyre. Vetëm 2.1 për qind e tyre besojnë se Marrëveshja e Brukselit i ka përmirësuar të drejtat dhe liritë e komunitetit serb në Kosovë. Pothuajse 80 për qind e të anketuarve besojnë se Bashkimi Evropian i mban anën Prishtinës në procesin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Vetëm 10.5 për qind e të anketuarve e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Edhe sa i përket themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritjet e të anketuarve nuk janë të larta. Shumica e lidhin pritshmërinë me angazhimin e politikanëve serbë.

Sa i përket besimit në institucione, të anketuarit në veri vazhdojnë t’u besojnë më shumë atyre të Serbisë. Institucioni “më i popullarizuar” i Kosovës është komuna, për dallim prej qeverisë së Kosovës që është institucioni i vlerësuar më ulët nga qytetarët, me 1.6, nga shkalla 1 deri në 5.

Gati gjysma e të anketuarve janë deklaruar se i ndjekin shpesh ngjarjet politike, gjë që flet “për ndikimin e madh që ka politika në jetën e përditshme të serbëve që jetojnë në komunat e targetuara nga ky hulumtim”. Por 78.1 për qind e respondentëve janë përgjigjur se nuk i besojnë asnjërit prej politikanëve serbë. Oliver Ivanović-it i besojnë 10 për qind, kurse kryetarit aktual të Mitrovicës Veriore, Goran Rakić vetëm 3.6 për qind. 

Sa i përket politikanëve shqiptarë, më i besueshëm ndër të anketuarit është ish-kryeministri Isa Mustafa me 1.9 për qind, ish-presidentja, Atifete Jahjaga, me 1.5 për qind, Hashim Thaçi 1.2 për qind dhe Ramush Haradinaj me 0.4 për qind. Por 96.4 për qind janë deklaruar se nuk i besojnë asnjërit prej politikanëve shqiptarë.

Meqë anketa është realizuar në maj, pak para nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale, sipas Milica Andrić, kjo ka mundur të ndikojë në përgjigjet që kanë dhënë respondentët.

Më shumë se gjysma e shohin mbështetjen tek Rusia

Në pyetjen se ku duhet të mbështeten serbët e Kosovës sa i përket politikës së jashtme, 64.4 për qind kanë thënë tek Rusia, 5.3 për qind e shohin mbështetjen tek BE-ja, 4.1 tek ShBA-të, kurse 26.5 janë deklaruar se nuk shohin mbështetje tek asnjëri.

“Vitet e kaluara nuk kanë parë rezultate të dukshme të dialogut të Brukselit, procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE është i ngadalshëm, problemi i liberalizimit të vizave për mbajtësit e pasaportave serbe që banojnë në Kosovë ende nuk është zgjidhur. Rrjedhimisht, këto çështje luajnë rol në mendimet dhe sjelljet e qytetarëve ndaj BE-s dhe bëjnë që ata ta shohin atë gjithnjë e më pak si partner mbi të cilin mund të mbështeten për politikën e jashtme”, thuhet në hulumtim.

Problem tjetër i evidentuar është edhe mungesa e lëvizjes së serbëve në zonat e banuara me shumicë shqiptare. Komunat me shumicë shqiptare vizitohen më së paku nga të anketuarit e komunës së Zveçanit, ndërsa të anketuarit nga Mitrovica e Veriut i frekuentojnë ato më së shpeshti. Frekuenca e lëvizjes drejt zonave ku shqiptarët janë shumicë është gjithashtu e lidhur me nivelin e arsimimit të të anketuarve, sepse analiza tregon se të anketuarit me arsim fillor (8.6%) kanë më pak të ngjarë t’i frekuentojnë ato, ndërsa të anketuarit me arsim universitar (21.6%) kanë më shumë gjasë.

“Pothuajse dy dekada pas konfliktit, të vetmet lidhje të vetë–iniciuara ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve mbeten ato të bazuara në interes ekonomik. Prandaj arsyet më të zakonshme për të shkuar në jug për qytetarët nga komunat veriore janë pazaret, takime të biznesit ose detyrimet administrative në administratën tatimore ose ndonjë institucion tjetër të nivelit qendror”, thuhet në hulumtim.   

Një ndër gjetjet e hulumtimit është edhe ajo se popullsia në veri pothuajse në mënyrë të barabartë i beson mediave të Beogradit dhe medias lokale. Por gazetarja Sanja Sovrlić tha se mediat nga Beogradi me frekuencë nacionale kanë ndikim më të madh në krijimin e opinionit tek publiku në veri. Sipas saj, në mesin e qytetarëve ekziston edhe frika që të deklarohen lirshëm në media.

Raporti mbi rezultatet e kërkimit (anglisht)