Radio Kosova ndërpret audiodramat pas rrëfimit të gruas serbe

Nisma nëpërmjet së cilës do të transmetoheshin dhjetë episode të audiodramës “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” ka përfunduar vetëm me dy seri. Tek pasi u transmetua rrëfimi i gruas nga komuniteti serb, Radio Kosova ndërpreu transmetimin për të cilin ishin dakorduar me organizatën “Integra”, e cila një vendim të tillë e cilëson censurë. Në anën tjetër, nga Radio Kosova kanë thënë se s’mund ta vazhdonin transmetimin e dramës pasi kishte gjuhë linçuese ndaj shqiptarëve

0
443

Rrëfimi për bashkëshortin e zhdukur i një gruaje të komunitetit serb, ka bërë që Radio Kosova dhe organizata “Integra” të prishin marrëveshjen për transmetimin e audiodramave “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Kësisoj, nisma nëpërmjet së cilës do të transmetoheshin dhjetë episode që shpalosin histori të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka përfunduar vetëm me dy seri. Përderisa mostransmetimin e rrëfimit të gruas serbe, “Integra” e cilëson si censurë, për Radio Kosovën bëhet fjalë për gjuhë linçuese ndaj shqiptarëve.

Për këtë rast ka reaguar organizata “Integra”. Sipas tyre, reagimi bëhet “kundër censurimit nga Radio Kosova ndaj transmetimit të audio dramave të bazuara në rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur nga lufta”.

Organizata që ka për drejtor ekzekutiv Kushtim Koliqin ka sqaruar se ballafaqimi me të kaluarën e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut është sfidë për shoqëritë që kalojnë transicione politike dhe shoqërore.

“Është proces afatgjatë, i cili përgjithësisht përfshin një numër aktorësh dhe mekanizmash të ndryshëm me jo vetëm perceptime të ndryshme për të kaluarën, por edhe me vizione të ndryshme për të ardhmen. Parimi kryesor i ballafaqimit me të kaluarën ka të bëjë me vendosjen e viktimave civile të luftës në qendër të procesit”, shkruhet në reagimin e “Integras”.

Aty sqarohet se në Kosovë, me përfundimin e luftës, 6 mijë e 63 persona janë raportuar të zhdukur, ndërsa aktualisht numri i të pagjeturve është 1638, të moshave, gjinive dhe etnive të ndryshme. Po ashtu, tregohet se ndonëse më shumë se 70 për qind e rasteve të raportuara për të pagjetur janë evidentuar, identifikuar dhe mbetjet trupore u janë dorëzuar familjarëve për rivarrim, kryerësit e veprave kriminale mbesin akoma të lirë, gjersa drejtësia dhe llogaridhënia mbesin procese për t’u dëshiruar.

Duke pasur parasysh krejt këto, të shtyrë edhe nga rëndësia që çështja e personave të pagjetur të aktualizohet dhe të adresohet nga mekanizmat për ballafaqim me të kaluarën, në vitin 2019, “Integra” në bashkëpunim me “forumZFD” dhe Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur kanë publikuar librin e kujtimeve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, që shpalos rrëfimet e 10 familjeve me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Më pas, bazuar në këtë libër, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me angazhimin e shumë artistëve profesionistë, “Integra” me partnerët e njëjtë dhe me mbështetje nga institucione të ndryshme, kanë realizuar ciklin prej dhjetë audiodramave me po të njëjtin titull – “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

“Pas finalizimit të prodhimit të audiodramave ‘Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve’, në mirëkuptim dhe në dakordim reciprok, ‘Integra’ dhe Radio Kosova kishin arritur marrëveshje që cikli dhjetepisodesh i audio dramave të transmetohej në Radio Kosova, pa kompensim, duke konsideruar rëndësinë që premiera e këtij prodhimi t’i ofrohej transmetuesit publik, i cili, përveç të tjerash, ka për mision informimin e drejtë dhe të paanshëm”, shkruhet në reagim.

Sipas reagimit, fillimet e bashkëpunimit me Radio Kosovën ishin korrekte, duke u marrë vesh për aspekte teknike të promovimit, të transmetimit dhe të ritransmetimit të audiodramave. “Integra” ka sqaruar se me pajtim dypalësh, premiera e episodit të parë të audio dramave u transmetua më datën 14 dhjetor 2020, duke u ritransmetuar ditën e nesërme.

“Episodi i dytë u transmetua më 21 dhjetor 2020, dhe që bazohej në rrëfimin e një gruaje serbe nga Shtërpca për burrin e saj të pagjetur si pasojë e luftës. Me ta kuptuar që ky episod i dedikohej rrëfimit të një familjareje serbe, Radio Kosova, në mënyrë arbitrare, pa paralajmërim, nuk e transmeton reprizën të planifikuar për datë 22 dhjetor 2020, ora 20:10”, shkruhet në reagim.

Episodi i dytë, përthekonte rrëfimin e O. Stojanoviqit.

“Dita e fundit kur e kam parë Markon ishte ajo kur u nis për Ferizaj, 28 shtator 1999. Unë në atë kohë e pija nga një grusht hapa edhe për shkak të djalit që më kishte vdekur në vitin 1997. Pas dy vjetësh ma kidnapuan burrin. Pra, jetoja vetëm me hapa. Dhe jeta ishte tepër e vështirë, ferr i vërtetë”, thotë ndër të tjera ajo.

Në rrëfim përmendet edhe e ashtuquajtura “Shtëpi e verdhë”, por Stojanoviq, diku në rrëfim jep edhe mesazhe për serbë e shqiptarë.

“Mesazhi im për të gjithë shqiptarët dhe të gjithë serbët është të mos përdorin gënjeshtra. Sepse duhet t’u vijë fundi këtyre vuajtjeve. Nëse unë kam humbur burrin, tjetra të birin, e di çfarë dhimbje ndjen ajo. Thjesht, le të na i japin eshtrat e vërteta. Nuk do të reagoj fare, asgjë nuk do të them, as nuk do të ankohem. Por vërtet, edhe nga qeveria ime edhe nga qeveria shqiptare kërkoj ndihmë. Ta mbyllim këtë vuajtje e të mos ketë mashtrime. Kam të dhëna se mbi 400 mbetje mortore janë nëpër thasë në një ent në Prishtinë. Pse p.sh. të mundohem unë kaq shumë e të vuaj kaq gjatë, nëse eshtrat janë në Prishtinë tashmë? Nuk duam gënjeshtra”, citohet të ketë thënë ajo.

Pas vendimit për të mos e ritransmetuar, “Integra” ka sqaruar se ka thirrur takim urgjent me drejtuesit e Radio Kosovës, “të cilët të mllefosur e të nervozuar shprehen që nuk janë të pajtimit që të transmetojnë përmbajtje të bazuara në rrëfimet e familjarëve të viktimave joshqiptare, përkundër faktit që të 10 episodet e audiodramave i kanë poseduar paraprakisht”.

“Duke marrë për shkas që 3 audiodramat janë të bazuara në rrëfime të familjarëve joshqiptarë, Radio Kosova me vendim të prerë refuzon transmetimin e tyre, duke detyruar palën tjetër (Integra) të ndërpresë bashkëpunimin me automatizëm”, shkruhet në reagim. Sipas kësaj organizate, me këtë veprim tregohet se po vazhdohet me diskurs etnocentirk.

“Vendimi për censurimin e audiodramave të bazuara në rrëfime të familjarëve të të pagjeturve nga lufta, na zë në shok e të shqetësuar, duke na lënë të kuptojmë se në Kosovë vazhdon të ushqehet e të mirëmbahet diskursi publik etnocentrik në raport me të kaluarën e luftës, ku dominon narrativë e njëtrajtshme dhe e politizuar”, shkruhet në reagim. Sipas kësaj organizate, me këtë veprim, Radio Kosova si institucion publik, i financuar nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, “me dy këmbë shkel mbi të drejtën elementare të përfaqësueseve të viktimave civile të luftës, duke ua mohuar të drejtën për t’u shprehur, për të ditur, dhe për pjesëmarrje në ndërtimin e kujtesës kolektive”. “Integra”, po ashtu, ju ka bërë thirrje institucioneve vendore, spektrit politik, mediave, aktivistëve të të drejtave të njeriut, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë me urgjencë “për këtë censurë të Radio Kosovës”.

KOHA ka komunikuar me drejtorin e Radio Kosovës, Ernest Luma. Ai ka rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet redaktorja përgjegjëse, Mirvete Uka.

Ajo ka thënë se me “Integran” nuk kanë pasur kontratë, por kanë pranuar që t’i transmetojnë audiodramat. Sipas Ukës, kanë pasur mirësjellje duke krijuar hapësirë në Radio pa pasur kurrfarë obligimi. Ka pranuar se problemet kanë lindur në episodin e dytë.

“Kanë kërkuar hapësirë dhe kemi pasur mirëkuptim. Gjuha që është përdorur në drama nuk ishte korrekte për kohën që po kalon Kosova, që është një periudhë e ndjeshme. Andaj nuk ka qenë korrekte pasi me atë gjuhë ofendohen shumica. Kemi mijëra viktima shqiptare dhe nuk mund të lejojmë gjuhë dhe linçime që janë përdorur”, ka thënë ajo. Uka ka shtuar se ndiejnë keqardhje për secilën familje që ka persona të zhdukur, pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë.

“Shprehim keqardhje për të gjithë. Por nuk mund të lejojmë predikime të tilla ndaj shumicës shqiptare, kur kemi akoma varre pa njerëz”, ka thënë ajo.

(koha.net, 12/01/2021)