Reciprociteti – efektiv apo jo

Pa marrë parasysh veprimet e Serbisë, reciprociteti i vënë nga Kosova nuk nënkupton që detyrimisht do të jetë i efektshëm dhe që do t’i shërbejë interesave shtetërore sa i përket çështjes së dialogut dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian.

0
371

Pas vendosjes së reciprocitetit për targat, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së fundmi është shprehur që shteti i Kosovës tashmë është gati që t’i përgjigjet shtetit të Serbisë me masa të reciprocitetit edhe në fusha tjera. Më saktë, këto masa pritet të ndërmerren pasi shteti i Serbisë nuk po i respekton marrëveshjet e deritanishme me shtetin e Kosovës. Me fjalë të tjera, Kosova dëshiron t’i përgjigjet Serbisë me të njëjtën monedhë. Megjithatë, ndonëse një politikë realiste (dhe ndoshta e drejtë) nga kryeministri Kurti, nuk mund të thuhet që një lëvizje e tillë përbën një hap përpara në raport me pritjet që kanë komuniteti ndërkombëtar për të ardhmen e të dy shteteve. Në fakt, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të injorojnë sinjalet nga komuniteti ndërkombëtar që supozohet të shërbejnë si një guidë e qartë mbi atë së çfarë duhet bërë dhe jo.

Në një mjedis ndërkombëtar ku shtetet nuk kanë një “polic” i cili ka një prirje për të kontrolluar direkt sjelljen e tjetrit, ato kanë një tendencë për të vepruar me një strategji të atillë ku kundërveprojnë ndaj veprimeve të palës tjetër. Sipas politikologut amerikan, Robert Axelrod, reciprociteti është një strategji “tit for tat” ose e kthimit të veprimeve “me të njëjtën monedhë”. Sipas akademikëve ndërkombëtarë Francesco Parisi dhe Nita Ghei, reciprociteti është një strategji (ndonëse jo ideale) që në një formë është një lloj raporti ose bashkëpunimi mes shteteve në një botë pa polic. Sidoqoftë, së pari, duhet shtuar që Kosova dhe Serbia, sidomos në rastin e dialogut, nuk është që nuk kanë ndonjë mekanizëm mbi veten pasi janë në fakt ekskluzivisht të monitoruara nga faktori ndërkombëtar dhe sjellja e tyre në këtë proces më pas shoqërohet me pasoja mbi progresin e bisedimeve. Pra, ndonëse monitorimi i bërë nga BE mbi sjelljen e shteteve në respektimin e marrëveshjeve nuk ka qenë aq efektiv, prapë se prapë, Kosova dhe Serbia duhet patur parasysh që varen në masë të madhe nga përkrahja direkte që kanë nga faktori ndërkombëtar.

Reciprociteti ëshë ndoshta edhe i arsyetuar pasi shteti i Serbisë nuk i ka respektuar marrëveshjet e arritura me Kosovën. Për më tepër, kryeministri Kurti ka ripërmendur edhe një herë faktin që Vučič insiston se nuk do ta njohë Kosovën. Megjithatë, pa marrë parasysh veprimet e Serbisë, reciprociteti i vënë nga Kosova nuk nënkupton që detyrimisht do të jetë i efektshëm dhe që do t’i shërbejë interesave shtetërore sa i përket çështjes së dialogut dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian. Vlen të përmendet që as heqja e reciprocitetit nga ana e ish-kryeministrit Hoti para një viti nuk është që solli ndonjë ndryshim sa i përket çështjes së dialogut, por që të paktën ishte deri diku në akord me pritjet e ndërkombëtarëve për konstruktivitet në raportin mes dy shteteve. Mbi të gjitha, s’mund të presim që ndonjë kushtëzim nga Kosova të jetë aq vendimtar sa Serbia të ndryshojë qëndrim për çështjen e pavarësisë.

Përderisa Kosova dhe Serbia janë në një formë të varura nga ndihma që marrin nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, atëherë duhet edhe të vlerësojnë pasojat që vijnë nga veprime të tilla sikur vënia e reciprocitetit. Po ashtu, mund të thuhet që Kosova dhe Serbia kanë një lloj sovraniteti të brishtë që është në masë të madhe i ndikuar nga pritjet që ka komuniteti ndërkombëtar për sjelljen e shteteve në procese të ndryshme në arenën ndërkombëtare ose në të kundërtën mund të ndodhë që edhe Kosovës e edhe Serbisë t’u vështirësohet rruga për integrim evropian. Prandaj, Kosova dhe Serbia duhet të kenë parasysh që të mos ndërmarrin veprime të atilla që në një formë ose tjetër mund të nxisin faktorin ndërkombëtar për të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tyre të çdo lloj forme.

Reciprociteti mes shteteve është një proces i zakonshëm në marrëdhënie ndërkombëtare dhe i natyrshëm kur mendojmë që shtetet nuk kanë një autoritet që kontrollon sjelljen e tyre. Megjithatë, edhe efektiviteti i kësaj mase mund të shihet si shumë kontekstual. Pra, konkretisht Serbia dhe Kosova nuk përfitojnë nga veprime të tilla dhe për më tepër masa si reciprociteti mund të bëjnë që shtetet të largohen edhe më shumë sa i përket pritjeve për të ardhmen.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.