Të kuptuarit e patriotizmit në hapësirat tona nganjëherë merr formë të atillë që mund të barazohet me marrëzinë, dhe kjo e thënë me fjalët më të buta. Dhe kur e them këtë mendoj në të gjithë popujt që jetojnë këtu pa kurrfarë përjashtimi. I privuar nga një qëndrim pragmatik dhe një mendim praktik, patriotizmi tek ne shërben për të nxitur jotolerancën dhe urrejtjen, ndërsa tek kombet e zhvilluara ai shërben për t’iu afruar kombeve tjera duke kërkuar diçka që na lidh me njëri-tjetrin. Një qëndrim i tillë shpesh vërshen në disa sfera të shoqërisë dhe në disa procese ku realisht nuk do të kishte vend për patriotizëm, por le ta rikujtojmë se tek ne disa gjëra rrjedhin krejtësisht ndryshe prej ligjeve të logjikës.
Në dritën e tërë asaj që u tha, ditëve të fundit nëpër media shpesh po e dëgjojmë një fjalë që me vete bartë mjaft gjëra që do të mund të kenë të bëjnë me të gjithë ne. Kjo fjalë është reciprociteti dhe si e tillë po përmendet gjithnjë e më shpesh si masë e fuqisë së patriotizmit. Duke mos hyrë në sferën e shkencës ku kjo fjalë edhe do të kishte vend, nganjëherë duhet të shtrojmë pyetjen se sa do të ishte i dobishëm reciprociteti për të gjithë ne në proceset të cilat janë momentalisht aktuale në relacionin Beograd–Prishtinë. Sipas të gjitha gjasave, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, po e përdor gjithnjë e më shumë këtë term si një nga masat e tij të ardhshme pasi të vijë në pozitën e kryeministrit.
Mirëpo, shtrohet pyetja se sa ai reciprocitet do të ishte i realizueshëm nga ana e Kosovës e në raport me Serbinë. Nganjëherë kjo të kujton një ndeshje boksi midis dy boksierëve të dy kategorive të ndryshme, kështu që shanset janë të njëjta por mundësitë nuk janë të njëjta. Qasja realiste ndaj një problemi të çfarëdo natyre është në një mënyrë gjysma e zgjidhjes, dhe derisa disa marrëveshje janë arritur dhe pritet zbatimi i tyre, nga ana tjetër kryeministri i ardhshëm Kurti po paralajmëron rishikimin e tyre dhe zbatimin reciprok të tërë asaj për të cilën është dakorduar.
Nëse veprohet me një logjikë të tillë, atëherë Serbia do të duhej ngas ana e saj të vendosë taksa, të vështirësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve nga Kosova, si dhe të anulojë të gjitha marrëveshjet që i ka zbatuar në terren dhe të kthehet në gjendjen e fillimit të negociatave në Bruksel, sepse derisa Serbia i ka respektuar të gjitha ato për të cilat është dakorduar, përveç marrëveshjes për energjinë, nga ana tjetër Kosova nuk e ka përmbushur asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga përfaqësuesit e atëhershëm të Kosovës. Natyrisht, në terren kjo nuk do t’u përgjigjej serbëve të Kosovës sepse ata në një mënyrë janë peng i Prishtinës në negociata sepse shumica e lëshimeve që Beogradi i ka bërë në terren kanë qenë të drejtuara kah ajo që pikërisht atyre t’u lehtësohet funksionimi në rrethanat e reja. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe në Beograd kështu që pikërisht për këtë arsye nuk janë vendosur masa reciproke pas vendosjes së taksave mbi mallrat nga Serbia dhe BeH nga ana e Prishtinës.
Deklaratat e Kryeministrit të ardhshëm Kurti qysh tani po na brengosin dhe po na vendosin para pyetjes se si do të rrjedhë procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Nëse e kemi parasysh që negociatat po ngecin tashmë një vit, pas deklaratave të kësaj natyre shtrohet pyetja se sa reale është që negociatat të vazhdojnë në ndonjë të ardhme të afërt. Edhe pse kjo ndoshta do të mund të kuptohej si ofendim apo mospërfillje, personalisht mendoj se politika e fëmijës së llastuar të cilit i plotësohen të gjitha dëshirat vetëm që të mos bëj prapësi i ka kufijtë e saj dhe që kryeministri i ardhshëm duhet ta kuptojë këtë me kohë ashtu që edhe pas shkuarjes së tij nga pozita e kryeministrit të ketë se me çka të lavdërohet. Në këtë mënyrë, e vetmja rrugë kah e cila do të çojë ai Kosovën është rruga kah izolimi dhe jostabiliteti, kurse fillimi i kësaj po shihet në reciprocitetin e përmendur sepse një qasje e tillë askund në botë nuk ka sjellur pëmirësim, kështu që personalisht mendoj që as në këto hapësirat tona nuk do të ketë përjashtim.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.