Rezistencë apo pragmatizëm

Derisa në veri, përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga policia e Kosovës, gjyqësori, prokuroria si dhe asambletë komunale, në jug kjo nuk ndodhi. Përse?

0
247

Si jo rrallë herë, katër komunat me shumicë serbe, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi prodhojnë situata që më pastaj përcaktojnë agjendën qendrore. Kështu ngjau edhe në vjeshtën e nxehtë që lamë pas.

Më 5 nëntor, në një takim me dyer të mbyllura, në Zveçan, përfaqësuesit e serbëve të veriut vendosën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit e prokurorisë në veri. Këtyre i paraprinë dorëheqjet e ministrave serbë në qeveri e dorëzimi i mandateve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Në vargun e këtyre dorëheqjeve erdhi edhe dorëzimi i detyrave të kryetarëve e asamblistëve në katër komunat veriore.

Të gjitha këto veprime patën një shkak të përbashkët, mospajtimin e tyre me fillimin e zbatimit të vendimit të qeverisë qendrore për targat e makinave. Më vonë pasuan tensionet e barrikadat deri në ditët e fundit të dhjetorit.

Por, kështu nuk vepruan serbët në gjashtë komuna tjera në jug, ku përbëjnë shumicën.

Duke folur për New Perspektivën, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajković, thotë se, në jug, situata është ndryshe. Sipas saj, qytetarët serbë në enklava qëndruan atje kryesisht falë kishës.

“Në jug, gjithnjë ka pasur rezistencë më të fortë ndaj vendimeve të Beogradit dhe aty ka pasur gjithmonë zëra alternativë politikë. Vetëdija demokratike e qytetarëve në jug është më e lartë dhe Beogradi është shumë i vetëdijshëm për këtë. Prandaj Beogradi i shmanget dërgimit të direktivave për serbët në jug, sepse ka frikë se ato urdhëra nuk mund të zbatohen plotësisht, gjë që do të komprometonte dhe do të tregonte dobësinë e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vučićit dhe [në nënkryetarit të Listës serbe, Milan] Radoičićit në terren. Tani për tani, në jug ata kanë metoda të tjera të ndikimit, të fokusuara tek të papunët dhe të cenuarit social. Të papunëve nga jugu u ofrojnë ndihmë sociale për të forcuar ndikimin e tyre, ndërsa nga ana tjetër, nga shqetësimi për çështjet sociale, përjashtojnë Kishën. Të gjitha këto janë metoda të reja për “rekrutim” të mbështetjes politike mes serbëve në Kosovë”, ka thënë Trajković, aktualisht këshilltare e ministrit për komunitete dhe kthim, në qeverinë e Kurtit, duke e theksuar se Veriu është nën kontrollin e plotë të Radoičić-it, urdhrat e të cilit atje nuk mund të refuzohen.

Madje Trajković thotë që largimi i fundit i serbëve ka krijuar një realitet të ri duke e dyfishuar numrin e të “izoluarve” financiarisht në veri.

Në veri të gjithë urdhërat janë përmbushur 100%, përndryshe kushdo që reziston do të përballet me hakmarrje fizike, materiale apo ekzistenciale. Që nga vendimi që serbët e veriut të largohen nga institucionet e Kosovës, kemi një realitet tjetër të ri ku personat që janë larguar nga institucionet e Kosovës tani po marrin të ardhura nga Serbia. Më parë, vetëm punonjësit në institucionet serbe ishin të varur nga Serbia, ndërsa tani në veri, ata që paguhen nga Prishtina varen edhe nga Serbia.    Kur njerëzit janë financiarisht të varur nga Beogradi, është e vështirë të arrihet çdo lloj ndarje apo emancipimi. Nevojiten investime më të mëdha në punësim dhe programe sociale nga Prishtina, si dhe siguri institucionale që do të jetë konstante dhe e garantuar, e cila nuk varet nga favori apo vullneti i mirë i askujt në pushtet”,  ka shtuar më tej ajo.

Por, mbi të gjitha, Trajković thotë që stabilizimi i sigurisë është i domosdoshëm për t’i lehtësuar njerëzit dhe për t’i çliruar ata nga bllokada dhe presioni mendor, të cilin e promovon Lista Serbe.

Kurse Slobodan Petrović, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, i cili ka mbajtur pozita me peshë në institucionet e Kosovës si zëvendëskryeministër, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal e deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se serbët në Jug e ata në Veri jetojnë në frikë e pasiguri.

Ai është i bindur që mundësitë e serbëve për largim nga institucionet janë rritur dukshëm muajt e fundit.

“Besimi në institucionet e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë në nivel më të ulët se sa është tani, dhe nga ana tjetër, pak po bëhet për të rikthyer besimin reciprok. Po të më kishit pyetur para disa muajsh, do të isha i sigurt se nuk do të ndodh, edhe pse sot në këtë atmosferë plot tensione, nuk mjafton të marrësh vendime të nxituara dhe të pamenduara nga të dyja palët. Unë jam i mendimit se mundësitë për t’u larguar nga institucionet janë të vogla, por shumë më të mëdha se sa ishte disa muaj më parë. Vendimi për largim nga institucionet do të ishte i dëmshëm para së gjithash për serbët, por sigurisht që institucionet e Kosovës nuk do të përfitonin në atë rast. Për këtë arsye pres një përfshirje më të madhe të të gjithë aktorëve politikë, vendas dhe të huaj, që kjo të mos ndodhë”, tha Petrović, për New Perspektivën.

Edhe Milica Radovanović, nga “Iniciativa e Re Sociale”, e përmend faktin e varësisë financiare të serbëve në veri dhe në jug nga Beogradi. Kjo lidhje vjen me ndërmjetësimin e Listës Serbe që mbështetet drejtpërdrejt nga Serbia.

“Serbët, si në veri dhe në jug të Kosovës, janë financiarisht të varur nga Beogradi, duke pasur parasysh se Serbia është punëdhënësi dhe ofruesi kryesor i shërbimeve bazë, si shëndetësia dhe arsimi. Pra, popullsia serbe varet nga Serbia, jo nga Lista Serbe. Lista Serbe është e vetmja parti në Kosovë e mbështetur nga Beogradi dhe e merr pushtetin prej andej. Deri më tani nuk kemi pasur mundësi të shohim se në komunat e veriut janë marrë disa vendime dhe në komunat e jugut nuk ka pasur përkrahje apo edhe kundërshtim ndaj tyre, apo është marrë vendim në ndonjë komunë në jug të Kosovës që shkaktoi kundërshtime në veri. Si në jug të Kosovës ashtu edhe në veri ka opsione politike opozitare, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të konsiderueshme që në një farë mënyre do ta lëkundë pozitën e Listës Serbe”, ka thënë Radovanović.

Andaj ajo beson që  dorëheqjet u bënë vetëm tek serbët në veri me marrëveshje pragmatike me ata në jug.

Sipas saj, arsyeja pse vetëm serbët në veri u larguan nga institucionet e jo edhe në jug është më shumë e natyrës gjeografike dhe rreziqeve të sigurisë. 

“Ndryshe nga veriu, i cili formon një zonë kompakte, homogjene që i afrohet Serbisë, në jug, gjashtë komuna me shumicë serbe janë të shpërndara në rajone të ndryshme, si ishuj të vegjël të rrethuar nga një popullsi shumicë shqiptare. Hipotetikisht, nëse serbët në jug do të largoheshin nga institucionet, nuk do të kishin se si t’i rezistonin veprimeve të qeverisë për të plotësuar pozitat boshe me anëtarë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera në Kosovë. Pra, në këtë rast nuk është një mosmarrëveshje mes komunave me shumicë serbe në veri dhe jug të Kosovës, por një vendim pragmatik”, ka thënë Radovanović për New Perspektivën.

Të gjithë njëzëri pajtohen për varësinë ekonomike që përkthehet me angazhim të përbashkët në vendime unike. Megjithatë, me apo pa dashje, është vërejtur shpesh herë një rezistencë e serbëve në jug ndaj vendimeve të serbëve në veri. Por edhe një injorim i tyre nga ana e qeverisë qendrore.