Që nganjëherë deklaratat e zyrtarëve të të dyja palëve mund të jenë kontradiktore e jo rrallë edhe komike, me këtë jemi mësuar kështu që habitemi kur ato janë normale, por nganjëherë janë plotësisht të paqarta dhe shkaktojnë një ndjenjë të habisë, thënë më së buti. Pas takimit me Ministrin e punëve të Jashtme të RF të Gjermanisë, Heiko Maas, i cili gjendet në një vizitë regjionale, deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se dispozitat e marrëveshjes së Brukselit duhet të resetohen dhe të bëhet rishikimi i tyre janë, thënë më së buti, të çuditshme. Rregulla bazë që diçka të resetohet është që ajo duhet edhe të ekzistojë në terren si diçka e prekshme dhe fizikisht e pranishme. Mirëpo, edhe pse është nënshkruar, marrëveshja e Brukselit nuk është jetësuar plotësisht në terren. Dhe përsëri, për shkak të personave keqdashës, më duhet të kufizohem, nuk po e mbroj asnjërën palë, por, realisht, ndërsa Beogradi ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara, Prishtina nuk ka zbatuar pothuajse asnjë, kështu që shtrohet pyetja sa ka kuptim thirrja e presidentes për të resetuar dialogun. Ndoshta ky është një paralajmërim i disa kushteve ose qëndrimeve të reja në dialog, kështu që kjo është vetëm një përgatitje politike e terrenit për këtë, ose ndoshta është një paralajmërim i heqjes dorë nga dialogu sepse, nëse kemi parasysh deklaratat gjatë fushatës zgjedhore, asnjë skenar nuk guxon të na habisë.
Pas tërë asaj që kemi dëgjuar gjatë disa muajve të fundit, secili rezultat – madje edhe ai më i keqi – përkitazi me dialogun, vjen si diçka normale dhe e pritur. Është e qartë që procesi i pjekurisë politike tek ne po shkon së prapthi – derisa shoqëritë e civilizuara i kthehen kompromiseve dhe dialogut si mënyrës së vetme të tejkalimit të problemeve tek ne sulmet konsiderohen si e vetmja përgjigje adekuate. Për fat të mirë, për momentin çdo gjë është në kuadër të sulmeve verbale edhe pse jo rrallëherë ka edhe të tilla më të rrezikshme, sulme fizike.
Neve qartazi nuk na shkojnë për dore marrëveshjet, sepse po të ishte ashtu deri tani gjithçka do të ishte zgjidhur duke pasur parasysh se sa dokumente janë nënshkruar por edhe menjëherë janë hedhur nëpër sirtarë. Edhe njëra edhe tjetra palë dëshpërimisht po përpiqen të ruajnë diçka që nuk i përket as njërës as tjetrës palë. E ruajmë atë që nuk i takon politikës por popullit të rëndomtë, kurse popullin pakkush e pyet për këtë. Një njeriu të zakonshëm i dridhen edhe eshtrat kur dikush përmend rishikimet dhe resetimet, kur i përmend kushtet e reja, metodat e reja, një qasje të re. A është kaq e vështirë të dalësh në rrugë dhe të shohësh që njerëzit kanë probleme më të mëdha se sa dispozitat e diçkaje që praktikisht edhe nuk ekziston. Një njeri i zakonshëm nuk i han marrëveshjet për mëngjes as nuk i tërheq në bankomat në fillim të muajit. Edhe pse disa do të thoshin se nga marrëveshjet varet edhe ajo që u përmend më lart, kjo thjesht nuk është e vërtetë sepse kjo është parë në praktikë. Na mbetet vetëm që përfundimisht ta kuptojmë se të gjitha këto lojëra në lidhje me marrëveshjen janë në fakt një lodër e mirë për politikanët e llastuar dhe asgjë më shumë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.