Serbia do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e strukturave të saj në komunat e Kosovës edhe në sektorin e shëndetësisë. Zyrtarë të qeverisë serbe kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit do të bëhet një transformim i sistemit shëndetësor të, siç kanë thënë ata, Republikës së Serbisë në Kosovë dhe Metohi. Plani i qeverisë serbe parasheh unifikim të institucioneve shëndetësore, i cili nuk do të kufizohet vetëm në katër komunat veriore, por do të përfshijë edhe ato në jug të Ibrit të cilat udhëhiqen nga Lista Serbe. Gjithë këto ndryshime do të vazhdojnë të bëhen jashtë rregullativës ligjore të Kosovës. Problemi i sistemit paralel serb është ngritur edhe në kuadër të dialogut të Brukselit. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë bërë me dije se nuk do të ketë vendim për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, pa u shuar të gjitha strukturat paralele të Serbisë, përfshirë edhe ato shëndetësore.
Qeveritarë të Serbisë, pas një takimi që kanë zhvilluar para disa ditësh me drejtorin e qendrës Spitalore Universitare në Mitrovicë, drejtorin e shëndetit publik dhe këshilltarë të kuvendit komunal të Mitrovicës, kanë thënë se do të ketë tranzicion të sistemit shëndetësor, për ta bërë atë më efikas. Sipas asaj që ka thënë zëvendësdrejtoresha e zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Slađana Marković–Stojanović, janë duke punuar intensivisht që brenda vitit të finalizohet projekti i përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë. Zyrtarë të qeverisë serbe kanë thënë se transformimi nuk nënkupton integrimin e shëndetësisë serbe brenda ligjeve të Kosovës.
“Serbia do t’i mbajë nën kontrollin e vet institucionet shëndetësore në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë ajo. Marković–Stojanović ka shpjeguar se konsolidimi i institucioneve shëndetësore të Serbisë në Kosovë nënkupton krijimin e pesë qendrave shëndetësore në nivelin e kujdesit primar, sekondar dhe terciar shëndetësor. Këto qendra do të kenë karakter rajonal dhe lokal, varësisht se ku do të vendosen.
Transformimin e sistemit shëndetësor dhe reformën e institucioneve serbe, e ka paralajmëruar edhe drejtori i zyrës së lartëpërmendur, Marko Đurić, qysh në gusht të vitit 2015, duke thënë se një nga prioritetet në punën e zyrës që drejton ai do të jetë kujdesi shëndetësor.
“Në letër ne i kemi 29 qendra shëndetësore, që përshijnë institucione të ndryshme shëndetësore në Kosovë dhe Metohi. Megjithatë, askush nuk mund të thotë se të gjitha ato funksionojnë me kapacitete të plota”, kishte thënë Đurić.
Sipas Zyrës për Kosovë e cila funksionin në kuadër të qeverisë së Serbisë, në tri vitet e fundit janë investuar 130 milionë dinarë në sistemin shëndetësor në territorin e Kosovës.
Kushtëzimet e qeverisë së Kosovës
Por këto aktivitete të Serbisë në fushën e shëndetësisë, krahas të tjerave, qeveria e Kosovës i konsideron ilegale, duke kërkuar edhe shuarjen e tyre. Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Çështjen e të gjitha strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, përfshirë ato të fushës së shëndetësisë e kemi ngritur në dialogun e Brukselit në vazhdimësi që nga fillimi i këtij procesi. Një pjesë e këtyre strukturave është shuar si rezultat i Marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, ka thënë Tahiri për “New Perspektiva”. Ajo ka shtuar se pa u shuar këto institucione nuk do të ketë vendim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ndërsa shuarja e pjesës së mbetur të strukturave paralele serbe ku bëjnë pjesë edhe ato të shëndetësisë, do të bëhet para se qeveria e Kosovës të marrë vendimin për krijimin e asociacionit. Për këtë kemi dakordimin e arritur ne Bruksel”, ka potencuar Tahiri.
Sektorët e arsimit dhe shëndetësisë në veri nuk përfshihen në buxhetin e nivelit lokal që administrohet nga komunat në përputhje me ligjin e Kosovës për administratën lokale. Siç dihet, këto komuna gëzojnë kompetenca të zgjeruara në krahasim me komunat tjera në Kosovë. Në mesin e kompetencave të zgjeruara është edhe spitali rajonal. Serbia ka plan që këta sektorë t’i fusë në kuadër të asociacionit.
Edhe propozimi gjithëpërfshirës i Marti Ahtisarit, parasheh që Komunat Mitrovicë Veri, Graçanicë dhe Shtërpcë të kenë kompetenca për ofrimin e kujdesit shëndetësor sekondar, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, punësimin, pagimin e rrogave dhe trajnimin e personelit dhe administratorëve të kujdesit shëndetësor.
Zbatimi i mangët i ligjit të shëndetësisë në veri
Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria e Shëndetësisë, gjatë viteve të fundit ka bërë përpjekje që përmes mjeteve financiare ta integrojë sistemin shëndetësor. Ne mbështetje fuqizimit të shërbimeve shëndetesore në komunat veriore, qeveria i ka ndarë 1 milion euro për sektorin e shëndetësisë ne katër komunat e banuara me shumicë serbe.
Shëndetësia në veri
Sipas profileve që misioni i OSBE-s u ka bërë komunave veriore, ato ofrojnë shërbime shëndetësore për të gjitha komunitetet.
Në Leposaviq gjendet një shtëpi e shëndetit, me tetë njësi të saj. Ky sektor ka 147 të punësuar, prej tyre 113 femra dhe 34 meshkujt, përfshirë doktorët, motrat medicinale dhe stafin tjetër mbështetës. Po ashtu, në këtë komunë është e vendosur njësia shëndetësore në fshatin Bistricë, e banuar me shqiptare. Sipas profilit bërë sektorit shëndetësor në Leposaviq, të gjitha komunitetet kanë qasje në kujdesin shëndetësor.
Komuna tjetër në veri, Zubin Potoku në sistemin primar shëndetësor ka një qendër shëndetësore dhe shtatë ambulanca, me 77 të punësuar. Edhe në këtë komunë, qasje në shërbimet mjekësore kanë të gjithë banorët.
Sa i përket Zveçanit, ekziston një qendër shëndetësor dhe katër shtëpi shëndeti. Ky sektor ka 167 të punësuar. Përveç tyre, në këtë komunë operojnë edhe dy shtëpi shëndeti, të cilat financohen nga qeveria e Kosovës.
Qasje në shërbimet shëndetësore në parim kanë edhe të gjithë banorët e Mitrovicës së Veriut. Në këtë komunë gjendet spitali rajonal dhe një shtëpi shëndeti. Spitali ofron shërbime për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Në këtë komunë, ekziston edhe poliklinika e cila ofron shërbime shëndetësore për studentët e kësaj pjese. Në Kodrën e Minatorëve, ku jetojnë serbë dhe shqiptarë shërbimet ofrohen nga një qendër shëndetësore, ku një doktor dhe dy motra medicinale punojnë rregullisht, derisa pediatri ka vizita një herë në javë.
Zyrtarë të ministrisë së shëndetësisë kanë thënë se niveli i zbatimi të Ligjit për Shëndetësinë në katër komunat veriore të Kosovës është i njëjtë sikurse për ligjet tjera.
“Ligji për Shëndetësi në katër komunat veriore të Kosovës zbatohet pak a shumë si edhe ligjet e tjera të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. Ai ka shtuar se në procesin e ndarjes së 1 milion eurove ka pasur një bashkëpunim me kryetarët e komunave veriore dhe autoriteteve lokale, “me të cilët janë nënshkruar edhe Marrëveshjet e bashkëpunimit për projektet, kryesisht të infrastrukturës shëndetësore në këto komuna”.
Sipas Hotit, këto marrëveshje janë nënshkruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Por, integrim i këtyre komunave, sipas zyrtarëve të ministrisë së shëndetësisë, nuk varet vetëm prej tyre.
“Efektet e integrimit të serbëve nuk mund të maten në mënyrë specifike vetëm për sektorin shëndetësor, sepse veriu i Kosovës dhe komunat atje, që nga paslufta e këtej, kanë qenë problem kryekëput politik. Një bashkëpunim më i mirë gjithsesi ka qenë në dy tre vjetët e fundit, kur kanë filluar edhe punonjës shëndetësor serbë nga veriu që të aplikojnë për licenca pune në Ministrinë e Shëndetësisë”, thotë Hoti.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë, kryen inspektime përmes Inspektoratit Shëndetësor edhe në veriun e Kosovës. Por shton se aplikimi për licencim të profesionistëve shëndetësor serbë për licenca në MSh ka filluar së fundi.
“Sa u përket institucioneve, Divizioni për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Private Shëndetësore i MSh-së nuk ka marrë ende aplikacione për licencim të institucioneve shëndetësore nga komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës”, deklaron ai.
Më herët është raportuar se janë rreth 500 punëtorë shëndetësorë për të cilët janë planifikuar paga nga buxheti i shtetit, por që shumë prej tyre nuk kanë aplikuar fare për licencë në Ministrinë e Shëndetësisë. As tani, Ministria e Shëndetësisë nuk ka shifra të sakta për punëtorët shëndetësorë në veri dhe sa prej tyre janë të licencuar.
“Numri i punëtorëve serbë në veri nuk është i njohur për MSh-në, meqë ata nuk janë të paraqitur në këtë ministri. Por, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve të bashkëpunimit, ka me dhjetëra serbë të profileve mjekësore që kanë aplikuar për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës”, është shprehur Hoti.
Ai ka shtuar se një proces i mirëfilltë integrimi në sistemin shëndetësor të Kosovësështë ende larg, i ndikuar dhe i lidhur drejtpërdrejt nga zhvillimet politike midis Prishtinës dhe asaj pjese të Kosovës.
Deputetëve u pamundësohet të monitorojnë në veri
Kuvendi i Kosovës është institucioni që mbikëqyr nivelin e zbatimit të ligjeve. Por deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilat kanë qenë pjesë e Komisionin funksional për Shëndetësi kanë thënë se në komunat veriore as që u është lejuar të bëjnë monitorim. Anëtarja e këtij komisioni Besa Baftiu ka deklaruar për “New Perspektiva” se u është refuzuar kërkesa që të shkojnë në pjesën e veriore.
“Komisioni për shëndetësi i kuvendit të Republikës së Kosovës, pjesë e të cilit isha edhe unë, kemi bërë monitorimin e ligjit për shëndetësi dhe gjatë kësaj kohe kemi vizituar një numër të madh të institucioneve publike, private për të parë se si po zbatohet ligji. Ne si komision kemi bërë kërkesë që të shkojmë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës por një gjë e tillë nuk na është mundësuar”, ka thënë Baftiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, në komunat jugore me të cilat udhëheqë Lista Serbe, deputetëve u është lejuar të shkojnë.
“Ne kemi vizituar Shtërpcën dhe Graçanicën dhe për dallim prej pjesës veriore këtu ne jemi takuar me udhëheqësit institucional të cilët e pranojnë se funksionon sistemi paralel shëndetësor. Në Shtërpcë ndonëse janë bërë investime me qindra mija euro nga buxheti i Republikës së Kosovës në Spitalin e ndërtuar të ri, ky nuk është funksionalizuar”, thotë Baftiu.
“E sa i përket pjesës veriore jo vetëm punëtorët shëndetësor por edhe spitali, shtëpitë e shëndetit nuk kane licencë pune”. Deputetja Baftiu vlerëson se deri më tani institucionet e Republikës së Kosovës janë treguar të pafuqishme kundrejt këtyre strukturave.
“Jo vetëm ligji për shëndetësi por edhe ligjet tjera të dala nga kuvendi i Republikës së Kosovës nuk zbatohen në pjesën veriore. Edhe 18 vite pas lufte në këtë pjesë kemi funksionimin e strukturave paralele në të gjitha institucionet komunale”, është shprehur Baftiu. Për dallim nga komunat tjera të Kosovës të cilat realizojnë të hyra komunale, sipas Baftiut, komunat në pjesën veriore janë vetëm shpenzues të buxhetit.
Mangësi të shumta në qeverisjet lokale të komunave veriore ka konstatuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në Kosovë. Kështu komunës së Mitrovicës Veriore i është kërkuar që t’i forcoj kontrollet lidhur me personelin për të siguruar që numri i personelit do të jetë konform ligjit, në mënyrë që të sigurohen shërbime më efikase për qytetarët.
“Vendimi për suspendimin e pagave të punonjësve të rishqyrtohet dhe të ndërmerren veprime formale për të siguruar shërbim cilësor dhe të mjaftueshëm arsimor dhe shëndetësor për qytetarët e komunës. Nuk është rishqyrtuar vendimi për suspendimin e pagave të punonjësve në arsim dhe shëndetësi”, shkruan në raportin e zyrës së auditorit, publikuar në qershor të këtij viti.
Dogana e Kosovës ndalon kartelat shëndetësore të Serbisë
Furnizimi i qendrave shëndetësore me medikamente dhe materiale tjera përcjellëse vazhdon të bëhet nga Serbia. Por dogana e Kosovës në disa raste ka ndaluar futjen e paautorizuar të medikamenteve dhe kartelave të sistemit shëndetësor të Serbisë në territorin e Kosovës. Më 16 korrik të kwtij viti, dogana ka kthyer mbrapsht për në Serbi 918 kartela shëndetësore, të cilat kanë qenë të dedikuara për banorët serbë në Kosovë.
Zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka treguar për “New Perspektiva” arsyet e ndalimit të futjes së këtyre kartelave.
“Dogana i ka ndaluar këto kartela pasi janë të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetarët e Kosovës prandaj si të tilla nuk janë te vlefshme dhe janë ilegjitime në Kosovë. Gjithashtu dogana ka lëshuar vendim për ndalimin e tyre. Këto kartela shëndetësore kanë qenë të lëshuara nga autoritetet serbe”, ka thënë Stavileci. Sipas tij, në të kaluarën kanë hasur në barna dhe materiale medicinale në tentim kontrabandim. “Në të gjitha rastet janë konfiskuar”, ka thënë Stavileci.
Përkitazi me sektorin e shëndetësisë në veri janë organizuar edhe hulumtime nga organizata të shoqërisë civile. Kështu një anketë e realizuar nga “Qendra Evropian për Çështje të Minoriteteve (ECMI) ka konkluduar se të anketuarit nga komunitetet që flasin gjuhen serbe kanë tendencë të vizitojnë dhe marrin shërbime në institucionet e kujdesit shëndetësor të menaxhuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, ndërsa të anketuarit nga komunitetet që flasin gjuhen shqipe kanë tendencë të vizitojnë dhe marrin shërbime nga institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës. Sipas këtij raporti, pjesëtarët e komunitetet boshnjak, goran, rom dhe ashkali në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviq, kryesisht vizitojnë dhe marrin shërbime nga institucionet shëndetësore serbe, ndërsa pjesëtarët e komunitetit shqiptare në Mitrovicën Veriore dhe Zubin Potok kryesisht vizitojnë dhe marrin shërbimet shëndetësore në institucionet shëndetësore të menaxhuara nga Republika e Kosovës.
Për të anketuarit që vizitojnë dhe marrin shërbime nga institucionet shëndetësore serbe arsyet kryesore që ata zgjedhin këto institucione janë qasja, cilësia e shërbimeve dhe fakti që ato ofrojnë shërbime shëndetësore pa pagesë. Ndërsa për të anketuarit pjesëtarë të komunitetit shqiptar që vizitojnë dhe përdorin institucionet shëndetësore të Kosovës në Zubin Potok dhe Mitrovicën Veriore, fakti që këto institucione janë të menaxhuara nga Kosova dhe jo nga Serbia krijon një ndjenjë të sigurisë për ata.
Në përgjithësi, ekzistojnë perceptime pozitive në lidhje me cilësinë e kujdesit shëndetësor në nivel lokal, sidomos për të anketuarit të cilët vizitojnë dhe marrin shërbime në institucionet shëndetësore serbe. Megjithatë, për një numër të mirë të të anketuarve mungesa dhe kostot e ilaçeve janë probleme të mëdha që ndikojnë në kushtet e tyre të jetesës.
Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet mjekëve shqiptarë dhe serbë
Si pasojë e mosintegrimit, të pakta kanë qenë edhe takimit mes mjekëve shqiptarë e serbë. Një i tillë dhe i vetmi deri më tani ka ndodhur në mars të këtij viti, ku për herë të parë pas luftës janë takuar mjekët shqiptarë dhe serbë. Gjendja e përgjithshme në shëndetësi, sfidat e saj, bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë dhe serbë, ishin temat që u diskutuan në konferencën me titull “Marrëdhëniet ndëretnike dhe shëndetësia në Kosovë”, e mbajtur në Mitrovicë.
Doktoresha serbe, Rada Trajković, e cila ka qenë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës ka thënë se serbët e Kosovës nuk mund të mbijetojnë pa Beogradin, sidomos kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor. Por kolegia e saj shqiptare Nexharije Pllana iu kundërvu Trajković duke e pyetur se si ndjehen shqiptarët e Preshevës të cilët mjekohen në spitalin e Vranjës dhe asnjë njeri nuk iu flet në gjuhën e tyre amtare.
Edhe Sinan Prekazi, mjek nga Mitrovica ishte shprehur i habitur se si pas kaq vitesh dëgjon nga disa kolegë serbë se nuk duan institucione të përbashkëta shëndetësore. Ai ka folur edhe për përjashtimin e mjekëve shqiptarë nga spitali i veriut të Mitrovicës, vetëm për shkaqe të etnisë.
Por në këtë takim, të parin pas luftës kishte edhe mjekë të cilët kërkonin që të ndodhë pajtimi. Musa Miftari, tha se bashkëpunimi ndëretnik duhet të fillojë në radhë të parë nga vetë mjekët.