Ashtu siç pritej, në korrik u zhvillua takimi i dytë i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, rikujtoi se takimi i kaluar midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, nuk ka qenë aq i frytshëm, por shprehu shpresën që ky takim i dytë “të jetë më i rëndësishëm nga këndvështrimi i rezultateve dhe atmosferës”. Borrel tha se ishte mirë që po mund të takoheshin përsëri para pushimeve të verës dhe shtoi se “mbajtja e rregulltë e kontakteve është kyçe dhe tregon përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve” midis dy vendeve. Ai tha se në këtë takim do të vazhdonin “diskutimet mbi progresin e arritur deri tani dhe hapat e ardhshëm”.
Pas takimit, Kryeministri Kurti tha se kishte propozuar një marrëveshje si deklaratë të paqës midis Kosovës dhe Serbisë por se ajo ishte refuzuar nga Serbia, madje pa e lexuar. Kurti tha se kishte rekomanduar përdorimin e togfjalëshit ‘ballafaqimi me të kaluarën’ kur ishte përmendur çështja e të pagjeturve, që po ashtu ishte refuzuar nga Serbia edhe pse ishte pranuar nga Borrelli. Ai tha se Kosova kishte vënë në dukje edhe 11 pengesa ndaj tregtisë së lirë të mallrave nga Kosova në Serbi dhe Serbia kishte refuzuar t’i diskutonte ato. Sipas kryeministrit Kurti, refuzimi i Serbisë për t’u ballafaquar me të kaluarën tregon se ajo nuk është e interesuar në dialog dhe marrëveshje, e as për paqe e pajtim mes dy vendeve. Për atmosferën e bisedimeve, Kurti tha se nuk ishte shumë më ndryshe se në takimin e kaluar në qershor.
Nga ana e tij, presidenti Vučić tha se herën e kaluar që ishin në Bruksel, kishte menduar se ishte e pamundur të kishin një takim më të keq por këtë herë ishte bindur “se ishte e mundur”. Ai tha se kishin marrë propozimet që BE kishte harmonizuar me kryenegociatorët dhe se Serbia në tërësi ishte pajtuar me to por se “shqiptarët nuk kishin dashur”. Sipas tij, propozimet e BE-së janë që të intensifikohen përpjekjet për identifikimin e mbetjeve të të zhdukurve, që palët të përmbahen nga veprime që mund të destabilizojnë situatën në terren dhe që kryenegociatorët të takohen rregullisht një herë në muaj. Vučić tha se kishte këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe por se “Prishtina për këtë as që dëshiron të flasë”. Sipas presidentit Vučić, strategjia e Prishtinës është që t’i humbë kuptimi dialogut edhe në fund ta ndërpresin krejt.
Edhe vlerësimi i përfaqësuesit special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, ishte se takimi kishte qenë i vështirë dhe kishte demonstruar “qasje shumë të ndryshme të të dyja palëve ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”. Si rrjedhojë, tha Lajčak, ishte arritur shumë pak progres. Ai njoftoi se ishin diskutuar disa propozime, por që rezultati i vetëm kishte qenë se Dialogu do të vazhdojë. Sipas tij, palët kishin rënë dakord që kryenegociatorët e tyre, Besnik Bislimi dhe Petar Petković, do të zhvillojnë takime çdo muaj, me lehtësimin e BE-së, për të trajtuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur të jetë e përshtatshme.