A do të krijojë Marrëveshja e Ohrit një momentum të ri?

E domosdoshme dhe kusht jetik i procesit është që palët të mbajnë fjalën e tyre, posaçërisht zotimet për të drejtën e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, për strukturën e vetëmenaxhimit për bashkësinë serbe në Kosovë, dhe për të zhdukurit.

0
722

Çfarë arritën Josep Borrell, Miroslav Lajčak, Albin Kurti dhe Aleksandar Vučić në takimin e së shtunës në brigjet e Liqenit të Ohrit? Një gjykim i mirëfilltë është i mundur vetëm pasi të kalojë një kohë.

E kuptuam se takimi u mbajt për t’u pajtuar me Udhërrëfyesin e Zbatimit për Marrëveshjen e arritur dy javë më herët, më 27 shkurt.

Udhërrëfyesi tani quhet Aneks i Implementimit të Marrëveshjes dhe teksti i tij, deri diku, është përsëritje e Marrëveshjes së shkurtit, Propozimit të BE-së – Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kemi zotimin e Borrellit se një marrëveshje është arritur, ndonëse nuk është nënshkruar. Nuk është marrëveshja e parë që nuk nënshkruhet.

Fakti që është arritur një marrëveshje dhe që është gjetur një gjuhë alternative për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS), një formë e vetëmenaxhimit, dhe më shumë theks është vënë mbi çështjen e të zhdukurve, është shenjë inkurajuese; shpalos njëfarë progresi. Kurti dhe Vučići u takuan, po flasin, ndonëse zyrtarisht. Mjerisht, kjo nuk pasqyron kurrsesi qasjen pozitive të cilën, pesë vite më parë, e shfaqën grekët e maqedonasit te Liqeni fqinj i Prespës.

Unë gjithnjë kam besuar se një udhërrëfyes nuk është dokument i domosdoshëm sepse historia dhjetëvjeçare e këtij procesi është e mbushur me dështime të përmbushjes së marrëveshjeve, afateve dhe madje edhe me zbrapsje nga marrëveshjet. Marrëveshja fillestare e Brukselit më 2013, Marrëveshja e Parë mbi Parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishinës, kishte një Plan Implementimi e afate që asnjëherë nuk janë zbatuar apo respektuar.

Një përkushtim tepër i rëndësishëm brenda marrëveshjes së shkurtit lidhet me pranimin se asnjëra palë nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në arenën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Veç tjerash, Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

E domosdoshme dhe kusht jetik i procesit është që palët të mbajnë fjalën e tyre, posaçërisht zotimet për të drejtën e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, për strukturën e vetëmenaxhimit për bashkësinë serbe në Kosovë, dhe për të zhdukurit.

Shkopi dhe karrota në gjithë këtë çështje janë proceset përkatëse për anëtarësim në BE dhe ndihma financiare që të dyja vendet do të marrin nga BE. Këto janë presionet e vetme të mundshme për të nxitur respektimin e marrëveshjes. Donacionet mund të mbeten pezull dhe progresi i anëtarësimit drejt BE-së mund të stagnojë nëse Kosova e Serbia nuk e respektojnë marrëveshjen. Është e vështirë të gjykohet se sa efekt mund të ketë ky kërcënim, veçanërisht kur procesi i anëtarësimit ka pak gjasa të mbarojë me ndonjë entuziazëm dhe në Ballkan ekziston një skepticizëm rreth sinqeritetit të BE-së sa i përket zgjerimit.

Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit kanë adresuar çështje të vështira. Pranimit të kësaj ujdie i kanë paraprirë muaj të tërë negociatash, duke përfshirë me SHBA-në. Është ditur se cilat janë pengesat, por edhe në çastin e fundit, dështimi për të vënë nënshkrimet në dokument siç duket ka qenë zhgënjim për Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Nuk ka qenë një ambient i këndshëm dhe mbase do të mbetet i vështirë, por të dyja palët kanë rënë dakord për tekstin. Ata kanë pronësi mbi të. Nuk kanë asnjë arsye to mos i zbatojnë marrëveshjet në mënyrë të shpejtë e të qëndrueshme, e as të tërhiqen prej tyre siç kemi parë në të kaluarën. Zbatimi i tyre i suksesshëm do të ishte një standard për të gjykuar nëse takimi i Ohrit ishte arritje. Është marrëveshje për popullin e Kosovës dhe të Serbisë, për sigurinë dhe prosperitetin e tyre, jo për elitat e tyre politike.