Afganët në Kosovë

Epilogun e tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Afganistani e pamë. Çka do të ndodhë kur të vijë dita që NATO të tërhiqet nga Kosova? E ajo ditë do të vijë – më tepër se 20 vite janë faktor i paqes në këto hapësira. A do të duhej të kenë frikë serbët pas asaj tërheqjeje, apo ndoshta shqiptarët apo bashkësia ndërkombëtare? A do të duhej të prisnim valë të reja refugjatësh në Kosovë kur të vijë ai moment? 

0
451

Situata e re e krijuar në Afganistan ka tronditur tërë botën. Ne mund të lexojmë, por edhe të shohim se çfarë ndodhi këto ditë në Kabul. Skena aspak të këndshme, vrasje, refugjatë dhe shumë tmerre tjera që lufta i sjell me vete. E pamë po ashtu që Amerika u vu në mbrojtje të një numri të caktuar njerëzish që ia dolën të shpëtojnë nga hakmarrja e talebanëve, dhe në baza ditore evakuojnë refugjatë nga aeroporti i Kabulit për në vende të shumta. Një nga ato vende është edhe Kosova ku shpëtim do të kërkojnë rreth 2000 refugjatë, siç transmetojnë mediat.  

Ajo që është interesante për mua si banor i Kosovës është që pikërisht Kosova ka pranuar refugjatë nga Afganistani, derisa njerëzit që janë zhvendosur nga Kosova më 1999 nuk i pranojnë ose vështirë i pranojnë që të kthehen në vatrat e tyre. Ata njerëz janë serbë, romë dhe pakica të tjera që kanë banuar në hapësirën e Kosovës. Ata njerëz janë të padëshirueshëm, për ta nuk garanton Amerika.

Konsideroj që Kosova, si protektorat amerikan, i ka pranuar refugjatët ashtu që të tregojë dëgjueshmëri. Derisa Vjosa Osmani, sikur arsyetim të planit të pranimit të refugjatëve afganë, theksoi “që askush nuk e di më mirë se çka do të thotë të jesh i dëbuar dhe të largohesh nga vendi ku je rritur, të jesh i ndarë nga më të dashurit, të jesh i detyruar që të ikësh për të shpëtuar jetën”. Këtu shtrohet pyetja nëse do të vepronte dhe do të fliste në të njëjtën mënyrë po të bëhej fjalë për refugjatët serbë? Është e vërtetë që edhe shqiptarët janë dëbuar gjatë luftës, por janë kryesisht serbët ata që janë të zhvendosur dhe që kryesisht nuk po kthehen në Kosovë. Si do të sillej Kosova nëse Amerika do të kërkonte që refugjatët serbë të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre? A do ta pranonin edhe atëherë me zemërgjerësi atë popull? Përgjigjja dihet mirë, standardet e dyfishta tregojnë se si janë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.   

Epilogun e tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Afganistani e pamë. Çka do të ndodhë kur të vijë dita që NATO të tërhiqet nga Kosova? E ajo ditë do të vijë – më tepër se 20 vite janë faktor i paqes në këto hapësira. A do të duhej të kenë frikë serbët pas asaj tërheqjeje, apo ndoshta shqiptarët apo bashkësia ndërkombëtare? A do të duhej të prisnim valë të reja refugjatësh në Kosovë kur të vijë ai moment? Zhvillimi i ngjarjeve në skenën gjeopolitike po përjeton turbulenca të mëdha, kështu që asgjë nuk është e pamundur. Unë do të doja që të mos vijë deri te valë dhune dhe refugjatë, por nuk guxon të na befasojë edhe një skenar i tillë. Kjo gjithsesi do të ishte shkatërruese për të dy popujt, të gjithë do të humbnin, përfshirë edhe ata që erdhën këtu për të qetësuar situatën dhe për të zgjidhur problemet tona. Duhet ndërmarr gjithçka që të mos vijë deri tek një situatë e tillë, çdo ekstremizëm i mundshëm duhet të shuhet me kohë.

Zemërgjerësi dhe ndihmë njerëzve që janë në vështirësi duhet t’u tregojnë të gjitha vendet, pa marrë parasysh fenë, ngjyrën e lëkurës, gjuhën, përkatësinë kombëtare. Vetëm një raport i tillë ndaj të gjithëve që kanë nevojë për ndihmë do të mund të na lartësojë dhe të krijojë vlera të reja në ne. Kosova e ka treguar veten në këtë rast, nuk ka rëndësi nëse ka qenë e detyruar apo jo. Shpresoj që edhe vendet e tjera do të ndjekin këtë shembull në mënyrë që t’i plotësojnë nevojat e njerëzve që kërkojnë një jetë të re.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.