Automjetet e djegura në Veri

Kushdo që ka ndryshuar targat KM dhe i ka marrë ato RKS është në shënjestër ose do të jetë në shënjestër. Është e qartë se në këtë mënyrë tregohet se integrimi i veriut në sistemin e Kosovës nuk do të jetë i lehtë. Më duket se Albin Kurti ka nxituar pak me vendimin për riregjistrimin e automjeteve, nuk ka shqyrtuar sa duhet nëse është e përshtatshme koha dhe zona në të cilën do të zbatohet kjo ide.

0
41

Si ndonjë çmenduri, pak kohë kalon e digjet ndonjë veturë në veri të Kosovës. Një ngjarje e tillë e fundit ndodhi në Leposaviq. Iu dogj automjeti personit që e riregjistroi automjetin e tij nga targat KM në ato RKS; ai ishte viktimë e një rebelimi që po paraqitet në veri të Kosovës. Mbase që të shërbejë si shembull dhe paralajmërim për shoferët e tjerë, që ta dinë se çfarë do të ndodhë nëse i ndërrojnë targat. Ky është automjeti i nëntë që digjet në veri që nga fillimi i këtij viti. Një ditë më parë, në të njëjtin vend është djegur edhe makina e një nëpunësi të policisë, dhe jo shumë kohë para kësaj ngjarje i është djegur makina një biznesmeni. Targat e tij ishin targa të Beogradit, kështu që nga ky rast mund të konstatohet se në shënjestër nuk janë vetëm personat që pranojnë targa RKS, por edhe të tjerë. Qartazi, në këtë mënyrë po qërohen disa hesape të parregulluara. 

Konfrontimi po zhvillohet brenda komunitetit serb – nuk është ky problem vetëm me institucionet e Prishtinës. Sido që të jetë, në veri makinat po digjen herë pas here dhe më duket se e gjithë kjo ka marrë hov dhe po bëhet diçka krejtësisht normale, por shumë shkatërruese. Kjo është një tabllo e trishtë që po e shohim kohëve të fundit dhe tashmë po bëhemi apatikë në gjëra të tilla. Derisa bota po përparon, ne po fundosemi në çdo aspekt. Ky është mbase realiteti ynë.

Kurti është qartazi i vendosur që ta mbajë fjalën dhe ta vendosë veriun e Kosovës nën kontrollin e tij. Këtë here përpjekja që t’ua ndalojë të gjithë pronarëve me targa KM (Mitrovica e Kosovës), në të cilat gjenden shenjat serbe, të qarkullojnë në veri. Personat që ngasin automjetet me këto targa sigurisht që janë të kufizuar, sepse atyre u ndalohet qarkullimi në pjesën tjetër të Kosovës. Edhe pse me të njëjtat targa njerëzit nga veriu mund të udhëtojnë kudo, lirisht, pa kurrfarë problemi, madje edhe në vendet që e kanë njohur Kosovën.

Në këtë mënyrë Kurti po krijon një rebelim tek njerëzve, dhe kështu lindin organizata që do t’i udhëheqin ato. Ato grupe të organizuara mund të krijojnë shumë probleme për autoritetet e Prishtinës në periudhën e ardhshme, por dhe për popullatën vendase, e cila nuk është besnike. Njerëzit nga veriu i Kosovës që pranojnë atë që kërkon Prishtina prej tyre, e që në të njëjtën kohë Beogradi nuk e ka miratuar, mund të gjenden në një situatë tejet të vështirë. Ata do të shenjohen si tradhtarë të popullit të tyre dhe do ta kenë të vështirë të jetojnë këtu, sepse këto janë mjedise mjaft të vogla. Veriu i Kosovës me sa duket është i vështirë për t’u zbutur, veçanërisht nëse këto përpjekje bëhen me forcë. Albin Kurti dhe paraardhësit e tij patën shumë më shumë sukses në tavolinë.

Kushdo që ka ndryshuar targat KM dhe i ka marrë ato RKS është në shënjestër ose do të jetë në shënjestër. Është e qartë se në këtë mënyrë tregohet se integrimi i veriut në sistemin e Kosovës nuk do të jetë i lehtë. Më duket se Albin Kurti ka nxituar pak me vendimin për riregjistrimin e  automjeteve, nuk ka shqyrtuar sa duhet nëse është e përshtatshme koha dhe zona në të cilën do të zbatohet kjo ide. Thjesht, nuk janë krijuar  kushtet dhe atmosfera për një gjë të tillë. Afati i fundit për ndërrimin e targave është fundi i tetorit dhe një numër i vogël i serbëve nga veriu i kanë riregjistruar veturat e preferuara të tyre, kështu që disave iu vu zjarri. Të gjithëve po u bëhet e qartë se çfarë do të ndodhë në qoftë se i riregjistrojnë automjetet e tyre. 

Këtu, automjetet digjen aq lehtë, hidhen bomba nëpër shtëpi dhe vihen zjarre, njerëzit frikësohen në mënyra të ndryshme, dhe jo, politika nuk është e vetmja arsye pse ndodhin incidente të tilla. Arsyeja shpesh mund të jenë paratë, d.m.th. kontrabanda. Ajo që duhet theksuar është se dënimi për shkelësit sikur nuk ekziston, mendoj se janë të paktë të arrestuarit që kanë marrë pjesë në këto incidente. Dhe pikërisht atëherë kur anarkizmi në veri filloi të pësojë rënie. Ka shumë të tillë që janë pro veprimeve radikale nga të dyja palët dhe kjo nuk është gjë e mirë. Kjo në fund mund të përfundojë fatalisht nëse nuk dëgjohen disa njerëz të cilët janë në favor të zgjidhjeve më paqësore.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.