Barrikada dhe tensione

Kjo periudhë e vitit është koha më e mirë për shitoret e Lagjes së Boshnjakëve, në Mitrovicë të veriut. Por këtë vit, lagjja, që rëndom gumëzhinë e mbushur me makina e blerës që vijnë që nga Novi Pazari në kërkim të çmimeve të leverdishme, është ndryshe. Ende janë të pranishme barrikadat në veri të qytetit ndërsa ndasitë brenda komuniteteve janë edhe më të thella.

0
1085

Të enjten e 8 dhjetorit, në orën 18, një veturë Golf 4, e kaltër si në të gjelbër, pa targa, hyri në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe po “lëvizte në mënyrë provokuese,” thanë dy dëshmitarë. Një pasagjer uli dritaren e terratisur dhe hodhi një mjet piroteknik të fuqishëm, të njohur edhe si shok-bombë. Nuk pati asnjë të lënduar, por dyqanxhinjtë shqiptarë kërkuan që policia nga jugu të vinin t’i mbronin – ata dhe dyqanet e tyre. Sipas disa punonjësve shqiptarë në këtë zonë, policia mbërriti rreth orës 23:00.

Policia shkoi vetëm te Lagjja e Boshnjakëve dhe nuk hyri në pjesën tjetër të qytetit. Ata patrulluan me grupe prej 10, 6 ose 12 vetash në rrugën kryesore të Lagjes së Boshnjakëve matanë urës nga Mitrovica e Jugut, kaluan kah ETC-ja, Emona City, dyqanet e mobilieve, dhe u vendosën në lagjen pranë dyqanit Topline poshtë rrugës nga kompleksi MTS – një operator telefonik dhe i internetit i Serbisë.

Interesimit të New Perspektivës për të konfirmuar rrëfimet e dëshmitarëve në Lagjen e Boshnjakëve, policia iu përgjigj me një deklaratë jo të qartë shtypi. Shumica e banorëve lokalë – të të gjitha grupeve etnike – nuk japin deklarata nga frika për sigurinë e tyre. Ata që biseduan me ne, folën me kusht që të mbeten anonim.

Kur mbërriti policia ranë sirenat paralajmëruese – njerëzve iu bë thirrje që të dilnin rrugëve dhe ashtu vepruan. Pati shumë meshkuj, pati persona me maska dhe persona të cilët njerëzit nuk i njihnin. Personat të cilët njerëzit nuk i njihnin u shfaqën fillimisht te Kodra e Minatorëve dhe në Mikronaselje, sipas disa banorëve lokalë.

Pastaj, ashtu siç nisi papritur, ashtu edhe mbaroi. Të gjithë u kthyen në shtëpitë e veta, por frika u hapërda gjithandej qytetit – situata ishte përshkallëzuar, por se sa ishte përshkallëzuar, këtë njerëzit ende nuk e dinin.

Persona të maskuar vazhdonin të bredhnin andejpari duke kërkuar telashe edhe mëngjesin e së premtes; ata sulmuan një grup gazetarësh të Kallxo.com-it, të cilët ishin në veturë.

Në ditët në vazhdim, një polic i Kosovës u sulmua në Zveçan dhe një shok-bombë u hodh kundër një patrulle të policisë së EULEX-it. Banorët lokal vendosën  barrikada për të bllokuar rrugën drejt kufirit. Edhe BE edhe SHBA kërkuan që “njerëzit të cilët i vendosën ato, t’I largojnë menjëherë.” Dejan Pantić, ish-polic pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua me akuzë për terrorizëm. Disa serbë kanë frikë se ekziston një listë individësh që Policia e Kosovës do t’i ketë në shënjestër..

Kjo periudhë e vitit është koha më e mirë për shitoret e Lagjes së Boshnjakëve. Por këtë vit, lagjja, që rëndom gumëzhinë e mbushur me makina e blerës që vijnë që nga Novi Pazari në kërkim të çmimeve të leverdishme, tashti është ndryshe. Të paktën një familje shqiptare është larguar nga Mitrovica e Veriut dhe ka vajtur të qëndrojë te të afërmit në Jug. Edhe serbët, sipas disa njoftimeve, nisën t’i largonin fëmijët nga Mitrovica. Zyra e Prokurorit të Kosovës është ende e hapur, por i ka lëshuar roletat. Edhe shkollat tani janë mbyllur për këtë vit.

Ndërkohë, sipas njoftimeve, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) patrullon me armë të gjata natën në veri. Kjo nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Por fotografi e postime me lavdërata e mburrje, me emra e shenja identifikuese janë shfaqur në portalet lokale shqiptare të lajmeve si Jepi.zë dhe Veriu.info, duke i shtuar kështu tensionet. Siç duket, nuk i ka shkuar mendja dikujt se kjo mund t’i rrezikojë pikërisht këta policë dhe ta ndezë situatën edhe më shumë.

Kur New Perspektiva e pyeti policinë se përse këto portale ishin lejuar të publikonin fotografi ku mund të identifikoheshin policët në veri, policia u përgjigj përmes një e-maili se “nuk ishte  kompetencë e tyre” për ta ndaluar këtë. Ata nuk konfirmuan nëse ROSU apo ndonjë tjetër njësi speciale e policisë ndodhej atje.

Në një intervistë televizive më 21 dhjetor për kallxo.com, drejtori i operacioneve të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, konfirmoi se policëve të Kosovës u ishte dhënë urdhëri që të mos bënin foto në veri e as të mos i publikonin ato në media sociale.  

Ndasitë mes komuniteteve janë thelluar edhe më shumë. “Tani e dimë se kush anon nga kush,” më tha njëri. Banorët e të dyja palëve po e mendojnë edhe bojkotimin; serbët bojkotimin e bizneseve shqiptare në Lagjen e Boshnjakëve, kurse shqiptarët bojkotimin e produkteve serbe.

Shumë shqiptarë pohojnë se, për dallim nga paraardhësit e tij, drejtpërdrejtshmëria e Kurtit dhe mosgatishmëria që të lëshojë pe në çështjet si Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (ASM), “na jep dinjitet,” siç tha një biznesmene shqiptare në Mitrovicën e Jugut.

“Unë jam dyzetetrevjeçar dhe kam kaluar nëpër shumë protesta, pastaj lufta dhe tani kjo,” tha një shqiptar, një mik i imi që punon në veri. “Duhet të mbarojë me serbët. Ata thjesht na shohin me përçmim.”

Shumë serbë të Kosovës ndihen ngjashëm. Milana Bulatović, 41-vjeçe, themeluese e galerisë  Akvarius, kafene dhe hapësirë për shfaqje – që tani është e mbyllur për shkak të situatës – në Mitrovicën Veriore, tha se është e lodhur që e gjithë jeta e saj të përthithet nga ky konflikt. “Mbas 22 viteve, kur do të mbarojë? Është thjeshtë politikë që i ndan njerëzit.” Duke iu referuar katalizatorit të kësaj përsëritjeje më të fundit, ajo tha: “Kujt i hyjnë në punë 3,000 targa të vjetra të veturave; shumica syresh janë t’vjetra për çfardo tjetër përveç për plehra! A ia vlejnë të humbësh njerëz, të humbësh paqen?”

“Komuniteti lokal minoritar ka shqetësime legjitime,” tha në një intervistë të fundit për Radio Evropa e Lirë, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Gabriel Escobar. Ai tha po ashtu se SHBA do të punojë me partnerë alternativë për Asociacionin e Komunave Serbe, duke shtuar se “një politikan nga një parti nuk mund të largohet nga ky detyrim.” 

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së, duke theksuar se pozita e saj për AKS-në nuk kishte ndryshuar, shtoi: “Ne mendojmë se është me rëndësi që qeveria e Kosovës t’u përgjigjet qytetarëve të vet. AKS është identifikuar nga bashkësia serbe e Kosovës i rëndësishëm për të garantuar se zërat e tyre dëgjohen dhe se të drejtat e tyre mbrohen tërësisht. Ne mezi presim që Qeveria e Kosovës të paraqesë në tavolinë ndonjë propozim.”

Dy javë nga e enjtja, njerëzit janë kthyer nëpër rrugë për të blerë gjëra nëpër dyqane e për të bërë muhabet. Moti është çuditërisht i ngrohtë dhe shiu është ndalur, kështu që fëmijët sorollaten duke luajtur në sheshin kryesor. Barrikadat ende janë të pranishme në veri të qytetit dhe protestat vazhdojnë; të hënën festuan Ditën e Shën Nikollës te barrikadat.

Ndërkohë, Lagjja e Boshnjakëve mbetet e qetë, me pak vetura e qytetarë.