BE-ja e sheh si vazhdim dhe jo si fillim të ri dialogun

0
350

Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij. Në pritje të takimit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, diku nga mesi i muajit qershor, zyrtarët e BE-së kanë thënë se “ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe do të vazhdojë me takimin e ri, në nivelin e lartë që do të zhvilloihet së shpejti”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut si një nisje e re, e jo si vazhdim i dialogut të deritashëm. Në BE, po ashtu kanë përsëritur thirrjet që të zbatohen marrëveshjet e arritura deri me tash në dialog.

“Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë, shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe vazhdon me takimin e nivelit të lartë së shpejti. Në kuadër të procesit që është në vazhdim e sipër, janë ndërruar qeveritë në të dyja anët, por përkushtimi ka mbetur. Të gjitha çështjet e diskutuara deri me tash dhe që do të diskutohen në të ardhmen në kuadër të dialogut, janë kyçe për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme, Peter Stano.

Ai ka shtuar se “Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, presin nga të dyja palët që të vazhdojnë përkushtimin e tyre për angazhim në këtë dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme”.

“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, presin nga autoritetet e reja në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë rastin që ta sjellin këtë proces deri te një përmbyllje e suksesshme”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Takimi i parë midis Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq do të mbahet në qershor.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të mërkurën se reagimi i Beogradit do të jetë “shumë i fuqishëm dhe i ashpër” sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Është në rregull të jesh i butë dhe të bësh kompromis. Por kur dikush të shtyn drejt një muri, kur sheh se dikush nuk dëshiron kompromis, duhet të tregosh mprehtësi dhe forcë,” ka thënë Vuçiq në një konferencë për media, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit nga Republika Sërpska.

Ai ka shtuar se kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin do të trajtojë si “çdo përfaqësues tjetër të institucioneve të përkohshme”.

Kurti, në anën tjetër, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se takimi në Bruksel “nuk është takim i vazhdimit te dialogut, por është takimi i parë që pritet ta kem me presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë”, pos në tryeza e konferenca.

“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.

I pyetur nga gazetarët një ditë më parë ( 1 qershor) për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

Ndërkohë në Beograd po qëndrojnë Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Palmer dhe Lajçak po vizitojnë Beogradin pas një vizite dyditore në Kosovë, ku u takuan me zyrtarë të lartë atje.

Me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komumave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Vuçiq insistion që Asociacioni të formohet.

(evropaelire.org, 03/06/2021)