Borrell insiston në themelimin e Asociacionit

0
164

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 7 dhjetor, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.

Në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.

Megjithatë, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që janë arritën në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

Borrell tha se është i vetëdijshëm që ka edhe marrëveshje të tjera të arritura, të cilat nukpo zbatohen, por marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është më e rëndësishmja.

“Tashmë kemi thënë që themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u arrit me pajtimin e palëve dhe presim të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Kjo çon drejt normalizimit të raporteve dhe këtë sot ia kam thënë edhe kryeministrit Kurti”, tha Borrell.

Kryeministri Kurti po ashtu tha se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në dialogun me Serbinë, me qëllim dhe përkushtim që të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme dhe të normalizohen raportet mes Prishtinës e Beogradit.

“Kam ardhur në Bruksel me e pa ftesa, disa herë. Për ne Brukseli është kryeqytet i rëndësishëm i progresit dhe zgjidhjes së çështjeve. Për Qeverinë tonë, ndryshe më demokratike e pro-evropiane që nga çlirimi, BE-ja është projekti më i rëndësishëm i paqes e prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Kurti.

Lidhur me vazhdimin e dialogut, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe siguri, Borrell tha se megjithatë nuk ka gatishmëri të palëve që të angazhohen në dialog.

“Viti ende nuk ka përfunduar dhe do të bëjmë gjithçka që të organizojmë këtë takim, nëse shohim se do të ketë gatishmëri. Por, nuk mund ta detyrojmë askënd”, tha Borrell.

I pyetur për deklaratat e tij të mëhershme që marrëveshja finale mes palëve është çështje muajsh e jo vitesh, Borrell tha se është në kërkim të zgjidhjes.

“Dua të inkurajoj të dyja palët që të vazhdojnë dialogun sepse tashmë ka zgjatur shumë vjet. Nëse ka vullnet, problemi mund të zgjidhet qysh nesër apo tre vjet më vonë”, tha shefi i diplomacisë së BE-së.

Kryeministri Kurti foli edhe për liberalizimin e vizave. Sipas tij, Kosova tashmë ka përmbushur 95 kushte që i janë kërkuar, por ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave.

Në Bruksel, të martën është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi kryeministri, Albin Kurti, kurse në atë të BE-së ishte shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.

(evropaelire.org, 07/12/2021)