Çfarë përmban projektligji për nxitjen e punësimit të banorëve të veriut?

Me qëllim të integrimit të pjesës veriore, Kuvendi i Kosovës ka inicuar kohë më parë hartimin e një ligji përmes të cilit do të stimulohet dhe përkrahet financiarisht punësimi i banorëve të komunave veriore të Kosovës. Ende nuk është definuar se kush do ta bëjë financimin e kompanive që do t’i punësojnë ata, përveç asaj se në ligj thuhet që kjo do të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe se një rol do ta ketë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

0
1246

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka iniciuar kohë më parë një ligj për punësimin e banorëve që jetojnë në veriun e populluar me shumicë serbe në komunën jugore të Mitrovicës. Përveç punësimit, janë paraparë edhe trajnime për të interesuarit ndërkaq kompanitë të cilët shprehin interesim për t’i punësuar qytetarët nga veriu, do të përkrahen financiarisht nga shteti. Mirëpo, ende nuk dihet se kush do ta bëjë financimin e këtyre kompanive, përveç asaj se në ligj thuhet që kjo do të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe se një rol do ta ketë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ata që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit thonë se ai nuk është i dedikuar vetëm për një komunitet, në këtë rast komunitetin shumicë serbe, porse do të inkurajohen edhe shqiptarët që të kthehen në komunat veriore të jetojnë, ndërsa të punojnë në jug të Mitrovicës.

Qëllimi i ligjit

“New Perspektiva” ka siguruar Projektligjin për Aftësimin, Riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore  të Kosovës. Në nenin e parë është trajtuar qëllimi i këtij ligji, për të cilin thuhet se është përkrahja ligjore dhe institucionale për aftësimin, riaftësimin, nxitjen dhe përgatitjen profesionale për punësim të përshtatshëm për personat e pjesëve veriore të Republikës së Kosovës.  “Qëllimi i këtij ligji është të zvogëlojë nivelin e papunësisë tek qytetarët e pjesëve veriore duke krijuar forma të ndryshme stimuluese për të ngritur punësimin e këtyre qytetarëve”, shkruan në ligj.  Ligji përcakton edhe kriteret e përzgjedhjes, vlerësimit, procedurave, shumës së subvencionimit dhe kohëzgjatjes së ndihmës për vendin e punës si edhe kushtet e mbikëqyrjes së procesit të zbatimit të kërkesave të punësimit të këtyre qytetarëve. Sa i përket përkufizimit të fushëveprimit për ligjin aty janë përfshirë dy Mitrovicat – Jugore dhe Veriore, si dhe komunat Albanik (Leposaviq), Zubin Potok dhe Zveçan.

“Aftësimi, riaftësimi është ndërmarrja e masave dhe aktiviteteve në mënyrë të organizuar nga institucionet përgjegjëse, dhe institucionet e tjera për riedukimin e personave me qëllim të mundësimit për gjetjen e një pune të përshtatshme dhe aftësimit për aktivitet të përditshëm të personit nga komunat veriore të Kosovës”, thuhet në nenin 2.1 të ligjit.  Aftësimi profesional konsiderohet proces themelor për ndërtimin, përmirësimin e kapaciteteve për të siguruar dhe mbajtur punën kualitative, për t’u avancuar nga një vend pune në një vend tjetër, dhe për ballafaqim me ndryshimet në teknologji dhe kushtet e tregut të punës, shkruan më tej në ligj. Aftësimi profesional realizohet nëpërmjet kurseve të ndryshme që organizohen nga Qendrat e Aftësimit Profesional, kryesisht për të papunët të përcaktuar me këtë ligj dhe nënkupton të gjitha aktivitetet që synojnë të sigurojnë njohuri dhe përvojë të re për aftësim të nevojshëm, për punë efikase brenda profesionit që e ka kryer edhe më parë, ose riaftësimit për një profesion të ri që mund ta bëjë me sukses.

“Qendra për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim” është Institucion me cilësi të personit juridik e cila merret me koordinimin, menaxhimin dhe administrimin e aftësimit, riaftësimit profesional dhe nxitjen e punësimit të personave nga veriu i Kosovës”. 

Subvencionimi

Për mënyrën e subvencionimit të vendit të punës, që nënkupton ndihmën direkte financiare të cilën bizneset e përfitojnë në shkëmbim të punësimit të një personi nga veriu i Kosovës flet neni 3 i këtij ligji. Sipas tij, shuma e subvencionimit të vendit të punës mund të arrijë deri në 50 përqind të pagës së të punësuarit të pjesës veriore, mirëpo kjo shumë e subvencionuar nuk do të tejkalojë shumën prej 300 euro për një vend pune. “Paga minimale e cila do të paguhet për të punësuarin nga pjesët veriore nuk do të jetë nën shumën prej 300 (treqind) euro në muaj”, shkruan në ligj. Sa i përket kohëzgjatjes, subvencionimi i një vendi të punës do të bëhet së paku një vit nga data e nënshkrimit të kontratës për subvencionim nga Buxheti i Republikës së Kosovës me operatorin përkatës ekonomik.

Në hartimine këtij ligji kanë punuar anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa të cilët bëjnë edhe vlerësimin e kostos financiare të ligjit. Megjithatë barra financiare nuk është definuar ende pasi ligji është në fazën e draftimit. Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Safete Hadërgjonaj flet për “New Perspektiva” për përfitimet që do t’i kenë banorët e komunave veriore, me miratimin e këtij ligji. 

“Siç dihet, Mitrovica është rajoni që ka më së shumti të papunë, është një regjion që për shkak të rrethanave ka ngecur në gjendjen ku është aktualisht. Pra ajo pjesë ka trashëguar një gjendje të vështirë që nga fillimi dhe rimëkëmbja është përcjellë me shumë vështirësi. Me këtë ligj synohet t’u jepet mundësi atyre që janë të papunë që të mund të punojnë nëpër ndërmarrje apo bizneset e ndryshme anembanë Kosovës”, thotë Hadërgjonaj. “Por do të ketë mundësi që t’u ndihmohet edhe këtyre ndërmarrjeve të cilat i punësojnë këta të papunë nga pjesët veriore me 150 euro, kurse ata kanë për obligim që të paguajnë pjesën tjetër të pagës”. Sipas Hadërgjonajt, qëllimi i ligjit është që të aftësohen dhe të riaftësohen të papunët e asaj ane dhe njëkohësisht të krijohet mundësi për punësim. “Përfitime do të ketë për të gjitha komunitetet e asaj pjese. Qëllimi është që krijohet më shumë lëvizshmëri nga ajo pjesë, të mos mbetet e izoluar dhe e mbyllur”, është shprehur ajo.

Sa i përket financimit të ligjit, Hadërgjonaj ka thënë se implementimi i këtij ligji do të bëhet përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. “Aty do të lajmërohen të gjitha bizneset që kanë nevojë për të punësuar njerëz. Ato biznese duhet të jenë të regjistruara. Po ashtu edhe të papunët  duhet të lajmërohen  në zyrat e punësimit në pjesën veriore dhe kjo është e rregulluar sipas ligjit”, ka thënë Hadërgjonaj. 

Në kohën kur kontaktuam me përfaqësuesë politik të komunitetit serb ata nuk ishin në dijeni për përmbajtjen e plotë të këtij ligji. Megjithatë, në parim, ata i kanë dhënë përkrahje një iniciative të tillë. Deputeti nga radhët e Listës Serbe, Nenad Rašić thotë se punësimi i të rinjve nga pjesa veriore duhet të jetë prioritet.

“Besoj se është ide e mirë, edhe pse nuk i di detajet. Duhet të shikohet se çfarë iniciative është dhe nëse mund të kyçem, besoj se do të japë kontribut  për të siguruar punët teknike. Si ide është me të vërtetë e qëlluar dhe shpresoj se do të mund të gjendet një model i cili do të aplikohej edhe në vendet tjera, jo vetëm për veriun, ku është e theksuar papunësia”, ka thënë Rašić për “New Perspektiva”. Rašić, i cili ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në periudhën 2008-2014 shpreson që kuvendi do të gjejë personat adekuat të cilët e dinë problematikën që të zhvillojnë programet e duhura për pjesën veriore. Sipas tij, edhe në të kaluarën ka pasur ide të tilla, por realizimi ka qenë i dobët. “Prandaj shumë me rëndësi është që kryeparlamentari fillimisht të përgatitë mirë terrenin ligjor, pastaj financiar dhe në fund të krijohet një ekip i mirë për zbatimin e ligjit”, ka deklaruar Rašić. 

Derisa partitë në pushtet dhe përfaqësuesë të komuniteteve e përkrahin iniciativën, ata të opozitës e shohin të panevojshëm miratimin e një ligji të tillë. Anëtarja e komisionit për Buxhet dhe Financa nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina ka thënë se iniciativa e zotit Veseli për një ligj të tillë jo vetëm që nuk ndihmon integrimin e qytetarëve të komunitetit serb që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës por përkundrazi është një iniciativë “diskriminuese”, e madje edhe “antikushtetuese”. “Është detyrë e qeverisë që të krijojë kushte dhe mundësi për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë etnike, që të kenë një vend pune”, thotë Pantina. Ajo ka shtuar se çfarëdo ligji apo iniciative që favorizon një grup të caktuar duke diskriminuar tjetrin është i padrejtë. “Lehtësi të tilla për punësim duhet të krijohen vetëm me qëllim krijimin e mundësive të barabarta për grupe të margjinalizuara (për shembull persona me aftësi të kufizuara)”, ka theksuar Pantina.

Meqë ligji është në fazën e iniciativës, përfaqësues të zyrës së kryeminsitrit dhe Ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale, nuk kanë pranuar të komentojnë.

Në mbledhjen e saj në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Kryesia e kuvendit ka shqyrtuar projektligjin. Pasi diskutoi procedimin e Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, të hartuar nga Grupi prej 25 deputetëve nënshkrues, kryesia vendosi të kërkojë nga Qeveria e Republikës së Kosovës të paraqesë mendim lidhur me Projektligjin si dhe të përgatisë Deklaratën e ndikimit buxhetor dhe Deklaratën për përafrim me legjislacionin e BE-së të këtij projektligji në afatin prej një muaji nga dita e pranimit.

E drejta për aftësim

Në draft ligjin e hartuar janë vendosur edhe kushtet të cilat duhet plotësuar i punësuari për të përfituar subvencionet. Një person për t’u kualifikuar dhe përfituar nga Buxheti i Republikës së Kosovës duhet të jetë lindur dhe me vendbanim në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Personi i cili përfiton subvencionimin do të duhet të dëshmojë vendbanimin me letërnjoftim përkatës si dhe me ekstrakte të lindjes. Këto aplikacione do të dorëzohen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht në zyrën e punësimit, ku edhe do të bëhet shqyrtimi i tyre.

Kritere janë vënë edhe për subjektet ekonomike të cilat dëshirojnë të përfitojnë subvencion. “Një subjekt ekonomik për t’u kualifikuar për përfitimin e subvencionimit të vendit të punës të një personi sipas kritereve të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji duhet të jetë një biznes funksional me aktivitet të ligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës, në komuna tjera përveç atyre veriore siç është e përcaktuar në nenin 2. paragrafi 1 të këtij ligji 1”, shkruan në nenin 6 të draft ligjit.  Subjekti ekonomik po ashtu duhet të dorëzojë aplikacionin për të punësuarin tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe kërkesat e kualifikimit për pozitën për të cilën është duke aplikuar për të cilën ka një pozitë vakante. Subjekti ekonomik do të duhet ta dorëzojë edhe një plan-biznes të shkurtër për të përshkruar nevojat reale për vende të reja të punës.

Personat nga veriu i Kosovës kanë të drejtë në aftësim, riaftësim profesional sipas kushteve të përgjithshme. Po ashtu ata kanë të drejtë të regjistrimit pranë agjencioneve të kualifikimit dhe aftësimit profesional.  Në nenin 7 të ligjit thuhet se këta persona duhet të pranojnë informimin, këshillimin profesional dhe vlerësimin e mundësisë profesionale; analizimin e tregut për punë, mundësitë për punësim dhe inkuadrimin në punë; vlerësimin e mundësisë për aftësimin, riaftësimin dhe hartimin e programeve për aftësim, riaftësim; aftësimin profesional, kualifikimin plotësues, rikualifikimin me programet e përsosjes dhe mirëmbajtjes së shkathtësive të punës dhe atyre sociale në periudhën derisa të punësohet; informimin dhe këshillimin me procese teknologjike gjatë aftësimit profesional për punësim.

“Aftësimin, riaftësimin profesional të personave nga veriu i Kosovës e organizon dhe e menaxhon Qendra për aftësimin, riaftësimin profesional të Kosovës. Aktivitetet e aftësimit, riaftësimit profesional realizohen në institucionet arsimore, zyrat e punësimit, qendrat e aftësimit profesional, dhe personat tjerë juridik, të cilët i plotësojnë kushtet për arsim dhe aftësim profesional, të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjet e tjera të aplikueshme”, shkruan në ligj.

Mungesa e perspektivës për të rinjtë

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka bërë përpjekje që të gjejë forma për integrimin e banorëve të veriut në jetën institucionale e biznesore të Kosovës. Qindra ish-pjesëtarë të strukturave paralele janë integruar në institucionet dhe agjencitë e Kosovës. Por, veriorët ende kanë ankesa për nivelin e lartë të papunësisë.

Që prej përfundimit të luftës, Mitrovica është përballur me mungesë të perspektivës, ku shpesh të rinjtë kanë shprehur dëshirën të ikin prej atje. Për vite të tëra, qyteti i Mitrovicës është i ndarë, i pasigurt dhe i politizuar skajshëm, duke bërë që problemet thelbësore të qytetarëve të mos adresohen. Në një edicion të rubrikës së përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë kanë folur për vështirësitë që të gjejnë një vend pune. Shumica e tyre, studentë dhe nxënës, thonë se edhe pas përfundimit të studimeve, e kanë të vështirë të gjejnë punë. Ndonëse jetojnë në anën veriore të Mitrovicës, të rinjtë serbë kanë të njëjtat probleme lidhur me perspektivën, ngjashëm sikurse të rinjtë shqiptarë në jug të qytetit. Danilo Jovanović, student në Fakultetin e Edukimit në Universitetin serb të Mitrovicës, thotë se të rinjtë serbë nuk shohin ndonjë perspektivë në këtë qytet.

“Nuk është ndonjë perspektivë e madhe ashtu siç është në vendet tjera të zhvilluara. Do të shoh që të gjej punë në profesionin tim. Pastaj, të shohim çfarë do të ndodhë. Sipas rrugës së natyrshme”, shprehet Danilo. Të dobët e vlerëson perspektivën në këtë qytet edhe Jelena Rudić, po ashtu studente në Universitetin serb në Mitrovicë: “Perspektivën, në përgjithësi, e kam të dobët nga kjo që e shoh dhe e vlerësoj. Mendoj se nuk do të qëndroj shumë gjatë këtu. Të shoh se si do të shkojë puna. Nëse më pëlqen, do të mbetem, nëse jo, me siguri se do të shkoj në Beograd”. Veljko Marković thotë se në Mitrovicën e veriut ka mjaft të rinj që kanë përfunduar studimet dhe që nuk kanë arritur të gjejnë punë sipas përgatitjes profesionale që kanë. “Ka mjaft të rinj këtu që i kanë përfunduar fakultetet dhe tash punojnë nëpër dyqane dhe kështu ngjashëm. Pas fakultetit, do të përpiqem të gjej punë këtu, por nëse nuk gjej, atëherë do të shkoj në Serbi”, thekson Veljko.

Të rinjtë e komunës së Mitrovicës Veriore dhe asaj Jugore, thonë se tash për tash, edhe aktivitetet kulturore, sportive dhe të tjera, që janë të dedikuara për të rinj, janë të pakta në këtë qytet dhe të rinjtë të shumtën e kalojnë kohën e lirë nëpër kafeteri. Besnik Hoti nga komuna jugore e Mitrovicës, student në Fakultetin për Studime të Sigurisë në Prishtinë, thotë se perspektiva për të rinjtë e Mitrovicës është e zymtë, kur kihet parasysh që në këtë qytet, sipas tij, gjithçka është e politizuar. “Situata politike, situata e sigurisë ka ndikuar shumë që Mitrovica të jetë një qytet pak më i zymtë, të mos kemi shumë perspektivë ne të rinjtë. Nivel i lartë i papunësisë në Mitrovicë, të rinjtë janë pa punë. Nuk kanë mundësi që pas përfundimit të studimeve të punësohen në ndonjë institucion, organizatë apo kompani. Fatkeqësisht, ndoshta do të duhet të marrim rrugët e mërgimit”, thotë Besniku.