Çfarë po ndodh me Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit?

“Të hyrat vjetore të fondit mbesin relativisht të qëndrueshme në vitet e fundit, ndonëse vihet re se janë më të ulta se në vitet e para të funksionimit të këtij fondi”, thotë Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

0
62

Në fund të vitit kaluar, Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit (FZHM) kishte pak më shumë se €2.5 milion në dispozicion për rimbursim të projekteve të reja. 

“Të hyrat vjetore të fondit mbesin relativisht të qëndrueshme në vitet e fundit, ndonëse vihet re se janë më të ulta se në vitet e para të funksionimit të këtij fondi”, thanë për New Perspektivën nga zyra e BE-së, rreth gjendjes financiare të Fondit. 

Në bazë të marreveshjes së arritur në mes të Kosovës e Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE, një pjesë e të hyrave nga pikat doganore Jarinjë dhe Bërnjak të kufirit Kosovë – Serbi ndahet për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit. Më saktësisht, të hyrat doganore që mblidhen mbi mallrat të cilat janë të destinuara për t’u përdorur në katër komunat në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. 

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, është arritur rekord i ri në të hyrat doganore – për herë të parë ka kaluar €500 milionë euro të hyra në këtë periudhë të vitit. 

Interesimit të New Perspektivës dhe pyetjeve, rreth zhvillimeve më të reja lidhur me FZHM-në, drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), si dhe përfaqësueses serbe në bordin menaxhues të këtij fondi, Vanja Kovačević, nuk u janë përgjigjur asnjëra palë për më se gjashtë muaj. Por, në fillim të këtij muaji, në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “Fondi Zhvilimor për Veriun e Kosovës është një marrëveshje e vjetër. Edhe është grumbulluar ai fond me mjete por vetëm sa i ka bërë dëm Kosovës, sepse unitariteti i Republikës sonë është cenuar e në anën tjetër nuk është që ia kanë parë hairin as ata për të cilët thuhet që është sajuar”.

Po çfarë po ndodh me këtë Fond?

Gjetjet në raportin e fundit të auditimit të FZHM-së të vitit 2020 nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës, në masë të madhe flasin për disa nga rekomandimet e raportit të auditimit të FZHM-së të prezantuar qysh në vitin 2017, e të cilat deri në 2020, nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht. 

Dy nga katër rekomandime të raportit të auditimit të FZHM-së, të vitit 2017, të cilat nuk janë zbatuar, bëjnë fjalë për moskrijimin e grupit punues nga vet Bordi menaxhues, për monitorim të rezultateve mbi ecurin e projekteve dhe kohën e realizimit. 

Bordi, në vend se ta themelojë vet grupin punues, e lë themelimin e tij në përgjegjësi të komunave veriore, e këto të fundit kërkojnë që ekipi të jetë 12 anëtarësh, dhe financim afër €56,000. Bordi ua miraton €27,000, dhe ia alokon komunës së Zubin Potokut, duke e bërë përgjegjëse për themelimin e këtij ekipi. Por komuna e Zubin Potokut, sipas raportit auditues të fundit, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për themelimin e ekipit. Kështu, monitorimi i mbarëvajtjes së projekteve nga komunat nuk është realizuar, duke bërë pastaj që Bordi, në mungesë të informacionit të mos e zbatojë obligimin që del nga marrëveshja e Brukselit, sipas të cilës Bordi është i obliguar t’i sigurojë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) raporte mujore të shpenzimeve nga Fondi. 

Raportohet gjithashtu se mbledhjet e rralla të Bordit janë ndër faktorët për zvarritjen e zbatimit të projekteve. 

Në zyrën e BE-së thonë se as gjatë vitit 2021, Bordi menaxhues i Fondit nuk është takuar, por, sipas tyre, kanë kryer punë të rëndësishme në adresimin e rekomandimeve të raportit të dytë të auditimit të FZHM-së, i publikuar në janar 2020. 

“Bordi menaxhues i FZHM-së nuk ka mbajtur asnjë takim deri tani gjatë këtij viti”, thonë nga Zyra e BE-së për pesë muajt e parë të vitit 2022.  

Rekomandim tjetër i pazbatuar është se shumica e projekteve të miratuara gjatë viteve 2017-2018, e të financuara nga Fondi, nuk u janë nënshtruar debateve publike për konsultim paraprak me qytetarët.

Lista e projekteve të financuara deri më sot kap shumën prej €14.5 milionë eurosh, dhe përfshin projekte si ndërtimi i Qendrës së kulturës në Mitrovicë të Veriut, riparimi dhe zgjerimi i rrjetit të ujërave të zeza në Zveçan, qendra për sporte ujore në Liqenin e Ujmanit, mbështetje për biznese start up dhe zhvillim të bujqësisë, riparim të rrugëve etj.

Sipas vlerësimeve të raportit të auditimit të FZHM-së, të vitit 2020, komunave u rekomandohet që për secilin projekt të caktohet një zyrtar përgjegjës, kërkesat për financim të projekteve të jenë të plota, si dhe t’i vënë në dispozicion të qytetarëve projektet e realizuara, por që ende nuk janë funksionalizuar.     

Ndërsa, për zbatim të projekteve në mënyrë efikase dhe efektive, Bordit i rekomandohet që të sigurohet që kërkesat për financim të projekteve, të cilat i pranon nga komunat, të jenë të plota në të gjitha aspektet, dhe vetëm si të tilla t’i miratojë ato; dhe, vendimet për financim të projekteve të reja t’i bazojë në rezultatet e projekteve të financuara paraprakisht, në performancen e komunave.