Çfarë thonë media për dialogun dhe normalizimin?

0
1360

Korriku u karakterizua nga mbulimi i gjerë që iu bë deklaratave të presidentit Thaçi dhe homologut të tij, Vučić, të cilat paralajmëronin një fazë të re dialogu që do të ishte kyçe për ta zgjidhur nyjën rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto deklarata, në fakt, ishin veç inicuese, përderisa mediat gjatë tërë muajit shërbyen si platformë për shkëmbim idesh se çka do të sillte kjo fazë e re e dialogut.

Dialogu i Thaçit

Mediat e nisën muajin me raportimet rreth takimit në Bruksel të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vučić.

Portali Koha.net raportoi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ishte e shqetësuar “me përpjekjen e Thaçit për ta marrë në dorë dialogun me Serbinë”. Nga an e saj, Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është e mendimit se i takonte Kuvendit të Kosovës, pas konstituimit të tij, të përcaktojë se cili do të jetë niveli politik i përfaqësimit në dialogun me Serbinë ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër dialogut përbrenda kornizës aktuale. Këta dy artikuj u ripublikuan nga më shumë se gjysma e mediave të monitoruara.

Pati edhe njoftime sipas të cilave presidenti kosovar paralajmëronte proces “jo populist që sjellë duartrokitje, por në të mirën e popullit” duke e shenjuar kështu këtë takim si të parin në “fazën e re për pajtim mes popujve tanë”. Kjo intervistë e dhënë Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ku, ndër tjerash, u transmetua edhe kërkesa e Thaçit për unitet të institucioneve të Kosovës, spektrit politik dhe shoqërisë civile në këtë proces u publikua nga të gjitha mediet e monitoruara me ndryshime jo përmbajtësore. Koha Ditore me 4 korrik në artikullin e saj kryesor në ballinë “Thaçi shfrytëzon dialogun për t’u faktorizuar” e quajti këtë fazë të re të dialogut si vazhdimësi e “dialogut të Thaçit”, duke raportuar se “partitë politike kanë akuzuar Thaçin se po e shfrytëzon zbrazëtirën institucionale për promovimin e vetes, duke shkuar ‘krye në veti’ në Bruksel për t’u takuar me Vučićin.”.

Mbulim të gjerë patën edhe intervistat që presidenti Thaçi i dha së pari televizionit ABC News dhe më pas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug ku paralajmëronte “marrëveshje historike me Serbinë”.

Në Kosovë “është shprehur qëndrimi se dialogu me Serbinë duhet të nisë nga njohja e ndërsjellë, por është shprehur ‘gatishmëri’ edhe për autonomi ndaj veriut,” shkruan Koha Ditore e 5 korrikut. Kjo, sipas gazetës, ka ardhur si reflektim ndaj qëndrimit të kryeministres së re të Serbisë, Ana Brnabić, e cila gjatë një interviste në agjencinë amerikane të lajmeve “Bloomberg” kishte deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën varet krejtësisht nga ajo se çfarë do të ndodhë me serbët në pjesën veriore të vendit, e për të cilët ajo ka kërkuar autonomi. Në po këtë numër të gazetës, publicisti, Veton Surroi, sugjeron se si hap i parë për të dalë nga rrethi vicioz i negociatave pa parim, faza e re e dialogut duhet të jetë “pa Hashim Thaçin dhe mungesën e tij të parimeve”. Surroi shton se “meqë nuk e kanë të ndërtuar as parimin e konsensusit kosovar, çfarëdo marrëveshje që arrihet në Bruksel nuk është vetëm e dëmshme për Kosovën, por është madje edhe e pazbatueshme.”

Në anën tjetër, përpos vëmendjes së madhe që iu kushtua presidentit Thaçi në gjysmën e parë të korrikut, pati njoftime edhe për dështimin e Kosovës që t’i kthejë librat kadastralë nga Serbia “për faj të Kosovës, e cila ka dështuar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke mos i kryer obligimet të cilat i takojnë.” (Kohavision), dhe për mungesën e buxhetit si arsye për zvarritjen e marrëveshjes për reciprocitet me targat. (RTK) Ndërkaq, REL njoftoi se si serbët e veriut kanë shtuar interesimin për pajisje me dokumente të Kosovës, ku sipas një zyrtari nga njësia e regjistrit civil e Komunës së Mitrovicës së Veriut “çdo ditë janë rreth 10 qytetarë që dorëzojnë kërkesat për certifikata nga librat amzë dhe për shtetësinë.”

Dialogu i Vučić-it

Vëmendja e mediave u zhvendos nga presidenti Thaçi te homologu i tij Vučić menjëherë pas dhjetë ditëshit të parë të korrikut. Mediat në Kosovë përcollën një njoftim të gazetës Novosti që citonte një intervistë të presidentit serb dhënë Happy TV-së ku ai për herë të parë po shfaqte ndryshime në qasjen e tij kundrejt Kosovës duke thënë se “është mirë të kemi mite, që të mendojmë mirë për Serbinë, por duhet të jetojmë për fëmijët tanë dhe se duhet të shikojmë nga e ardhmja,” duke shprehur kështu nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje reale dhe racionale për çështjen e Kosovës. Këtu edhe zuri fill vazhda e raportimeve për “dialogun e brendshëm serb për Kosovën”, për të cilin kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, kishte thënë për televizionin serb B92 se “nuk do ta ketë rezultat njohjen e pavarësisë së Kosovës” por arritjen e një konsensusi për modelin e ri të dialogut me Kosovën në situatën aktuale. Në këtë linjë, u raportua edhe për përfshirjen e kishës dhe akademisë serbe në këtë dialog të brendshëm.

Ndërkohë, u përcollën edhe deklaratat e nënkryetarit të parë të qeverisë serbe, Ivica Dačić, dhënë FoNet-it serb për rëndësinë e dialogut të brendshëm serb në gjetjen e një zgjidhjeje “të drejtë për çështjen e Kosovës e cila duhet të bazohet në respektimin e interesave për të gjithë popujt që jetojnë atje”, e konsensusi për të cilën, sipas Dačićit, është vështirë të arrihet.

Raportimet e mediave rreth këtij dialogu ndërserb u shpeshtuan me shkrimin autorial të presidentit Vučić të publikuar në gazetën serbe Blic, “Përse na duhet dialogu i brendshëm për Kosovën?”. Kjo kolumne u ripublikua e plotë ose pjesërisht në të gjitha mediet e monitoruara. Menjëherë pas kësaj, u raportua për një tjetër intervistë të presidentit serb dhënë televizionit serb Pink, ku Vučić insistonte sërish se “duhet të jemi realë, racionalë dhe seriozë. I pyes njerëzit, për shembull, si do të kemi qeverisje serbe në Malishevë apo Shtime? Më së shumti duam që ta gënjejmë veten.” Në këtë linjë, u përcoll edhe deklarata e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhënë BIRN-it, në të cilën thuhej se nëse një politikë e tillë, siç është deklaruar nga presidenti serb është e vërtetë, do të ishte një kthesë e mirëseardhur.

Në përgjithësi, të gjitha raportimet lidhur me qasjen e re të deklaruar të Vučićit kundrejt Kosovës vazhduan me transmetimin e reagimeve të figurave publike politike kosovare e serbe. Ndërkaq, në fund të korrikut mediat njoftuan për deklaratën e Ivica Dačić-it për “caktimin e ri të kufijve me Kosovën në mes serbëve dhe shqiptarëve” për arsye se, sipas tij, as njëra palë e as tjetra nuk do ta pranon pushtetin e tjetrës palë. Në këtë linjë, u publikua një hulumtim i gazetës serbe Novosti rreth modeleve që Serbia i konsideronte gjatë dekadave të shkuara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në anën tjetër, përveç fokusit në rolin e Thaçit në dialog dhe deklaratën e Vučićit, mediat raportuan edhe rreth raportit që Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i dorëzoi BE-së për gjendjen e (mos)zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë. Më tutje, në fokus u vendos edhe çështja e të pagjeturve duke e theksuar nevojën që kjo çështje të bisedohet në Bruksel. Së fundmi u raportua për borxhin e akumuluar të serbëve të Mitrovicës Veriore për shërbime të ujit dhe nisjen e ndërtimit të shtëpive në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe si këto të dyja shfaqnin “padrejtësitë ndaj shqiptarëve”.