Çmenduria e trurit

Zgjedhjet presidenciale amerikane, ai cirk, më së gjati na e ka mbajtur vëmendjen tonë këtë vit, mbase për shkak të vetë procedurës, por në fund edhe na ka shokuar më së shumti. Nuk është se ai proces gjatë tërë rrjedhës së tij nuk ka qenë shokues, por kulminacioni megjithatë ndodhi në fund. Njerëzit zgjidhnin midis dy kandidatëve të këqij dhe e zgjodhën, shumëkush do të thoshte, prapëseprapë kandidatin më të keq. A është kështu?

0
1121

Viti 2016 ishte tejet i trazuar dhe ndodhën shumë gjëra për të cilat do të flitet, por edhe po vazhdojnë të ndodhin. Po ndodhin dhe nuk po u shihet fundi. Duket sikur bota është në kaos, po ndodhin ndryshime tektonike në planin ndërkombëtar, një luftë për epërsi në botë është duke ndodhur me të madhe. Por, një ngjarje e cila mund të ketë ndikim të madh në atë se si do të përfundojnë këto lojëra na ka argëtuar posaçërisht këtë vit. Zgjedhjet presidenciale amerikane, ai cirk, më së gjati na e ka mbajtur vëmendjen tonë këtë vit, mbase për shkak të vetë procedurës, por në fund edhe na ka shokuar më së shumti. Nuk është se ai proces gjatë tërë rrjedhës së tij nuk ka qenë shokues, por kulminacioni megjithatë ndodhi në fund. Njerëzit zgjidhnin midis dy kandidatëve të këqij dhe e zgjodhën, shumëkush do të thoshte, prapëseprapë kandidatin më të keq. A është kështu?

Nëse i pyesni njerëzit në Ballkan, të cilët në veçanti i argëtoi ky cirk, një gjë është e sigurtë – nuk do të merrni një përgjigjje unike. Në fund të fundit, kur ka qenë diçka tek ne unike. Në Sarajevë, në kulmin e fushatës parazgjedhore në Amerikë, kemi pasur një tubim në mbështetje të Hilari Klintonit?! Po, në Sarajevë! Pse? Si mundet kushdo nga Sarajeva të ndikojë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, do të pyesnit ju? Paj nuk mundet! As organizatorët e atij tubimi nuk do të mund t’ua shpjegonin esencën e atij tubimi. Por nuk përfundojnë këtu gjërat bizare, mos u mashtroni. Kur mori vesh për këtë ngjarje në Sarajevë, një djaloshi nga Sarajeva lindore, duke luajtur lojëra kompjuteri në dhomën e tij, i ra ndërmend që si në shaka të bëjë një “Event” në Facebook dhe të ftojë njerëz në një tubim mbështetjeje për Trampin. E këtu pason kulminacioni i përçudnimit (të paktën sa i përket fushatës parazgjedhore, për fushatën pas zgjedhjeve pak më vonë). Në fakt, disa media lokale e transmetuan këtë informatë dhe shih çudinë, në tubim u mblodhën dhjetëra njerëz, kryesisht pensionistë. Po, erdhën njerëz të mbështesin Trampin kundër Hilarisë „së ligë“. Paj erdhën njerëzit që t’ua shprehnin inatin sarajevasve. Dhe kështu, ndodhi siç ndodhi, Hilari, edhe përkundër mbështetjes së boshnjakëve, i humbi zgjedhjet; Trampi edhe pa mbështetjen e serbëve do t’i kishte fituar zgjedhjet. Por, ne i thamë qëndrimet tona.

Uh, më në fund fundi i zgjedhjeve, më në fund do ta pushojmë trurin… Jo, thanë udhëheqësit e komunave në veri të KeM dhe vendosën billbordet që uronin Trampin me një anglishte me gabime gramatikore. Ha, le të plasë Klintoni nga zilia! Edhe shqiptarët matanë lumit, duan ta mbështesin Klintonin ata, duan t’i ngrenë përmendore në Prishtinë, t’i emërojnë rrugët me emrin e tij, ha! Aaa, jo, po nuk ishte ai? Hm… Paj nuk ka lidhje! Është Klinton! Nëse pyesni se kush janë ata njerëz që i vendosën billbordet, ata janë, sipas të gjitha gjasave të njëjtit persona që e nënshkruan peticionin dhe ia dërguan Kremlinit që të gjithë serbët nga veriu i KeM të marrin shtetësinë ruse dhe që “nëna Rusi” të na marrë në mbrojtje. Sepse vëllai ynë Putini na do. E dihet mirë që Putini e do edhe Trampin, çka do të thotë që Trampi do të na e kthejë Kosovën! Përpara Tramp!

Në fund, nëse kushdo ka arritur deri në fund të këtij teksti me ndërgjegjje të pastër dhe mendje të shëndoshë, Donald Trampi (kryetari i sapozgjedhur i SHBA-së) gjatë fushatës së tij presidenciale asnjëherë nuk është marrë me këtë hapësirë e as që do të merret nëse kihet parasysh se çfarë sfidash do të ketë qysh në fillim të mandatit të tij si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm. Serbia, Kosova (KeM), Bosnja dhe Hercegovina… me këto sigurisht merret niveli i mesëm apo i ulët i administratës së cilitdo president amerikan që nga Bushi e tutje. Dhe jo, asgjë nuk do të ndryshojë në raportin e Amerikës ndaj Kosovës, është investuar tepër shumë në pavarësinë e Kosovës që tani të ndryshojë çkadoqoftë. As nuk do të jetë më mirë për ne serbët që Trampi ka fituar, as që do të kishte qenë më mirë për shqiptarët sikur të fitonte Hilari. Sido që të jetë, Ambasadori i SHBA-së është figura më e fuqishme në Kosovë, apo jo?

E liderët tanë politik të mençur… çka t’ju them për ta?