Ç’normalizim?

Një mik që vizitoi para një muaji Kosovën, duke më folur për përshtypjet e tij për vendin, kulturën e raportin e shqiptarëve me serbët në dukje të parë, përmendi kalimthi edhe tabelat e komunikacionit për vendet, sidomos ato që shënojnë hyrjen në qytetet e vogla dhe fshatrat.

0
1628

Një mik që vizitoi para një muaji Kosovën, duke më folur për përshtypjet e tij për vendin, kulturën e raportin e shqiptarëve me serbët në dukje të parë, përmendi kalimthi edhe tabelat e komunikacionit për vendet, sidomos ato që shënojnë hyrjen në qytetet e vogla dhe fshatrat.

Pothuajse në të gjitha tabelat versioni serbisht i emrave të vendbanimeve në Kosovë është i fshirë/shkarraviturme ngjyrë të zezë. E kam vërejtur të njëjtën gjë kur kam udhëtuar për në vendlindje nga Prishtina. Janë 40 km rrugë, dhe përgjatë saj secila tabelë ka qenë njëjtë e fshirë. Kur kam parë këtë më janë kujtuar dy gjëra: njëra, se si ndoshta me këtë shqiptarët ngushëllojnë mendimet për të kaluarën dhe tentojnë ta përjashtojnë atë nga përditshmëria e tyre, dhe tjetra se si serbët e Kosovës me siguri e konsiderojnë si një prej diskriminimeve që sipas tyre u bëhen shpesh këtu e që i përmendin sa herë pyeten për jetesën e tyre në Kosovë.

E pastaj kam menduar që serbët e Kosovës as s’mund t’i vërejnë shpesh këto tabela. Sepse të vetmet raste kur kam parë ndonjë serb që jeton këtu kanë qenë vetëm në Graçanicë, vendbanim me popullsi shumicë serbe, ose ndonjë qytet tjetër të banuar me serbë. Ose në paraqitjet e tyre në televizion, e që zakonisht janë deklarata në ditën e zgjedhjeve për të treguar nëse kanë votuar ose jo. Kaq është kontakti mes një të riu shqiptar dhe një të riu serb të zakonshëm në Kosovë. Por, të dëgjosh diskutimet që bëhen për ta në vend është diçka e përditshme. Edicionet e lajmeve në vend, politika qendrore, bisedimet e Brukselit, marrëveshjet e arritura mes palës kosovare dhe asaj serbe e si rrjedhojë edhe protestat dhe hallakama në Kosovë, kanë të bëjnë me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Deklarativisht, qëllimi i dialogut që po ndodh mes Kosovës e Serbisë ka për qëllim integrimin e serbëve të Kosovës në shoqërinë tonë dhe normalizimin e marrëdhënieve të cilat janë historikisht të acaruara. Por, rezultatet që një qytetar mund të vërejë nga këto përmendje të përditshme të këtyre çështjeve pra, janë vetëm aq, përmendje të përditshme. Nëse qëllimi qenka integrimi, komunikimi e përfshirja e këtij komuniteti në shoqëri atëherë kjo duhet të ndodhë mes njerëzve, mes qytetarëve të këtij vendi, e në këtë rast mes komunitetit shqiptar dhe atij serb. Planet “e mëdha” politike, zgjidhjet politike mes politikbërësve “të mëdhenj”, pse duhet t’u interesojnë qytetarëve si puna ime? Ato tingëllojnë si të largëta, bile ngjajnë në vendime që s’më prekin mua, e që nuk më takon të mbaj përgjegjësi ndaj atyre vendimeve. Për më tepër prej pas nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe nga pala kosovare në Bruksel, distanca mes këtyre dy komuniteteve është thelluar edhe më shumë. Tërë këto zhvillime nuk më shumë ngjajnë në normalizim. Ç’normalizim?

E mbaj mend mirë, në fillore na patën mësuar disa psikologë dhe edukatorë në një trajnim se si zgjidhja e çdo konflikti është gjetja e problemit bazë, pra nxitësin e telasheve. E në këtë rast a s’qenka problemi me integrimin e një komuniteti brenda një komuniteti shumicë? E pra a nuk po u dashka që puna, komunikimi dhe tendenca për zgjidhje të bëhet me ta, me njerëzit, me popullin? Po ashtu punë nuk është bërë as me komunitetin shumicë; ata nuk janë të përgatitur që të pranojnë serbët si pjesë e ditëve të tyre, vendit ku studiojnë, punojnë e frymojnë. Nuk mund të konsiderohet përparim, zbutje e as përafrim nëse serbët e Kosovës përmenden në televizion vetëm në raste protestash për vizitën e dikujt që ata s’e kanë në qejf, apo kur tregojnë se nuk i njohin zgjedhjet e organizuara nga Republika e Kosovës, apo disi në rastet kur ata janë element kushtëzues në ndonjë marrëveshje të madhe në Bruksel.

Integrimi duhet të mendohet edhe në aspektin kulturor. Dy popullsi të ngjashme kulturalisht mund më lehtë të kuptohen edhe në aspekte tjera, qoftë edhe në atë politik. Universitetet, shkollat, insitucionet kulturore si teatrot e galeritë, madje edhe kafenetë janë ato që mbajnë të lidhur njerëzit brenda një shoqërie. Madje edhe gjuha mund t’i kontribuojë eliminimit të këtij shqetësimi që ekziston prej pasluftës. Serbët e vendit mund lehtë të mësojnë komunikimin në gjuhën shqipe, qoftë përmes mediave, qoftë përmes komunikimit me shqiptarë që jetojnë në qytetet e tyre. Por kjo s’është aq e thjeshtë për shqiptarët. Gjeneratat më në moshë e njohin gjuhën serbe, por të rinjtë vështirë që mund të gjejnë ndonjë kurs për gjuhën serbe. Edhe po të ekzistojnë, me siguri do të ishte e vështirë që dikush t’i ndiqte për shkak se gjuha serbe u ngjallë kujtime që lidhen me historinë jo aq të largët mes dy popujve dhe si e tillë u duket e papranueshme, e panevojshme.

Prandaj, politikat e mëdha duhet të nisin me iniciativa të vogla, që lidhen drejtpërsëdrejti me njerëz të zakonshëm, që janë shtetas të Republikës së Kosovës.