Derisa të tjerët protestojnë, ne festojmë

Derisa i përmbledhim përshtypjet dhe derisa Serbia proteston e ne festojmë fitoren, ngelim edhe më tej në të njëjtin vend. Midis të gjithëve, të askujt dhe të gjithëkujt. Na mbetet që të shpresojmë se kjo vetëm po i ngjan të nëntëdhjetave dhe që assesi nuk është “çdo gjë njësoj vetëm ai po mungon.” Na mbetet të shpresojmë në ndonjë përparim dhe shmangie të konflikteve që në fillim të vitit duket se ishin “në modë.” Na mbetet që, ashtu si edhe deri më tani, të shpresojmë në një jetë më të mirë edhepse të gjithë thonë se tek ne nuk do të ndryshojë asgjë.

0
1135

Më dy prill 2017 në Serbi u mbajtën zgjedhjet për president të Republikës. Më shumë se gjashtë milionë e gjysëm qytetarë vendosën për atë se kush do të jetë në krye të shtetit gjatë pesë viteve të ardhshme. Është pritur shumë nga këto zgjedhje. Para së gjithash, pritej rrethi i dytë. Më shumë se 20 vite askush në Serbi nuk ka fituar në rrethin e parë. Disi më duket se përkundër dominimit të Partisë Përparimtare Serbe (Srpska napredna stranka, SNS), prapëseprapë pritej një skenar i tillë edhe në këto zgjedhje. Megjithatë, presidenti i njëmbëdhjetë me radhë që nga futja e sistemit shumëpartiak u zgjodh në rrethin e parë. Sipas rezultateve, ende jozyrtare, Aleksandar Vučić, të cilin e ka mbështetur koalicioni i mbledhur rreth SNS-së në pushtet, fitoi rreth 55% të votave. Të gjithë kemi supozuar se ai do të jetë president i ri, por siç e ceka më parë, disi e prisnim edhe atë 16 prillin. Pas Aleksandar Vučić-it,  në vendin e dytë u rendit ish-ombudsmani Saša Janković derisa i treti qe figura e trilluar Ljubiša Preletačević Beli të cilin e luan Luka Maksimović. Gjatë tërë kohës sa ka zgjatur fushata, Preletačević ka qenë tema kryesore e mediave. Ndoshta jo të atyre vendore, por të atyre ndërkombëtare definitivisht po. Duket sikur kjo vazhdoi edhe pas zgjedhjeve. Njëzetegjashtëvjeçari nga Mlladenovci, i cili e shpiku personazhin e Beli-t, publikisht e pranoi se do të vidhte por do t’i dhuronte popullit, ftonte në argëtim dhe dashuri, refuzoi të hollat për financim të parapara me ligj – ia doli të fitojë më tepër se 9%. Ky është një tregues i mjaftueshëm se ku gjendet sot politika e Serbisë. Shumë politikanë që me vite janë në skenë kanë fituar shumë më pak se ai. Ai ia doli të nxjerrë në votim të rinj që kurrë nuk kishin votuar. Ndoshta Vučić fitoi, por Luka Maksimović dhe shpërndarja e tij e dashurisë janë përshtypja më e madhe e këtyre zgjedhjeve që tashmë janë pas nesh.

Ashtu si edhe deri më tani, votuan edhe serbët nga Kosova. Tashmë është thënë se serbët nga hapësira jonë do të votojnë pa pritur asgjë. Mendoj se ashtu edhe ishte. Në votime morën pjesë diku rreth 39% e të të regjistruarve në listën e votuesve nga Kosova. Siç po kumtohet tani për tani, Vučić edhe në Kosovë fitoi më tepër se 50%.

Bile edhe u festua lidhur me këtë. Vetëm se nuk e di se çka saktësisht, por u festua. Mund të themi lirisht se kjo është një dalje e ulët e votuesve. Edhe në Serbi edhe në Kosovë. Kjo është një dalje e vogël nëse duam që të ndryshojmë diçka. Shtrohet pyetja, çka më tutje? Shumë analistë parashikojnë që në marrëdhëniet Serbi-Kosovë nuk do të ndryshojë asgjë. E kemi të qartë kaherë se nuk do të ndryshojë. Ajo që shtrohet si pyetje është: a do të thotë kjo se na pret edhe ndonjë dërgim treni me ikona dhe mbishkrime? A mos ndoshta do ta ndërtojnë edhe një mur? A do të marrin pjesë serbët edhe më tej nëpër mitingje që të mos e humbin vendin e punës? A nuk do të jenë në gjendje edhe më tej të shkojnë diku me pasaporta? Sipas të gjitha gjasave jo. Nëse nuk do të bëhet edhe më keq. Ka mbetur një shije e hidhur pas këtyre zgjedhjeve. Disa prej nesh do të donin ndryshime, por është e qartë që koha për ndryshime ende pritet të vijë. Këtë qartazi e tregojnë edhe protestat e studentëve që tashmë me ditë po mbahen anembanë Serbisë. Nëse asgjë tjetër, duket se këto zgjedhje e kanë zgjuar rininë. Dikush megjithatë u vetëdijësua për atë se çka po përjetojmë. Derisa për çdo ditë një numër shumë i madh i të rinjve shëtisin rrugëve të Serbisë dhe mbajnë parulla siç janë “Bëni pite e jo luftë,” ne në Kosovë ende po presim. As vetë nuk e dimë se çka. Si zakonisht. Derisa të tjerët protestojnë, ne festojmë. 

Pyetja është se çka na pret, të gjithë neve së bashku. Por një pyetje edhe më e madhe është se çka na kujton e tërë kjo? Mediat janë bllokuar, e fituam presidentin në rrethin e parë, studentët protestojnë… A nuk i ngjan kjo tmerrësisht viteve të nëntëdhjeta? A nuk na kujton kjo edhe vitin 1991 edhe vitet 1996/97? Është tmerr të thuhet, por duket jashtëzakonisht e ngjashme. Dhe njëherazi e tmerrshme. Shpresoj që vetëm ngjan dhe asgjë më shumë. Njëkohësisht edhe kam frikë. Nga të gjithë ata që atëherë bënin thirrje për luftë e sot dërgojnë trena dhe ndërtojnë mure. 

Derisa i përmbledhim përshtypjet dhe derisa Serbia proteston e ne festojmë fitoren, ngelim edhe më tej në të njëjtin vend. Midis të gjithëve, të askujt dhe të gjithëkujt. Na mbetet që të shpresojmë se kjo vetëm po i ngjan të nëntëdhjetave dhe që assesi nuk është “çdo gjë njësoj vetëm ai po mungon.” Na mbetet të shpresojmë në ndonjë përparim dhe shmangie të konflikteve që në fillim të vitit duket se ishin “në modë.” Na mbetet që, ashtu si edhe deri më tani, të shpresojmë në një jetë më të mirë edhepse të gjithë thonë se tek ne nuk do të ndryshojë asgjë. Por ne si duket megjithatë do të vazhdojmë të besojmë. E edhe të festojmë.