Dialogu dhe mungesa e prirjes për kompromis

Procesi i dialogut vazhdon dhe nuk është ende e qartë nëse mund të presim një konkludim eventual. Të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, ruajnë prirjen e tyre për vepruar në mënyrë të atillë që thekson interesat nacionale në dëm të arritjes së një kompromisi.

0
532

Deri më tani nuk mund të flitet për një progres evident në dialogun Kosovë-Serbi. Të dyja shtetet kanë një prirje që të shqetësohen për rritjen e pazareve përkatëse dhe në këtë mënyrë kanë braktisur vetë idenë e cila në fakt parimisht paraqet thelbin e dialogut – atë të kompromisit.

Që prej 4 shtatorit të vitit të kaluar kur u arrit Marrëveshja e Uashingtonit, të dy shtetet nuk po tregojnë aspak prirje që të përshtasin sjelljen e tyre me nevojën për kompromis. Kosova vazhdon të dëshmojë një qasje (ndoshta edhe me të drejtë) shumë realiste, në sensin që ka tendencë që ta përceptojë situatën rreptësisht bazuar mbi interest e veta, ndërsa në anën tjetër Serbia nuk e braktis luftën e saj kundër njohjeve të shtetit të Kosovës. Parimisht, të dy shtetet vazhdojnë të ruajnë një linjë nacionaliste e cila pengon që të bëhet progres sa i përket arritjes së një kompromisi eventual në këtë proces.

Ashtu edhe siç mund të jetë parashikuar, ardhja e Albin Kurtit në pushtet në Republikën e Kosovës bëri që shteti i Kosovës të ndjekë një linjë më të ngurtë dhe kështu më nacionaliste sa i përket çështjes së dialogut. Ndonëse z. Kurti ka dhënë disa propozime për të ardhmen e raportit mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë periudhë shteti i Kosovës ka ritheksuar edhe një herë nevojën që të qartësohet e kaluara mes dy shteteve, normalisht me theks në luftën e fundit. Natyrisht, e gjithë kjo ka krijuar një situatë të atillë ku Serbisë vazhdohet t’i kërkohen koncesione që deri tani kanë qenë praktikisht të pamundura. Në fakt, edhe vetë Vučić së fundmi ka deklaruar që është vështirë të dialogohet me z. Kurti për shkak të fokusit të tij në të kaluarën. Sipas Vučić-it, “Serbia gjithmonë do të marrë pjesë në dialog, kurdo që thirret, por nuk shoh shumë sens për të dialoguar me Kurtin, sepse ai flet vetëm për të shkuarën, dhe jo për të ardhmen”. Megjithatë, një deklaratë e tillë nuk mund të shihet si e bazuar pasi është pothuajse e pamundur të evitohen efektet e të së kaluarës mes dy shteteve në rezultatet e dialogut. Ndonëse Kosova nuk është që po shfaqë ndonjë fleksibilitet në proces, ngjarjet e së kaluarës do të influencojnë dialogun dhe do të duhet të jenë pjesë e kompromisit.

Derisa Kosova është treguar më e ashpër në kërkesat e saj, Serbia vazhdon me mungesën e konstruktivitetit në proces përderisa injoron idenë e një kompromisit përmes shprehjes së vullnetit për të rifilluar fushatën për tërheqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës sapo të përfundojë moratoriumi i Marrëveshjes së Uashingtonit. Lidhur me këtë ka komentuar edhe eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Richard Caplan. Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA në mënyrë që këto “të dekurajojnë çdo vend që tërheqë njohjen e tyre të Kosovës, ndoshta duke theksuar se veprime të tilla do të minojnë stabilitetin në rajon”. Një lojë e tillë e shtetit të Serbisë në arenën ndërkombëtare nuk është aspak në përputhshmëri me kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve që të arrihet një konkluzion i favorshëm në procesin e dialogut i cili do t’i kontribuonte stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Pra, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë supozohet të jetë një proces i dy shteteve sovrane dhe jo mes palëve që përpiqën të minojnë sovranitetin e njëra- tjetrës.

Procesi i dialogut vazhdon dhe nuk është ende e qartë nëse mund të presim për një konkludim eventual. Të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, ruajnë prirjen e tyre për vepruar në mënyrë të atillë që thekson interesat nacionale në dëm të arritjes së një kompromisi. Kosova ka ashpërsuar kërkesat në këtë proces ndërsa Serbia është treguar proaktive në drejtim të dëmtimit të sovranitetit të Kosovës. Tingëllon pesimiste por në këtë fazë duket që pa ndonjë lëvizje rrënjësore në qasje apo pa ndonjë ndërhyrje vendimtare nga bashkësia ndërkombëtare procesi i dialogut nuk do të ketë ndonjë progres evident.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.