Tash kur edhe një herë çështja e vizave për shtetin e Kosovës u la jashtë agjendës është legjitime të diskutohet edhe një herë legjitimiteti i vetë Bashkimit Evropian si një ndërmjetës në çështjen e dialogut dhe veçanërisht qasja e treguar ndaj Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, pa marrë parasysh të ardhmen e supozuar evropiane për Kosovën, BE nuk është duke u dëshmuar si institucion kredibil në proces të ndërmjetësimit. Kjo pasi që dialogu vazhdon të përdoret si mjet kushtëzimi për vizat, sjellja konstruktive e Kosovës nuk ka prirje të shpërblehehet dhe mbi të gjitha faktori evropian vazhdon të jetë tolerant ndaj Serbisë.
Së pari, sipas shumë njohësve të procesit të dialogut dhe raportit Kosovë-BE, ekziston një lloj tendence ose kronologjie që prej fillimit të këtij procesi që çështja e vizave tashmë të ndërlidhet me veprimet e shtetit të Kosovës në proces të dialogut. Sipas analistit politik, Jusuf Thaçi, nëse Bashkimi Evropian është duke i përdorur vizat si shkop ose karrotë përmes kërkimit të koncesioneve në proces të dialogut në këmbim të vizave atëherë Kosova duhet të tërhiqet nga një proces i tillë. Më tej, sipas Thaçit, këto duhet të perceptohen si procese të ndara. Lidhur me këtë, sipas njohësit të çështjeve politike të Ballkanit, Mehmet Prishtina, ekziston një lloj vazhdimësie e premtimeve të bëra për liberalizim nga ana e BE-së për Kosovën por që deri më tani nuk janë realizuar. Në këtë drejtim, shteti i Kosovës mund të perceptohet si viktimë e një organizate mbikombëtare pasi që tashmë është botërisht e ditur që Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.
Një element tjetër që meriton vëmendje është se Bashkimi Evropian vazhdon të ketë një lloj retorike (por që në dukje boshe) për veprim konstruktiv nga ana e palëve të përfshira në proces të dialogut. Në këtë drejtim, të paktën në krahasim me palën tjetër në dialog, shteti i Kosovës mund të thuhet se ka qenë konstruktiv. Por, pa marrë parasysh faktin që liderët evropianë në një formë konsistente kanë përshëndetur përpjekjet e liderëve tanë, mund të konsiderojmë që përfitimet e shtetit të Kosovës në këtë proces kanë qenë në fakt tejet modeste. Kjo më së miri dëshmohet me faktin që Kosova ende ka vetëm statusin e kandidatit potencial për BE dhe që ndoshta arritja më e madhe e këtij shteti ka qenë nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, efektet e së cilës për ekonominë e Kosovës kanë qenë në rastin më të mirë të limitura për të mos thënë negative.
Çështja e kredibilitetit të Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në proces të dialogut por edhe si strukturë politike meriton të vlerësohet edhe nga këndi i qasjes së këtij të fundit në raport me Serbinë. Duhet patur parasysh që ndryshe prej qartësisë së shtetit të Kosovës, shteti i Serbisë në rastin më të mirë ka patur një qasje ambige mbi orientimin e tyre ndaj Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi. Serbia edhe më herët jo gjithmonë ka shkuar përkrah pritjeve të faktorit ndërkombëtar në proces të dialogut, por tani raporti i tyre bilateral me Rusinë e ka bërë edhe më të mjegullt pozitën e saj në raport me BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi. Paradoksalisht, siç argumenton edhe z. Prishtina, sipas Bashkimit Evropian, Serbia ka shënuar përparim në procesin eurointegrues në të njëjtën kohë kur ky shtet vazhdon të mbajë një qëndrim neutral-pozitiv ndaj Rusisë, diskriminon qytetarët shqiptarë të Preshevës dhe që as nuk merr mundin të rishikojë kushtetutën në të cilën Kosova (një shtet gjerësisht i njohur) është pjesë e tij. Në këtë drejtim, dhe në linjë me realizmin si qasje në marrëdhënie ndërkombëtare, është vështirë të flasim për rëndësinë e organizatave kur kemi parasysh një qasje të tillë joparimore që më shumë i ngjan raporteve të zakonshme bilaterale shtet-shtet sesa një qasjeje më gjithëpërfshirëse që do të duhej të ishte më tipike për organizata ndërkombëtare.
Derisa Evropa është (ose do të duhej të ishte) rruga e natyrshme për Kosovën dhe Serbinë, duket se Bashkimi Evropian, që në një formë është vetë Evropa, nuk shërben si një institucion kredibil. Ky institucion deri më tani jo vetëm që ka patur sukses të limituar në shtyrjen përpara të procesit të dialogut, por që tashmë mund të thuhet që është duke e përdorur një proces të tillë për agjenda jashtë fokusit të këtij procesi. Kjo qasje e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë është joparimore, e padrejtë ndaj Kosovës dhe mbi të gjitha kontribuon që direkt ose indirekt të fillojmë të vëmë në pikëpyetje kredibilitetin e një institucioni që jo rrallëherë është sfiduar edhe sa i përket vetë ekzistencës së tij.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.