Dialogu si proces që tejkalon qëllimet politike bilaterale

Derisa ekziston një tendencë e përgjithshme për të perceptuar dialogun si proces politik dhe bilateral të bazuar në kundërthëniet mes shteteve, implikimet e një procesi të tillë janë shumë më komplekse.

0
38

Ndonëse është e vërtetë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të perceptohej si një proces në radhë të parë politik dhe i fokusuar në raportet bilaterale mes shteteve, duhet patur parasysh që efektet ose implikimet e tij janë shumëdimensionale në natyrë dhe nuk kufizohen vetëm në idenë e njohjes reciproke mes dy shteteve. Më saktë, raporti mes Kosovës dhe Serbisëështë shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet me implikime që prekin çështje vitale si ekonominë, rajonin e Ballkanit në tërësi si dhe integrimin eurotalantik të dy shteteve që pretendojnë që kanë kundërthënie në proces.

Së pari, duhet patur parasysh që Serbia dhe Kosova mbeten partnerë të rëndësishëm ekonomik (edhepse në fakt raporti në mënyrë joproporcionale është më i favorshëm për Serbinë) dhe, bazuar në këtë, kanë një nxitje reale për të punuar në forcimin e raportit të tanishëm përmes arritjes së një marrëveshjeje eventuale. Në fakt, sipas raportit të fundit të bërë nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia vazhdon të jetë importuesja kryesore e mallrave të Kosovës nga vendet e CEFTAS. Më saktë, nga janari deri në mars të vitit 2022, 32.2 milionë euro mallra janë importuar nga ana e Serbisë, duke lënë kështu prapa vende si Shqipëria dhe Maqedonia. Ky raport i fuqishëm tregtar paradoksalisht mund të zbehë edhe vullnetin mes shteteve për të vepruar për një  marrëveshje politike por që natyrisht në të njëjtën kohë dëshmon edhe natyrën tejet pragmatike të arritjes së një marrëveshje që do të rregullonte më tej raportet mes dy shteteve që kanë interesa të qarta për njëri-tjetrin.

Më tej, është e pamundur që në kontekst të Ballkanit, procesi i dialogut të mos ketë efekte edhe për shtetet fqinje. Në fakt, ekziston një retorikë e vazhdueshme e liderëve (por megjithatë jo efektive) që Kosova dhe Serbia duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe duke patur në konsideratë implikimet e këtij procesi në nivel të tërë Ballkanit. Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, deklaroi gjatë vizitës së fundit në Prishtinë se “duhet të jemi konsistent në këtë proces politik, sepse kjo s’ka të bëjë vetëm me këto dy vende.” Ai më tej shtoi se procesi i dialogut “prek stabilitetin e rajonit, si një fqinj ne tregojmë interesim të veçantë që ky dialog të vazhdojë, e në të ardhmen e afërt të ketë një marrëveshje të qëndrueshme.” Edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deklaroi që “Republika e Maqedonisë së Veriut e mbështet një zgjidhje të përbashkët që do të kontribuojë për stabilitetin rajonal dhe që nuk do ta rrezikojë sigurinë e shteteve fqinje.”  Kështu, në këtë kontekst, duhet theksuar që Kosova dhe Serbia nuk kanë treguar prirje të konsiderojnë këto implikime dhe që në mënyrë tejet konsistente kanë perceptuar dialogun si krejtësisht bilateral.

Element tjetër është sjellja në proces të dialogu dhe pasqyrimi i shteteve kundrejt faktorit ndërkombëtar. Kështu, sjellja e deritanishme e dy shteteve në proces (e veçanërisht pozicionimi i paqartë i Serbisë ndaj luftësnë Ukraninë) ka kontribuar në forcimin e një lloj narrative jo shumë optimiste për të ardhmen euroatlantike të dy shteteve. Pra, kur kanë kaluar mbi dhjetë vite të këtij procesi, faktori ndërkombëtar vazhdon që fuqishëm të interesohet për këtë proces por që përfitimet për Kosovën dhe Serbinë në rrugëtimin e tyre euroatlantik kanë qenë tejet të limituara. Kështu, brenda kësaj periudhe, qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ka qenë në rastin më të mirë neutral ndaj procesi të integrimit të dy shteteve dhe kjo vërehet më së miri me idenë që as Kosova e as Serbia nuk është që kanë përparuar shumë në këtë drejtim. Pra, derisa shtetet nuk duket se pranojnë kompromisin, ata bëjnë kompromis me vetë të ardhmen e tyre kundrejt faktorit ndërkombëtar.

Pra, derisa ekziston një tendencë e përgjithshme për të perceptuar dialogun si proces politik dhe bilateral të bazuar në kundërthëniet mes shteteve, implikimet e një procesi të tillë janë shumë më komplekse dhe përfshijnë raportin ekonomik të ndërsjellë, pozicionin e shteteve kundrejt faktorit ndërkombëtar dhe në fakt ndikojnë edhe në tërë rajonin e Ballkanit. Në këtë drejtim, derisa shtetet nuk dëshmojnë vullnet politik për progres në këtë proces, ato vazhdojnë që njëkohësisht të bartin pasoja të cilat tejkalojnë aspektin politik të këtij procesi.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.