Dielli mund të mos sillet rreth Tokës, por definitivisht sillet rreth Kosovës

Është tepër me rëndësi që qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, të jenë sa më racional dhe të kërkojnë sa më efektivisht përgjegjësi nga politikanët që zgjedhin. Në demokraci nuk është faji veç i politikanëve për kriza politike dhe për moszhvillim. Demokracia nis nga populli, nga mënyra jonë e të rezonuarit mbi problemet me të cilat përballemi. Të kujtojmë Niçen, që te Zarathustra shprehte bindjen se çdo ndryshim thelbësor që ndodh në botë, nuk ndodh me potere e zhurmë, por në heshtje.

0
1431

Më 11 qershor do të mbahen Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë. Dhe, ashtu siç nuk pritej, lufta për pushtet është dukshmërisht e ashpër deri në tronditje. Duket si një parapërgatitje e denjë për serialin e famshëm amerikan, Loja e Froneve (Game of Thrones), sezoni i shtatë i të cilit pritet të lansohet më 16 korrik.

Çka ndodhi?

Së pari, mocioni i opozitës i përkrahur nga PDK-ja që e rrëzoi Qeverinë ku bënte pjesë vetë. Së dyti, aderimi në PDK i kritikueses së ashpër të deridjeshme të saj, Arbana Xharrës. Së treti, rrahja e saj nga disa të panjohur… Së dhjeti, kalimi i një opinionisti parimor si Halil Matoshi drejt partisë së Ramush Haradinajt, AAK-së. Për t’u përmendur janë edhe përçarjet në Listën Serbe, e cila shkaku i vendeve të rezervuara duket sikur lufton në një garë paralele. Ndërkohë, mund të ketë ndodhur diçka edhe në kohën sa po e shkruaj këtë artikull. 

Dhe, të gjitha këto lëvizje përcillen me shumë bujë, tronditje e dramë. Të jipet përshtypja se Kosova është udhëkryqi kryesor i botës, me shtrirjen territoriale të Francës, Gjermanisë a Britanisë. Ose se këtu po ndodh ndonjë përplasje e ashpër ideologjike. E vërteta është se, Kosova i ka veç 10,900 e kusur kilometra katrorë, dhe nuk ka parti të profilizuara ideologjikisht përveç LDK-së.

Për çka e gjithë kjo luftë?

Është lojë fronesh, padyshim. Lojë, për të fituar pushtet dhe para. Lojë, për t’i ikur burgut. Ose, lojë për të mbajtur pushtetin e një lideri shpirtëror.

Por, lojë që shkon në dëm të vetë qytetarëve. Pse? Sepse krijon shpresa e pritje të rreme te qytetarët e thjeshtë. Nga e gjithë ajo hallakamë, njerëzit do të presin në mënyrë iluzore ndryshime rrënjësore në jetën e tyre. Zhurma e bërë, do t’iu krijojë bindjen se rëndësia e zgjedhjeve është e madhe, madje vitale, se vota e tyre është e rëndësishme. Dhe kësisoj, do të krijohet një shpërputhje e hapur mes asaj që ata presin, dhe asaj që duhet pritur. 

Siç thoshte Spinoza, liria arrihet veç kur njohim shkaqet ose skllavëruesit tanë. Në këtë rast, është e domosdoshme për çdo kosovar që të kuptojë pafuqinë politike, parëndësinë gjeopolitike, vogëlsinë territoriale të vendit të tij. Poashtu, të kuptojë se gjërat nuk ndryshohen as brenda një nate, e as brenda katër vjetësh. Duke i kuptuar këto, kosovarët nuk do t’i ulnin pritjet. Përkundrazi, do t’i racionalizonin ato dhe do të kërkonin përgjegjësi për to. Do të kuptonin më mirë mundësitë për ndryshime. Vetë ndryshimet. Nuk do të përhumbeshin në fjalët e papërgjegjshme të politikanëve. Dhe po kështu, nuk do të tronditeshin më nga kalimet e analistëve sa në njërën e në tjetrën parti. Në të kundërt, skena politike do të mbetet tepër e papërgjegjshme ashtu siç është tash, duke dhënë premtime qesharake dhe duke mos marrë asnjëherë përgjegjësi për asgjë.

Madje, duke vazhduar të mendojmë pavetëdijshëm se dielli ende sillet rreth Kosovës, partitë nuk do të hezitojnë që, përgjatë shpërndarjes së fajit për moszhvillim a mbrapakthim, të rinisin konfliktet etnike dhe të minojnë themelet e Republikës sonë.

Është tepër me rëndësi që qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, të jenë sa më racional dhe të kërkojnë sa më efektivisht përgjegjësi nga politikanët që zgjedhin. Në demokraci nuk është faji veç i politikanëve për kriza politike dhe për moszhvillim. Demokracia nis nga populli, nga mënyra jonë e të rezonuarit mbi problemet me të cilat përballemi. Të kujtojmë Niçen, që te Zarathustra shprehte bindjen se çdo ndryshim thelbësor që ndodh në botë, nuk ndodh me potere e zhurmë, por në heshtje. Prandaj, mos lejoni t’jua gënjejnë pavetëdijen tuaj: Kosova nuk është qendra e botës.