Fundi i muajit më të shkurtër të vitit është i rezervuar për gjëra të mëdha, paksa ironike por padyshim kështu është. Takimi i paralajmëruar në Bruksel në lidhje me deklarimin mbi propozimin franko-gjerman/propozimin e BE-së për zgjidhjen e statusit apo formatit ligjor formal të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ngjall edhe shpresë edhe dyshime. Edhe pse vetë teksti i propozimit ka mbetur mjaft i panjohur për publikun, nga ajo që ka mbërritur në media, si një qëndrim i besueshëm nga ai propozim, shkakton më së shumti një dozë mosbesimi dhe mbi të gjitha huti tek njerëzit e thjeshtë.
Askush nuk e di se çfarë ofrohet dhe kërkohet në të vërtetë në atë propozim, sepse qëndrimet e të dyja palëve në këtë drejtim, si zakonisht, ndryshojnë aq sa njeriu i thjeshtë nuk di kujt t’i besojë. Edhe njëra edhe tjetra palë deklarojnë se propozimi është i pranueshëm, por asnjëra nga palët nuk e ndajnë kënaqësinë me propozimin, por e interpretojnë atë si një parim merre ose lëre.
Kujt në BE po i ngutet ashtu ta zgjidhë problemin e Kosovës brenda natës dhe, thënë në gjuhën e popullit, përmbi gju [me nxitim], këtë ende askush nuk e di. Ajo që lë përshtypjen e një serioziteti ekstrem është vizita e fundit e të gjithë ekipit diplomatik të BE-së dhe SHBA-së tek të dyja palët, kështu që me të vërtetë krijohet përshtypja se ka ardhur koha për të parë se ku jemi në gjithë këtë dhe çfarë kemi arritur deri tani. Përvoja na mëson gjithashtu të mos presim shumë, as njëra e as tjetra palë, sepse kjo nuk është as ofensiva e parë politike dhe ka të ngjarë që të mos jetë as e fundit në drejtim të njohjes së Kosovës nga Serbia ose të paktën pranimit të realitetit në terren, siç po formulohet kjo në mënyrë eufemiste.
Për t’u bërë gjërat edhe më konfuze, të dyja palët pretendojnë se propozimi është i mirë, ndaj lind pyetja logjike se kush kujt çka i dha në gjithë këtë dhe kush hoqi dorë nga çka në favor të arritjes së një marrëveshjeje sepse është e palogjikshme që askush të mos japë asgjë e marrëveshja prapë të arrihet. Përmendja e ekstraterritorialitetit të KOS-it, formimi i AKS-së, mosekzistenca e njohjes de jure janë diçka që i merren për të keq Kosovës nga të gjithë, por nga ana tjetër, pranimi i hyrjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare është pika kryesore e kontestimit të marrëveshjes së gjithmbarshme në skenën politike serbe. Parimi i dy Gjermanive është hedhur poshtë shumë kohë më parë, e megjithatë e gjithë kjo që ofrohet pikërisht i ngjan atij parimi kështu që shtrohet pyetja logjike se si do të formulohet në fund vetë marrëveshja dhe çfarë forme marrëdhëniesh do të kenë të dy palët pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, nëse edhe vjen deri tek ajo, sepse të gjithë flasin për marrëveshjen dhe planin në parim, por askush nuk flet për detajet dhe në mënyrë konkrete.
Njëzet e shtatë shkurti prezantohet si në media ashtu edhe në skenën politike si dita D, dhe ka kaq shumë gjëra të paqarta në lidhje me gjithë këtë saqë për njeriun e zakonshëm ajo ditë është me të vërtetë thjesht një ditë e zakonshme shkurti, jo për shkak se nuk i intereson rezultati, por vetëm sepse di shumë pak për të gjitha këto. Dhe të jemi të sinqertë, ai njeriu i vogël i zakonshëm është i vetmi në gjithë këtë që varet plotësisht nga rezultatet e negociatave. Thjesht duhet të presim që të kalojë e gjithë kjo, mbetet vetëm një dozë e vogël frike se në atë pritje do të vijë momenti kur do të jetë tepër vonë për gjithçka. Dhe këtë nuk e themi pa mbulesë, por mbi të gjitha nga përvoja e deritashme, e duhet ta pranoni që ajo nuk është e paktë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.