Diplomacia digjitale e Kosovës – Rrugë e “pamirëmbajtur”

Është e kuptueshme që format tradicionale të diplomacisë nuk mund të zëvendësohen. Mirëpo duhet bërë përpjekje për strategji të përditësuara për diplomacinë digjitale me të cilat që Kosova do të fitonte shumë duke shpenzuar më pak.

0
1032

Nëse keni nënshkruar peticionin #PutKosovoOnTheMap në korrik të vitit 2020, si kërkesë ndaj kompanisë Apple për të vendosur Kosovën në hartën e saj, atëherë edhe ju keni kontribuar në diplomacinë digjitale të Kosovës. 

Edhe pse është e vështirë për t’u definuar, diplomacia digjitale ose, siç e quajnë ndryshe, e-diplomacia përfshin shfrytëzimin e internetit dhe teknologjive te reja te komunikimit të informatave  duke filluar prej makinave të kërkimit si Google, rrjetet sociale e platforma të tjera për të arritur qëllime diplomatike. 

Një studim i kryer nga eksperti i marketingut digjital, Granit Doshlaku, na tregon se mbi 80% e turistëve përdorin Google për të kërkuar informata rreth shtetit të cilin duan ta vizitojnë dhe 94% e prej tyre shfletojnë vetëm rezultatet e faqes së parë.

Kjo nënkupton nevojën për hartimin dhe monitorimin në kohë reale të strategjive për të përditësuar informacionet që dalin kur shkruhet emri “Kosovë” në makinat kërkuese, dhë promovimin e   aseteve të shtetit si sporti kosovar, ushqimi e kultura kosovare, si dhe toleranca ndërfetare, në mënyrë që të tërhiqen investitorët e huaj, të rritet interesimi i turistëve, dhe të krijohet një imazh pozitiv për Kosovën. 

Sipas ekspertit të rrjeteve sociale,  Benjamin Kolenović,  kjo metodë e të bërit diplomaci paraqet një kanal shumë të rëndësishëm për politikanët e rinj dhe, sipas tij, kanali që duhet përdorur më së shumti është Twitteri.

‘‘Përdorimi i Twitter është mënyra më e mirë për liderët politikë nga Kosova të ndërtojnë relacione diplomatike me politikanët e shteteve mike”, thotë ai.

Rezultatet nga kërkimi për Kosovën

Të dhënat nga studimi i realizuar nga eksperti i marketingut digjital, Granit Doshlaku, lënë të kuptohet se diku më shumë se 11 mijë herë është kërkuar për Kosovën me fjalët “kosovo war” që i referohet luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe se mbi 50 mijë kërkime kanë qenë nga turistët. 

Për Kolenović-in, përveç lajmeve negative të ndërlidhura me luftën e fundit në Kosovë, tash edhe lajmet lidhur me COVID-19, të cilat bëjnë thirrje për mosudhëtim në Kosovë, kanë filluar të rangohen mjaft lart. 

“Një analizë e detajuar e rezultateve nga organet shtetërore është e domosdoshme, në mënyrë që të krijohet një strategji e qartë e cila duhet ndjekur për t’u përmirësuar rezultatet nga makinat e kërkimit. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të Kosovës nëbotë, por edhe në rritjen e numrit të turistëve për secilën stinë”, thotë ai.

Ndonëse nuk ka një tregues në kohë reale se çfarë shfaqet në makinat e kërkimit për fjalën ‘Kosovë’, rangimi i lajmeve të këqija për Kosovën po rritet çdo ditë.

Muaj më parë, nëse është kërkuar për Kosovën në Google është shfaqur ballina me lajmet se presidenti i Kosovës po akuzohet për krime lufte, duke paraqitur kështu një imazh të keq për vendin. 


Si bëhet rangimi i informatave relevante në makinat kërkuese?

Vlerësohet se Google përpunon afërsisht 70,000 pyetje kërkimi çdo sekondë. Këto kërkime shfaqen në formë liste nga më relevantet ose më të kërkuarat. 

Rangimi relevant i informatave bëhet në bazë të algoritmave dhe për ndryshimin e kësaj renditjeje përdoret një nga kanalet kryesore të marketingut digjital, SEO, me qëllimin kryesor – përmirësimin e prezencës së një rezultati (uebsajt, biznes apo informacion) në makinat e kërkimit.

Granit Doshlaku, ekspert i SEO-s, thotë se ka mbi 200 faktorë që ndikojnë në rangimin e një informate në Google, duke filluar prej relevancës së përmbajtjes për termin e kërkuar, autoriteti i uebsajtit që ka publikuar atë përmbajtje, eksperienca që ofrohet për vizitorin nga ai uebsajt. 

‘‘SEO na mundëson të kuptojmë se çfarë fjalë kyqe përdoren kur njerëzit nga e gjithë bota kërkojnë për Kosovën dhe të shfrytezojmë këto informata që të krijojmë përmbajtjen e duhur përmes së cilës i përgjigjemi kësaj kërkese’’,thotë Doshlaku.

‘Ambasadorët digjital’

Në historikun e ushtrimit të diplomacisë 2.0 (një tjetër term për diplomacinë digjitale)  për Kosovën prijnë iniciativat e qytetarëve në rrjetet sociale dhe peticionet virtuale.

Shembull tipik i kësaj daton qysh në vitin 2010, kur u inicua  peticioni nga kosovari Luard Kullolli për themeluesin e Facebookut , Mark Zuckerberg, që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Kosova nuk është Serbi. Ajo është njohur nga mëshumë se 100 shtete tëbotës. Ndaj shprehim keqardhje që në Facebook vijon të figurojë si Kosovo, provincë serbe”, thuhej në peticionin i cili u firmos nga rreth 10 mijë qytetarë. 

Peticioni rezultoi me sukses në vitin 2013

Edhe iniciativa #PutKosovoOnTheMap për kompaninë Apple që të vendosë Kosovën në hartat e saj ka qenë një tjetër fushatë e cila ka bërë bujë në rrjetet sociale.

Kësaj rradhe iniciativa pati përkrahje edhe nga artistet kosovare të njohura në mbarë botën si Rita Ora e Dua Lipa. Nëpërmjet rrjeteve sociale Twitter dhe Instagram ato apeluan tek kompania Apple që të bëjnë atë që kërkohej në peticion.

Fushatës #PutKosovoOnTheMap iu zhvillua edhe një kundërfushatë nga qytetarë të Serbisë, për të mos lejuar vendosjen e Kosovës në hartat e Apple. Qytetarët serbë u shprehën se ata duan të ‘luftojnë gënjeshtrat dhe urrejtjen’ e përhapur nga Dua Lipa dhe Rita Ora.

Ne nuk duam që fëmijët të rriten me gënjeshtra se Kosova nuk është Serbi. Kosova ështëSerbi, ishte, është dhe do të jetë gjithmonë!”, kanë shkruar ata në faqen e peticionit.

Serbia ka zhvilluar një strategji të diplomacise mjaft të ashpër kundrejt Kosovës, duke filluar me  lobimin kundër pavarësisë së Kosovës e deri tek tërheqjet e njohjeve. 

#NoKosovoUnesco, ishte një kundërpeticion tjetër për ndalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatën UNESCO, që u lansua para 5 viteve, kur ky hashtag u përdorë nga mijëra persona në rrjete sociale. Lobimi i Serbisë për mospranimin e Kosovës në Interpol është edhe një tjetër betejë diplomatike që e fitoi Serbia.


Çfarë është bërë deri tani për e-diplomacinë në Kosovë dhe çka tutje?

Në vitin 2012 u paraqit për herë të parë Strategjia për Diplomacinë Digjitale nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Si pjesë e kësaj strategjie janë zhvilluar mekanizma të ndryshëm si:

Digital Kosovo, iniciativë e cila inkurajon faqet e internetit për blerje ose udhëtim që të shtojnë Kosovën në faqet e tyre, #InstaKosova që është një platformë për përkrahje të diplomatëve digjital nga Kosova dhe bota në promovimin e Kosovës si vend i të rinjëve të mbushur me dashuri dhe shpresë, dhe Wiki Academy, një iniciativë për të shkruar dhe rishkruar artikuj për Kosovën në Wikipedia. 

Mirëpo, për momentin, nuk ekziston një strategji që përditësohet çdo vit për diplomacinë digjitale të Kosovës.

Një gjë e tillë duhet të jetë prioritet sidomos në kohën kur jetojmë dhe kur çdo gjë ka filluar të digjitalizohet. Sipas Kolenović-it, në këtë aspekt duhet të përfshihen më së shumti të rinjët. 

“Në Kosovë ka shumë vajza dhe djem të rinj, të cilët tashmë bëjnë SEO për kompani gjigante ndërkombëtare, dhe ata do të mund të bënin një punë tëmrekullueshme që brenda vitit imazhi i Kosovës në makina të kërkimit të ndryshonte, pra të përmirësohej dukshëm”, thotë ai. 

Doshlaku thotë se një strategji e PR-it (marrëdhënieve me publikun)  dhe koordinimi mes departamenteve/ministrive/organizatave është shumë i nevojshem dhe për fat te keq për momentin mungon tek ne.

‘‘Nuk do ta veçoja një ‘kanal’ apo ‘strategji’ si më të mirën, mendoj që kombinimi i disa prej tyre sjellin rezultatin ideal për një vend sikurse Kosova’’, u shpreh ai.

Është e kuptueshme që format tradicionale të diplomacisë nuk mund të zëvendësohen. Mirëpo duhet bërë përpjekje për strategji të përditësuara për diplomacinë digjitale me të cilat që Kosova do të fitonte shumë duke shpenzuar më pak.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.