Në këtë blog do të trajtoj disa çështje sociale që tash e sa kohë më preokupojnë. Korrupsioni dhe nepotizmi janë tashmë flagrante në institucionet tona. Papunësia dhe statusi i ulët social janë shndërruar në fenomene që shoqëria jonë të krijon përshtypjen se i ka pranuar si të pandryshueshme dhe si faktorë që vendosen kryekëput nga qeveria. Kemi një administratë publike tejet të ngadalshme e burokratike. Taksat që ne paguajmë nuk dihet se ku shkojnë, por gjithsesi shihet se ato nuk po ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Ajo çka më intereson është se pse njerëzit nuk reagojnë ndaj këtyre?
Sa herë ju ka ndodhur të shkoni nëpër institucionet tona publike e punonjësit të vonohen 20 minuta, ose të mos jenë fare aty? Pse kurrë kutitë e ankesave tek ne nuk janë të mbushura? E di që shumica nuk do të ankoheshin për vetë faktin që besojnë se nuk do t’ia vlente. Sidoqoftë, ankesa sa për fillim do të tregonte që të paktën kemi guxim dhe kemi marrë mundimin që të ankohemi. Ky është një rast shumë i thjeshtë, por që tregon se sa pak besim ose shpresë qytetarët kanë për ndryshime nga ata që tani udhëheqin, që nga ndërmarrjet e vogla publike e deri te udhëheqësit e qeverisë.
Besoj që e dini mirë thënien “mos u shtyj me shtet”. Përderisa në vendet perëndimore, nëpër institucione edukimi, studentët edukohen që të luftojnë për të drejtat e tyre, sistemi jonë i edukimit që herët na mëson se si t’i servilosemi sistemit. Servilosu te mësuesja, arsimtari, profesori, më vonë te shefi e kolegët e kështu më radhë. Të rinjtë tanë kanë nevojë më shumë se kurrë te edukohen që të angazhohen për të drejtat e tyre. Në Kosovë, siç duket, diversiteti i mendimeve, qëndrimeve e vlerave nuk ka vend – pajtohu me sistemin, ose mbetesh jashtë!
Fillimisht mendoj se mungon kultura politike në vendin tonë, edhe pse në të ka-luarën rinia jonë është e njohur që ka bërë ndryshime të mëdha në shoqërinë kosovare dhe që ka shkaktuar ndryshime të mëdha në sistemin politik. Shembull janë protestat mbarëpopullore që sollën deri te ndryshime të mëdha në tërë sistemin që kishim brenda Jugosllavisë. Mirëpo, kjo ka ndryshuar me përfundimin e luftës, dhe mendoj që është vërtet e rëndësishme të studiohet se pse dhe si është shuar “shpirti revolucionar” i popullit tonë.
Nëse shikojmë shumë deputet apo anëtarë të partive të caktuara, individë që përpara ishin njerëz të shquar kundër institucioneve e partive tona politike (nëse mund të quhen parti!), tani janë bërë pjesë të vet atij sistemi. Zërat më të fuqishëm kundër qeverisë janë bërë pjesë e saj, shumë njerëz me kualifikime të larta ose kanë ikur ose kanë marrë pozita të cilat kanë siguruar që ata të mos vazhdojnë më tutje të kundërshtojnë fuqishëm. Sipas mendimit tim, një pjesë e madhe e shoqërisë civile është heshtur mu për shkak të kësaj që e thashë më lartë, mirëpo edhe për shkak të frikës se reagimi ose kundërshtimi i tyre i hapur kundrejt një institucioni do të mund të sillte pasoja për ta.
Për më tepër, çdo herë e më shumë po rriten mundësitë e institucioneve për të mbikëqyrur punën e shoqërisë civile. Kjo po bëhet përmes granteve e përfitime-ve tjera që po ju ofrohen atyre, të cilat më vonë si qëllim po kanë heshtjen e shoqërisë. Institucionet çdo herë e më shumë po përfshihen edhe në rrjetet sociale duke bërë kështu që shfaqja e mendimeve dhe ideve kundër institucione-ve të bëhet edhe me e frikshme.
Për fund, e di që përgjumja e kosovarëve është një temë e cila kërkon studim shumë më të gjerë sesa të shikohet vetëm në aspektet që i përmenda më lartë. Mirëpo, besoj që prezenca më e madhe e institucioneve në mesin e shoqërisë civile përmes granteve dhe përmes rrjeteve sociale ka krijuar një boshllëk të madh, një mungesë të artikulimit të zemërimit aq sa njerëzit nuk protestojnë më përpara qeverisë pse shumica e popullsisë është pa punë, e një numër i madh në varfëri të skajshme, por shkojnë dhe gjuajnë me gurë autobusë të mino-riteteve, ose shkarravisin simbole radikale islame nëpër manastire ortodokse, diçka që nuk ka qenë kurrë në traditën e shqiptarëve. Të rinjtë tanë duhet më shumë se kurrë të edukohen për të kritikuar, kërkuar, të mos pajtohen kur është nevoja, në mënyrë që të krijojmë një laramani të ideve që shpiejne në zhvillimin e shtetit tonë.