Dita e implementimit të Marrëveshjes së Drejtësisë

Në shkurt të vitit 2015, Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e BE-së, arritën marrëveshje për mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në pjesën veriore të vendit, por afatet e vëna për zbatimin e saj janë shkelur disa herë. Takimi i fundit i presidentëve të të dyja vendeve, i zhvilluar në Bruksel në muajin gusht, rezultoi me kumtesën se “presidentët konfirmuan që marrëveshja (e Drejtësisë) do të implementohet në tërësi më 17 tetor”.

0
734

Të martën është afati kur duhet të implementohet në tërësi marrëveshja e Drejtësisë, siç kanë rënë dakord presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vučić, në Bruksel në takimin e zhvilluar në fund të gushtit. Këtë ditë, sipas njoftimit, gjyqtarët, prokurorët dhe personeli gjyqësor pritet të integrohen në Gjyqësinë e Kosovës. Por deri pasditen e së hënës institucionet e përfshira në këtë proces nuk kanë dhënë informacione nëse integrimi i gjyqësorit do të bëhet sipas afatit të dakorduar. Që kjo të ndodhë, Serbia është dashur që zyrtarisht të deklarojë ndërprerjen e pagave dhe të kontratave për prokurorët dhe gjyqtarët serb, si dhe ta rregullojë statusin pensional të tyre. Serbia ende nuk ka prezantuar vendimin me të cilin dëshmon se ka përmbushur këto obligime. As presidenca  nuk ka treguar se kur do t’i dekretojë gjyqtarët. Por sipas njoftimeve të mediave lokale nga Mitrovica e Veriut, për të martën janë ftuar 42 gjykatës serbë ta bëjnë betimin para presidentit Thaçi. Theksohet se gjykatësit serbë do ta japin “betimin neutral” që i bie se nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës.

Siç njofton portali “Kossev”, ata pritet të fillojnë punën më 23 tetor në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, për herë të parë pas vitit 1999 edhe në veri. Ky portal i referohet ekipit negociator të Beogradit i cili ka thënë se krahas marrëveshjes së arritur në shkurt të vitit 2015 ekziston edhe një “marrëveshje përcjellëse e cila sqaron të gjitha detajet”, dhe se në “asnjë vend nuk ka stemë të Kosovës e as emërtim ‘Republika e Kosovës’”.

“Në dokumentacionin gjyqësor nuk do të shkruhet as ‘AP KiM’ (Autonomna Pokrajina Kosovo i Metohija) dhe as ‘Republika e Kosovës'”, shkruan “Kossev”.

Një nga parakushtet për integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës administrativ në sistemin e Kosovës ishte ndërprerja e punësimit në sistemin gjyqësor serb. “KoSSev” thotë se ka mësuar jozyrtarisht se ndërprerja e punësimit të tyre është rregulluar, ngjashëm sikurse me pjesëtarët e MPB-së së Serbisë, me pension të veçantë, respektivisht të parakohshëm.

Kandidatëve që aplikojnë për prokurorë dhe gjyqtarë u është kërkuar të plotësojnë disa kritere, midis të cilave edhe që të jenë shtetas të Kosovës, të kenë diplomë të vlefshme universitare të juristit të pranuar me ligjet e Kosovës, si dhe të mos jenë të dënuar për vepër penale të përcaktuar me ligjin në fuqi. Aplikantëve po ashtu u është kërkuar të tregojnë nëse nga janari i vitit 2000 e deri tash kanë qenë anëtarë të ndonjë organizate politike, qytetare, sociale, bamirëse, arsimore, profesionale, fetare, private apo të ndonjë organizate tjetër. Nëpërmjet formularit të konkursit, aplikantëve gjithashtu u është kërkuar të pajtohen që EULEX-i, Këshilli Gjyqësor (KGJK) dhe ai Prokurorial (KPK) të kenë të drejtë që të bëjnë verifikimin e të gjitha informatave lidhur me ta. KGJK dhe KPK nuk kanë ofruar informacione në lidhje me këtë proces.

Në shkurt të vitit 2015 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në këtë pjesë, por afatet e vëna për zbatimin e saj janë shkelur disa herë. Sipas marrëveshjes, Kryetari i Gjykatës themelore do të jetë serb nga Mitrovica e veriut ndërkaq, kreprokurori do të jetë shqiptar i Kosovës. Do të ketë një Gjykatë themelore dhe Zyrë për prokurorinë themelore, për gjithë rajonin e Mitrovicës, në të cilin përpos katër komunave me shumicë serbe, bëjnë pjesë edhe Mitrovica Jugore, Skenderaj e Vushtrria. Për Gjykatën Themelore të Mitrovicës do të jenë në shfrytëzim disa godina.

Po ashtu parashihen katër departamente të Gjykatës themelore: në Zubin-Potok, në Leposaviq, në Vushtrri dhe në Skenderaj. Kjo gjykatë do ta ketë njësinë e Gjykatës së apelit në Mitrovicë, të përbërë nga 5 gjykatës serbë dhe 2 gjykatës shqiptarë, si dhe Departamentin për krime të rënda për tërë rajonin e Mitrovicës, që do të përfaqësohen nga 4 gjykatës. Kjo do të jetë pjesë e departamentit të përgjithshëm që do të trajtojë të gjitha veprat penale për Mitrovicën e jugut dhe të veriut, si dhe Zveçanin.

Në objektin e Gjykatës themelore do të jetë edhe departamenti për të miturit, për gjithë rajonin e Mitrovicës. Në kuadër të gjykatës, në jug të Mitrovicës, marrëveshja parasheh nga 2 gjykatës serbë dhe 7 anëtarë serbë të administratës në Zubin-Potok dhe në Leposaviq.

Vendimet e marra pas vitit 1999 nga gjykatat të cilat Kosova i ka konsideruar ilegale, nuk do  të hidhen poshtë me automatizëm. Prokurorë shqiptarë dhe gjyqtarë serb kanë thënë para disa ditësh në një debat në Mitrovicë se për verifikimin dhe pranueshmërinë e tyre do të krijohet një komision i veçantë.