Nuk ka asgjë të mëshirshme në bomba dhe në luftë. Nuk ka asgjë të mëshirshme as humane në vrasjen e kujtdo qoftë dhe në dëbim. Nuk ka asgjë të mëshirshme në shkatërrimin e identitetit të kujtdo qoftë dhe kudo qoftë.
Para shtatëmbëdhjetë viteve i kam pasur shtatë vjet dhe kam qenë nxënës fillorist. Shkoja çdo ditë në shkollë tejet pa brenga, duke mos e kuptuar se çka po ndodh përreth meje. Çdo gjë ishte super për mua, vetëm le të kisha ëmbëlsira. Por, më 24 mars të atij viti që nga fillimi i ditës diçka më dukej shumë e dyshimtë. Thjesht nuk ishte njësoj si deri atëherë. Ndihej një lloj tensioni edhe kur më përcollën nga shtëpia për në shkollë, mirëpo ndoshta tension edhe më i madh para vetë shkollës derisa prisnim të fillonte mësimi. Nga ajo ditë më ka mbetur një fotografi shumë e ngulitur në kokë. Një vajzë më e madhe, klasa e tretë – e katërt në atë kohë, qëndronte para shkollës dhe qante kurse përreth saj ishin disa mësuese të cilat përpiqeshin ta ngushëllonin. Unë natyrisht nuk kisha ide se çka i kishte ndodhur, por isha i shqetësuar, si çdo fëmijë tjetër kur sheh diçka të tillë. Doli që kjo ishte vetëm hyrja në atë ditë. Unë ngadalë fillova të jem i vetëdijshëm për këtë.
Edhe në klasë gjendja ishte disi e çuditshme. Ishim më pak se herave tjera. Mësuesja fliste, por nuk ishte prezente. Disa njerëz dy herë hynë në orë dhe dolën. E çuditshme. Mesi i orës së dytë, në klasë hyn babai i një shoqeje të klasës, i pëshpërit diçka në vesh mësueses dhe në momentin tjetër mësuesja tashmë ishte në korridor me të gjitha gjësendet e saj! Duke kuptuar që në klasë i kanë mbetur diku rreth 30 nxënës kthehet, dhe duke u përpjekur që të aktrojë qetësi na thotë që ngadalë t’i mbledhim gjësendet tona, që të mos brengosemi fare dhe të nisemi për në shtëpitë tona. Me 7 vjet ne ende nuk kemi ide se çka po ndodh, por e dinim se diçka po ndodhte. Gjatë rrugës për në shtëpi po ashtu panik, të rriturit ishin bërë si fëmijë, asgjë nuk po kuptoja. Mbërrijta në shtëpi dhe e kuptova çdo gjë. E tërë familja ime në oborr, vetura përplot me sende dhe po më prisnin mua. Po shkojmë në fshat të strehohemi. Po fillon bombardimi. Ne nga Leposaviqi po strehohemi nga bombardimi në fshatin tonë në afërsi të Leposaviqit e në të njëjtin moment në oborrin e fqinjit mbërrin një veturë me njerëz nga Prishtina të cilët strehohen nga bombardimet apo kushedi çka tjetër në Leposaviq tek të afërmit e tyre. Edhe kjo në atë moment më dukej e çuditshme. Përse ne po shkojmë, kur ata po vijnë.
Dy ditë pasi u larguam nga Leposaviqi xhaxhai shkoi në luftë. Tri ditë pas xhaxhait u mobilizua edhe babai im. E tani e kam çdo gjë të qartë. Edhe unë edhe të gjithë përreth meje. Tre muajt e ardhshëm qëndruam në atë fshat; gjatë asaj kohe unë e pata ditëlindjen, vëllai ditëlindjen, gjatë asaj kohe shikoja se si të rriturit organizojnë roje të natës për shkak të tërë asaj rrëmuje që po ndodhte, se si nëna dhe halla mundohen të jenë pozitive, por nuk shkonte; se si rrëzohet një aeroplan pas fshatit dhe se si fshatarët mundohen ta gjejnë pilotin (pasuksesshëm, natyrisht) dhe shumë gjëra të tjera.
Ja, ky është përshkrimi i 24 marsit tim të vitit 1999. Unë pata fat. Unë nuk kam jetuar në zonën kritike. Xhaxhai im u kthye në shtëpi. Babai im u kthye në shtëpi. Por assesi të kem një kujtim të mirë nga ajo periudhë. Po ata që nuk patën fat? Po ata xhaxhallarët dhe baballarët e të cilëve nuk u kthyen? Po ata që në atë moment jetonin në Prizren, Pejë, Fushë Kosovë, Prishtinë? Për moshatarët e mi, shqiptarë e serbë, në këto vende lufta nuk filloi më 24 mars dhe nuk përfundoi pas 78 ditëve. Për disa ajo as që do të përfundojë ndonjëherë. Dhe vjen dikush e thotë: „Engjulli i mëshirshëm“! Nuk ka asgjë të mëshirshme në bomba dhe në luftë. Nuk ka asgjë të mëshirshme as humane në vrasjen e kujtdo qoftë dhe në dëbim. Nuk ka asgjë të mëshirshme në shkatërrimin e identitetit të kujtdo qoftë dhe kudo qoftë.
E ajo vajza që qante? Atë ditë babai i saj u desh të largohej prej tyre, ishte ushtarak apo diçka e tillë. U kthye në shtëpi pas 10 viteve.