Drejtësia në mënyrën tonë

Këtij blogu i vura titullin e ngjashëm me një nga blogjet e mia të mëparshme për arsye që janë të qarta për të gjithë e që kanë shënuar muajin e kaluar.

0
902

Këtij blogu i vura titullin e ngjashëm me një nga blogjet e mia të mëparshme për arsye që janë të qarta për të gjithë e që kanë shënuar muajin e kaluar.

Natyrisht të gjithë e kanë të qartë se bëhet fjalë për të ashtuquajturin Rasti Ivanović i cili muajin e kaluar zuri vend pothuajse në të gjitha faqet e para të shtypit ditor dhe javor në Serbi dhe i cili vetvetiu po krijon vëmendje dhe një neveritje të llojit të vet ndaj të ashtuquajturës drejtësi ndërkombëtare.

Çdo përpjekje që për këtë rast të shkruhet bile pak pa një dozë të caktuar të hidhërimit në vetvete bie në ujë, sepse kjo në praktikë është e pamundur. Me këtë rast janë shkelur të gjitha shpresat në paanshmërinë e gjyqësorit, i cili e ka marrë mbi vete përgjegjësinë që në Kosovë, përmes gjykimit të drejtë, të kontribuojë në procesin e pajtimit dhe tolerancës ndëretnike.

E kam thënë në një nga blogjet e mia të kaluara e edhe sot kam atë qëndrim se vetëm personalizimi i krimit, d.m.th dënimi i individit konkret, mund t’i kontribuojë tolerancës në Kosovë për shkak se edhe nga radhët e serbëve edhe nga radhët e shqiptarëve ka pasur kriminelë gjatë atyre ngjarjeve fatkeqe të vitit 1999. Individi i cili ka kryer krim duhet që në lëkurën e vet ta ndjejë gjithë fuqinë e drejtësisë. Megjithatë, po e theksoj, PËR FAT TË KEQ, kjo nuk po ndodh në praktikë. Qëndrimi i tillë është në veçanti i theksuar për rastin e përmendur të z. Oliver Ivanović, sepse procesi gjyqësor i udhëhequr kundër zotërisë së përmendur, sipas vlerësimit të një numri të madh të ekspertëve juridik, në asnjë rast nuk ka respektuar në minimum praktikat gjyqësore që janë të vendosura në botën e zhvilluar. Natyrisht ky është qëndrimi im personal dhe gjithsesi që është i mbështetur me një numër të madh të fakteve të argumentuara në mënyrë të qartë nga ana e ekspertëve të përmendur më lartë.

Është evidente që ky rast mund të shihet nga shumë anë dhe si i tillë është një lëndë e ndërlikuar në çdo kuptim, por një gjë është tejet e qartë e ajo është që për një verdikt me 9 vite burg thjesht nuk ka pasur prova e që vetvetiu matet me një amatorizëm të skajshëm dhe diletantizëm në udhëheqjen e procesit gjyqësor. Fakti që edhe më shumë e mbështetë këtë tezë është ai se nga 81 dëshmitarët e marrë në pyetje, vetëm një prej tyre e ka shenjuar Oliver Ivanović-in si person i cili ka qenë i pranishëm në vendin ku ka ndodhur krimi i shqyrtuar; me atë rast asnjë nga dëshmitarët nuk ka thënë që zoti Ivanović ka kryer çfarëdo aspekti të krimit në çfarëdo kuptimi të kësaj fjale.

Natyrisht, shikuar nga ana humaniste, i vetmi faj i zotit Ivanović ka të bëjë me atë që nuk e ka parandaluar ndodhjen e krimit, por është pikëpyetje e madhe se sa ka lejuar situata në fjalë një veprim të tillë të të akuzuarit. Përveç kësaj, ka shumë raste të tilla të ngjashme në Kosovë, por asnjë prej tyre madje as nuk është shqyrtuar, natyrisht po flas për krimet e kryera nga UÇK ndaj popullatës serbe. Shqyrtimi i atyre rasteve do të jetë temë e gjykatës së sapoformuar për krime të UÇK-së në Hagë, por duke patur parasysh se në cilin drejtim po shkon drejtësia ndërkombëtare lidhur me krimet e kryera në vitin 1999 në Kosovë, ardhmëria e ndritur e tërë atij procesi është në pikëpyetje të madhe.

A është dënuar zoti Ivanović vetëm sepse është një nga liderët e popullit serb në Kosovë apo me të vërtetë e ka bërë atë krim dhe ne – të mbërthyer nga situata momentale – nuk po e shohim këtë, këtë do ta tregojë koha, por është e sigurt që procesi kundër zotit Ivanović është një shembull tejet i keq i praktikës gjyqësore dhe vetë udhëheqjes së procesit gjyqësor. Habia e madhe me aktvendimin dhe raportin e mëvonshëm ndaj të akuzuarit është një trashëgimi shumë e keqe e gjyqit ndërkombëtar për popullin i cili të gjitha shpresat i ka pasur në atë që përmes drejtësisë së tyre do të marrë pajtimin aq shumë të duhur.

Hapësira manovruese që është lënë për të arritur deri tek drejtësia përfundimtare është tejet e vogël, por megjithatë ekziston. Ankesa e paralajmëruar e përfaqësuesve ligjor të të dy palëve do të kontribuojë që deri tek vendimi përfundimtar të vihet në një mënyrë më të rregullt apo thënë më mirë në një mënyrë më të drejtë. Kjo gjithsesi i lë hapësirë këshillit gjyqësor që gabimet e veta, që janë evidente, t’i përmirësojë në mënyrën më të mirë të mundshme nëse do që rolin e vet në Kosovë ta kryejë në atë mënyrë që i kontribuon pajtimit të përgjithshëm dhe përparimit përfundimtar të shoqërisë kosovare në tërësi.