Drejtësia tranzicionale nuk duhet hequr nga narrativa

Pajtimi është një ambicie e vështirë dhe kërkuese. Është mbase më mençur të synohet krijimi i një paqeje të qëndrueshme. Disa prej hapave në atë rrugë përfshijnë ballafaqimin me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale.

0
443

“Sot, më shumë se kurrë, jehojnë fjalët tuaja për paqe dhe drejtësi përmes tregimit të së vërtetës dhe pajtimit.” Këto ishin fjalët që i tha kryeministri Albin Kurti me rastin e vdekjes së kryepeshkopit Desmond Tutu në dhjetorin e vitit të kaluar. Kryepeshkopi la shumë trashëgimi, një nga të cilat ishte koncepti i tij drejt së vërtetës dhe pajtimit. Çfarë progresi ka shënuar qeveria Kurti në këtë agjendë? Nuk është e lehtë të lexohet.

Pajtimi është një ambicie e vështirë dhe kërkuese. Është mbase më mençur të synohet krijimi i një paqeje të qëndrueshme. Disa prej hapave në atë rrugë përfshijnë ballafaqimin me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale.

Kjo rrugë kërkon vëmendje të vazhdueshme ngase ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre, ua kemi borxh fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre, për t’u lënë një trashëgimi qartësie dhe kuptimi, për të mundësuar shmangien e luftës dhe konfliktit në të ardhmen. Kjo rrugë është tejet e domosdoshme aktualisht kur jemi dëshimtarë të nacionalizmit në rritje në Ballkan dhe më gjerë dhe të një narrative të përshpejtuar të konfliktit dhe luftës në kufijtë e Evropës, dhe tani luftës.

Historia na ka mësuar se ndërtimi i paqes dhe dhembshuria janë tema që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.

Qeveria Kurti po e mbushë një vit në pushtet dhe nuk është e qartë se çfarë saktësisht është duke bërë në këtë sferë. Kurti ka treguar se është i interesuar në drejtësinë tranzicionale dhe dy departamente të qeverisë janë porositur të merren me aspekte të kësaj agjende. Ministria e Drejtësisë është duke shqyrtuar dy fusha të punës.

Në maj 2020, Ministria kumtoi se po krijonte një ekip përgatitor për të analizuar se si të themelojë një Institut për Hulumtimin e Krimeve te Luftës. Një i mëparshëm qe shuar më 2018. Duket se roli i rij do të jetë katalogimi i krimeve të luftës. Nuk është e qartë nëse këtu përfshiheshin vetëm krimet e kryera nga forcat serbe. Katër muaj më pas u njoftua se Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë një strategji të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe të katalogojë krimet e luftës. Puna mbi hartimin e kësaj strategjie është duke vazhduar.

Në përurimin e asaj pune të strategjisë, kryeministri i Kosovës deklaroi: “Ky është momenti i fundit për ballafaqim të duhur me të kaluarën. Është momenti i fundit për adresimin e krejt asaj që ka ndodhur. Matjen e dëmeve. Riparimin e tyre. Përmbushjen e së drejtës për të vërtetën për viktimat e krimeve, të mbijetuarit dhe familjet e tyre.”

Agjenda e Ministrisë së Drejtësisë përfshin katër pjesë programore: reparacionet, tregimi i së vërtetës, memorializimi dhe mjetet efektive për të mbijetuarit. Kërkimi i së vërtetës është më së afërti që ka shkuar ndokush zyrtarisht për të mbushur zbrazëtinë e lënë nga puna që ish-presidenti Thaçi po bënte për një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit. Ky trup, megjithatë, është mbase brenda sferës së presidentes Osmani tani. Nuk ka asnjë shenjë nga ana e saj nëse mund të bëjë ndonjë lëvizje lidhur me këtë. Nuk është e thënë të jetë kompetencë e saj ekskluzive, por mund të jetë në zotërim më të madh kombëtar përmes Kuvendit.

Departamenti tjetër qeveritar i përfshirë në këtë punë të pasluftës është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila po krijon një Komision Shtetëror që synon të dokumentojë “shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999”. Duket se në këtë të fundit pritet njëfarë forme e kompensimit nga ana serbe. Por kjo është gjithçka që dimë. Nuk kemi parë ndonjë rezultat, as nuk është e mundur të merret ndonjë informacion nga ministria.

Gjersa lufta vazhdon në Evropën Lindore ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, dy vende këto me histori të konsiderueshme të përbashkët, ia vlen të kujtohet rëndësia e adresimit të këtyre çështjeve sepse kanë një peshë të padiskutueshme për viktimat e konfliktit, duke qenë edhe instrument që kontribuon në shmangien e konfliktit dhe krimeve të luftës në të ardhmen. Do të ishte mirë që kryeministri i Kosovës në mënyrë më konsekuente të shtrojë këtë temë dhe ta kujtojë që peshkopi Demond Tutu, në një bisedë me Dalai Lama-n, vite më parë, përmendi fisnikërinë dhe forcën e atyre që kishin kurajë dhe mendje të shëndoshë për t’i adresuar këto çështje: “Ne kemi potencial për të qenë të dobishëm në dhembshuri dhe falje të pabesueshme.”