Duhet vullnet i qartë nëse aspirohet progres

Sjellja jokonstruktive e palëve përbën një faktor të rëndësishëm përmes të cilit në mënyrë mjaft konsistente është shfaqur mungesa e vullnetit nga ana e të dy shteteve për të bërë progres në raportet mes tyre.

0
35

Deri në këtë pikë ka patur një sërë përpjekjesh për të normalizuar raportin mes Kosovës dhe Serbisë të cilat kryesisht janë përmbledhur në të ashtuquajturin proces të dialogut. Megjithatë, pa marrë parasysh ndryshimet që ka pësuar procesi i dialogut ndër vite, një gjë mund të themi që ka mbetur deri diku konstante: mungesa e një vullneti të qartë nga ana e të dy shteteve për të çuar përpara një proces të tillë. Kjo është shfaqur nga paaftësia për të siguruar konsistencë në proces të dialogut, sjellja jo gjithmonë konstruktive dhe mbi të gjitha nga ruajtja e një etnocentrizimi që mund të konsiderohet si tipik nga ana e të dyja shteteve.

Problemi i parë që është shfaqur në përpjekjet e deritanishme për të rregulluar raportet mes shteteve në kuadër të procesit të dialogut është një paaftësi e të dy shteteve për t’u pajtuar mbi objektivat e qartë të këtij procesi. Kjo më pas ka bërë që vazhdimisht të ndryshohen pritjet mbi dakordimet dhe marrëveshjet që do të duhej të arriheshin. Mbi të gjitha, vlen të theksohet që ende në këtë pikë kur diskutohet për procesin e dialogut ofrohet një lloj përshtypje ose pamje konfuze dhe praktikisht është pothuajse e pamundur të parashikohen rezultatet e një procesi të tillë. Kjo karakteristikë e procesit të dialogut është deri diku edhe si rezultat i mungesës së konsistencës nga ana e faktorit ndërkombëtar por pa dyshim që të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, nuk është që kanë arritur të kontribuojnë në atë që ky proces të ishte i një natyre më lineare. Normalisht, në këtë rast me fjalën lineare kuptohet që ngjarjet në këtë proces të kontribuonin në mënyrë më efektive drejt përmirësimit gradual të raporteve mes dy shteteve.

Sjellja jokonstruktive e palëve përbën një faktor të rëndësishëm përmes të cilit në mënyrë mjaft konsistente është shfaqur mungesa e vullnetit nga ana e të dy shteteve për të bërë progres në raportet mes tyre. Duhet theksuar që megjithatë këtu ka ekzistuar një lloj disbalanci mes dy shteteve. Përderisa shteti i Kosovës është kritikuar së fundmi nga pala serbe në drejtim të mungesës së vullnetit për të zbatuar Asociacionin e Komunave (ndonësë diçka e ngjashme ka ndodhur me marrëveshjen e fundit), shteti serb ka qenë më konkret në këtë drejtim. Në fakt, jo vetëm që nuk është arritur njohja e shtetit të Kosovës, por vazhdimisht ka patur përpjekje për të minuar sovranitetin dhe, për më tepër, ka ekzistuar një lloj angazhimi konsistent për të arritur në fakt edhe çnjohje kundrejt shtetit të Kosovës. Të gjitha këto kanë ndodhur në kuadër të procesit të dialogut dhe shpesh edhe si përgjigje ndaj kërkesave të këtij procesi.

Pa dyshim, problemi kryesor i Kosovës dhe Serbisë është një tendencë historike (ndoshta edhe karakteristike për Ballkanin si regjion) që raportet mes shteteve të perceptohen nga një ndjenjë e fortë etnocentrizmi. Edhe në këtë rast, shteti serb tejkalon shtetin e Kosovës. Përfaqësuesit serbë ende deri në këtë pikë vijojnë të thirren në të kaluarën e tyre dhe lidhshmërinë e saj me të tashmen sa i përket të drejtës së tyre në raport me shtetin e Kosovës. Kjo duket të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për Serbinë në raport me shtetin e Kosovës. Duhet theksuar që edhe shteti i Kosovës, ndonëse shumë më i moderuar në këtë drejtim dhe pa dyshim më konstruktiv, është detyruar që procesit të dialogut me Serbinë t’i qaset në një mënyrë të atillë që pothuajse gjithmonë të marrë në konsideratë interesat vetanake shtetërore ndaj një shteti që megjithatë gjithmonë ka patur një politikë që ka evituar kompromiset.

Progresi i kufizuaruar në procesin e dialogut ka dëshmuar edhe problemet e nje procesi të tillë dhe mungesën e efektshmërisë për të rregulluar raportet mes dy shteteve. Megjithatë, duket që ky proces nuk është problemi në vete. Problemi në këtë drejtim është vetë mungesa e vullnetit nga ana e dy shteteve për të punuar për përmirësim të gjendjes së tanishme. Në këtë drejtim, është vështirë të jemi optimistë kur në një formë shumë konsistente mungon konstruktiviteti dhe, mbi të gjitha, kur përpjekjet për zgjidhje eventuale shikohen nga një perspektivë e fortë etnocentrike.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.