E ardhmja e dialogut – shanset dhe rreziqet

Ka kohë që Marrëveshja e Brukselit vazhdon të vlerësohet si një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme evropiane. Në sytë e shumë studiuesve të Bashkimit Evropian madje cilësohet si suksesi i vetëm i politikës së përbashkët që deri vonë udhëhiqej nga Baronesha Ashton. Kështu shihet gjithandej, përpos, natyrisht, në dy kryeqytetet, pra në Beograd dhe Prishtinë. Për suksesin e kësaj marrëveshje kam shumë mëdyshje. Me një përmbajtje të përgjithshme nga e cila mund të nxirren më shumë se dy kuptime, problemet e zbatimit të kësaj marrëveshje kanë qenë të parashikueshme fare lehtë. Por, me gjithë stagnimet në zbatim dhe pakënaqësitë e të dyja palëve të përfshira, pyetja që sot duhet shtruar është kah po shkon tutje dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës? Në vijim, do të mundohem të nënvizoj disa shanse dhe pengesa që besoj se do të jenë qenësore për të ardhmen e dialogut.

0
1187

Ka kohë që Marrëveshja e Brukselit vazhdon të vlerësohet si një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme evropiane. Në sytë e shumë studiuesve të Bashkimit Evropian madje cilësohet si suksesi i vetëm i politikës së përbashkët që deri vonë udhëhiqej nga Baronesha Ashton. Kështu shihet gjithandej, përpos, natyrisht, në dy kryeqytetet, pra në Beograd dhe Prishtinë. Për suksesin e kësaj marrëveshje kam shumë mëdyshje. Me një përmbajtje të përgjithshme nga e cila mund të nxirren më shumë se dy kuptime, problemet e zbatimit të kësaj marrëveshje kanë qenë të parashikueshme fare lehtë. Por, me gjithë stagnimet në zbatim dhe pakënaqësitë e të dyja palëve të përfshira, pyetja që sot duhet shtruar është kah po shkon tutje dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës? Në vijim, do të mundohem të nënvizoj disa shanse dhe pengesa që besoj se do të jenë qenësore për të ardhmen e dialogut.

Duhet thënë që në fillim se këtë proces unë e shoh si pjesë të pandashme të politikës së zgjerimit nga këndvështrimi i BE-së dhe si pjesë të procesit të integrimit nga këndvështrimi i Kosovës dhe Serbisë. Politika e kushtëzimit, që me dekada cilësohet si një nga rastet e rralla kur BE-ja shndërrohet në një fuqi transformuese për vendet që mëtojnë t’i bashkohen asaj, në rastin e Kosovës dhe Serbisë tanimë karakterizohet me dialogun. Ky kushtëzim, kur shihet prej Brukselit, në fakt është një sukses i madh. Andaj dialogu është një shans i madh kur vjen puna te socializimi mes shteteve, konkretisht socializimi mes Kosovës dhe Serbisë. Vizita e Dačić-it në Kosovë në cilësi zyrtare ishte një rezultat i këtij socializimi. Njëjtë siç është rënia e tensioneve të përgjithshme mes serbëve dhe shqiptarëve në rajon. Përkundër rezistencës nga të prekurit nga lufta në Kosovë, me të cilët bashkëndjej, apo grupeve radikale politike në të dyja vendet, që e keqpërdorin sentimentin e së kaluarës, socializimi është element i domosdoshëm për çfarëdo progresi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe progresit të të dyja vendeve drejt BE-së.

Socializimi çon në normalizim. Megjithatë, ende jemi larg nga normalizimi. Javën e kaluar isha në Beograd për të paraqitur mendimin tim për të ardhmen e dialogut në një seminar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që mbahej në Kuvendin e Serbisë. Përkundër faktit që nikoqiri na kishte siguruar përcjellje protokollare, kolegët e mi nga vendet e BE-së u desht të më presin për 20 minuta, sa zgjati procesi i hyrjes në Serbi me dokumente të Republikës së Kosovës. Policët kufitarë ishin tepër të sjellshëm, që mbase nuk do të ishte ashtu po të mos isha aty në kapacitet zyrtar. Përkundër mirësjelljes dhe vullnetit të tyre të plotë, procedura e hyrjes ishte e mundimshme si për mua, ashtu edhe për ta, meqë ngërthente në vete një proces tjetër, jo të zakonshëm, të veçantë, pra special. E specialja, në definicion, është e kundërta e normales. Andaj përkundër faktit që isha në Beograd dhe atje shkova me dokumente të Kosovës, kalimi i kufirit nuk ishte normal. Varësia nga e kaluara nga e cila lëngon Serbia vazhdon të mbetet një pengesë kyçe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe vazhdimin e dialogut në përgjithësi.

Pengesa kryesore që vjen nga ana e BE-së është mbyllja e syve karshi proceseve lokale. Kësisoj, me qëllim mbase të mirë – që është integrimi i serbëve të veriut në institucionet e Kosovës – BE-ja mbylli sytë dhe lejoi krijimin e Listës Serbe, një monstrum prej subjekti politik që kontrollohet prej qeverisë në Beograd. Ç’është më e keqja, BE-ja bashkë me qeverinë e Kosovës mbyllën sytë edhe sa i përket manipulimeve të zgjedhjeve që ndodhën në veri. Për të arritur qëllimin e integrimit formal u përdor çdo mjet i mundshëm, përfshirë këtu edhe ato anti-demokratike si mbushja e kutive të zgjedhjeve, gjë që e dëmtoi në masë përfaqësimin e serbëve në institucionet e vendit. Sot, Lista Serbe vepron sipas udhëzimeve të Beogradit, i jep përgjegjësi veç Beogradit dhe jo popullit serb në Kosovë, siç e thotë ligji dhe parimi i demokracisë. Kur një qëllim arsyeton çfarëdo mjeti, edhe nëse ato mjete janë në shpërputhje të plotë me qëllimin, arrijmë në situata të këtilla absurde si bojkotimi i institucioneve që po ndodhë këtyre ditëve. Kjo qasje, siç po shihet, është e gabuar dhe paraqet një rrezik serioz për gjithë procesin e dialogut.

Rrezik tjetër në dialog paraqesin atutë negociuese të të dyja vendeve. Serbia, duke qenë në pozitë më të mirë sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, po e përdorë atunë e Rusisë për të negociuar me BE-në. Kësisoj, ani pse zëvendëskryeministri Dačić thotë se kanë zgjedhur Evropën dhe jo Rusinë, treguesit si mosvënia e sanksioneve ndaj Rusisë dhe pritja solemne me paradë ushtarake që iu bë Putinit në Beograd e thonë të kundërtën. Kosova nuk ka partner tjetër pos BE-së, andaj edhe fuqia e saj negociuese është në shikim të parë më e dobët. Si atu mund të përdorë trajtimin e minoriteteve dhe nacionalizmin shqiptar, ani pse as njëra as tjetra nuk kanë gjasa të mëdha të bëhen politikë publike e shtetit.

Meqë qysh në fillim thash se dialogun e shoh si pjesë të politikës së zgjerimit, atëherë duhet thënë që kjo politikë zbatohet nga ana e institucioneve të BE-së, por në thelb udhëhiqet nga shtetet anëtare të saj. Kur e kemi parasysh këtë na dalin të qarta dy gjëra: e para, se Kosova nuk do të bëhet anëtare e BE-së, e mbase as që do të ecë në rrugën e integrimit përtej Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) nëse vazhdon të mos njihet nga pesë shtete anëtare; dhe e dyta, se Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE-së pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Të dy këto fakte janë duke u mohuar drejtpërdrejt apo tërthorazi në të dyja kryeqytetet. Madje, gjatë prezantimit tim në Kuvendin e Serbisë, përmendja e njohjes së Kosovës zgjoi reagime e debat të ashpër nga ana e deputetëve serbë, që ishte edhe një tregues tjetër i varësisë nga e kaluara dhe mungesës së normales në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Përfundimisht, një element që ka munguar thuajse tërësisht nga procesi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës është elementi njerëzor. Çka kanë fituar qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë nga ky dialog? Çka do të thotë dialogu për ta? Madje, çka do të thotë nënshkrimi i MSA-së për qytetarët e Kosovës? Dialogu, e bashkë me të edhe gjithë procesi i integrimit, është bërë pre e terminologjisë dhe koncepteve tekniko-politike që askush nuk lodhet t’ua sqarojë popullit. Deri tash BE-ja është përqendruar në arritjen e një normalizimi në nivel politik duke lënë anash popullin e Kosovës, e sidomos serbët në Kosovë. Çdo hap tjetër drejt dialogut duhet të ketë në qendër qytetarët e Kosovës dhe interesin e tyre, individual dhe grupor, në mënyrë që ky proces të ketë kuptim përtej dyerve të mbyllura të zyreve në Bruksel.

[Ky shkrim është bazuar në fjalimin e mbajtur në seminarin Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Beograd]