E drejtë, jo shpërblim

Të argumentuarit se Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave për shkak se është ‘vatër e islamistëve radikalë’ bie poshtë me vetëm një fjali të shkurtër sepse çdo gjë që shtohet bëhet e tepërt: Izolimi nuk ka ndihmuar kurrë!

0
1075

Të argumentuarit se Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave për shkak se është ‘vatër e islamistëve radikalë’ bie poshtë me vetëm një fjali të shkurtër sepse çdo gjë që shtohet bëhet e tepërt: Izolimi nuk ka ndihmuar kurrë!

A është normale që t’u mohohet qytetarëve të Kosovës lëvizja e lirë? A nuk duhet qytetarët e Kosovës t’i gëzohen faktit që edhe mos paçin mjete për t’i vizituar vendet në zonën Shengen, mund ta bëjnë këtë kur t’i sigurojnë ato? A s’është normale të gëzohesh për diçka që e ke pritur gjatë? Ani pse Kosova mund të mos ketë përfitime aktuale nga liberalizimi i vizave, më mirë ta kemi apo mos ta kemi?

Neni 13 i Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut specifikon qartë se:
1. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti.
2. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet.

Pra, a është normale që sigurimi i kësaj të drejtë të konsiderohet si shpërblim për qytetarët kosovarë kur në fakt kjo është një e drejtë themelore e njeriut? A është normale që të konsiderohet si shpërblim liberalizimi i vizave kur dihet se deri tani Kosova është shndërruar në një ‘geto’ brenda Ballkanit Perëndimor, si i vetmi vend qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm jashtë vendit të tyre?

Nuk është e drejtë të konsiderohet sigurimi i kësaj të drejte si shpërblim dhe privilegj i dhënë Kosovës në bazë të disa skenarëve politikë të presupozuar. E as nuk është e vërtetë që Kosovës i është dashur të mundohet më pak në këtë proces. Jo më larg se disa javë më parë (6 qershor 2016), është prezantuar draft raporti i parë për heqjen e vizave për Kosovën para Komisionit për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme të Parlamentit Evropian, ku më pas u zhvillua debati i parë mbi këtë çështje.

Deputetja sllovene Tanja Fajon, e cila është caktuar të jetë raportuese për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, e ka prezantuar këtë raport dhe ka rikujtuar se Kosova ka përmbushur 90 kritere në proces, që është shumë më shumë sesa kriteret të cilat kanë qenë për vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Bile për t’ua hequr merakun atyre që mendojnë se Kosova po shpërblehet, më lejoni t’ua rikujtoj se Kosovës i kërkohet një kosto e lartë për ta paguar. Kosovës i duhet ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht ‘absolut’ për liberalizimin e vizave, kështu kishte rideklaruar deputetja Fanjon hiç më larg se një javë më parë. Ajo bile e pranoi se asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur një kusht të tillë.

Andaj po jua rikujtoj se Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi përfshin humbje të territorit të Republikës së Kosovës, duke i falur Malit të Zi plot 82.3 km katrorë. Nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova pra ka humbur 82.3 km katrorë. Ky është përfundimi që kanë nxjerrë nga punimi i tyre shkencor profesorët universitarë Florim Isufi së bashku me kolegun e tij Shpejtim Bulliqi.

Tjetra, është e vërtetë që gjendja ekonomike e Kosovës është e keqe. Së pari, të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare të kryer gjatë vitit 2014 tregojnë se rreth dy të tretat e familjeve kosovare nuk kanë mundësi financiare që të përballojnë një pushim një javor larg shtëpisë, gati gjysma e kosovarëve s’kane qenë kurrë në pushim, 80% e tyre nuk dinë si ta mbulojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh, 0% e buxhetit familjar ndahet për aktivitete rekreative dhe 88% e buxhetit familjar shpenzohet në gjëra bazike për mbijetesë, si ushqim, banim, transport e veshmbathje.

Pra, qytetari mesatar i Kosovës nuk ka shumë mjete për ta shfrytëzuar lirinë që i jipet nga liberalizimi i vizave. Por, a duhet të jetë ky kriter që doemos duhet të plotësohet nga qytetarët e Kosovës për ta fituar të drejtën e lëvizjes së lirë? Nëse po, pse? A janë fajtorë qytetarët për gjendjen e rëndë ekonomike në vend? Të kujtojmë se qytetarët që posedojnë mjete të mjaftueshme financiare, edhe pa liberalizim të vizave ia kanë dalë të udhëtojnë ku kanë pasur qejf. Prandaj, në vend se të kërkohet ndalimi i lëvizjes së lirë për qytetarët mesatarë të Kosovës (kurdo që kanë mundësi), duhet të kërkohet me ngulm përmirësimi i gjendjes ekonomike të vendit në mënyrë që qytetarët të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjës së lirë.

Në anën tjetër, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike në Kosovë, sipas publikimit të Institutit Gap “Ekonomia e Vizave”, rreth 70,000 qytetarë të Kosovës aplikojnë për viza udhëtimi për në shtetet e zonës Schengen çdo vit dhe kjo u kushton pesë milionë euro për vit dhe pritje të gjata para ambasadave. Po pra, 5 milionë euro për çdo vit. Kjo shumë do t’i mungojë arkave të ambasadave me liberalizimin e vizave. Dhe kaq do të kursejnë kosovarët. Pra, rreth 70,000 qytetarë përfitojnë nga liberalizimi i vizave nëse jo më shumë.

Së fundmi sërish, liberalizimi i vizave nuk u sjellë shumë përfitime kosovarëve. Me liberalizim të vizave, të drejtën për të udhëtuar pa viza do ta kenë të gjithë qytetarët e vendit që posedojnë pasaporta biometrike të Republikës së Kosovës, dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) në ndonjërin nga shtetet e zonës Schengen. Por, liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk u mundëson qytetarëve punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Shengen. E po ashtu heqja e vizave nuk u jep të drejtë qytetarëve të Kosovës të kërkojnë azil.

Pra, duke mos pasur mjetet e duhura për ta shfrytëzuar liberalizimin e vizave, pasi shpenzimet për të udhëtuar janë goxha të mëdha, dhe në anën tjetër duke mos pasur mundësi për punë apo azil, i bie që liberalizimi i vizave në gjendjen aktuale të Kosovës nuk është ndonjë shpërblim, siç po thuhet. Qytetarët edhe pas liberalizimit të vizave do të vazhdojnë të jenë të varfër nëse nuk përmirësohet gjendja ekonomike. Liberalizimi i vizave nuk është se rregullon jetët e njerëzve si shkop magjik. Pra, para se ta vëmë në dyshim rëndësinë e liberalizimit, duhet shtruar pyetjet: çfarë kosto duhet ta paguajë Kosova dhe pse duhen bërë kompromise për një të drejtë?

Gjithsesi, duke i lënë anash pyetjet e fundit për t’u marrë vetëm me liberalizimin e vizave si proces, dua të pyes a nuk ia vlen entuziazmi që më në fund qytetarët nuk do të llogariten si qytetarë të klasës së dytë së Evropës? A nuk ia vlen që më në fund qytetarët e Kosovës do të dalin nga getoja e po lirohen nga ndjenja e rëndë e diskriminimit? A nuk ia vlen entuziazmi kur më në fund merr të drejtën që të takon si njeri!?

Të argumentuarit se Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave për shkak se është ‘vatër e islamistëve radikalë’ bie poshtë me vetëm një fjali të shkurtër sepse çdo gjë që shtohet bëhet e tepërt: Izolimi nuk ka ndihmuar kurrë!