E vërteta e pashmangshme mbi procesin e dialogut

Pa marrë parasysh komunikimin politik të realizuar deri më tani nga VV ose edhe aspiratat reale të shtetit të Kosovës, duhet të jemi realistë mbi atë se cilat janë pritjet tona për dialogun. Në fakt, rezultatet e këtij procesi pritet të ndikohen nga faktorë të ndryshëm që në fakt bëjnë të pamundur që shteti i Kosovës të pretendojë të dalë fitues.

0
626

Ardhja e Vetëvendosjes në pushtet normalisht ka ndërtuar pritje dhe hipoteza mbi atë se si qeveria Kurti do të sillet në procesin e dialogut. Kryeministri Albin Kurti e ka bërë shumë herë të qartë se çështja e dialogut nuk përbën prioritet për qeverinë e tij. Megjithatë, edhe qeveria Kurti shpejt pritet të jetë e detyruar të veprojë në drejtim të këtij procesi. Ndonëse Vetëvendosje njihet për qasjen nacionaliste dhe vetë z. Kurti më herët kishte kërkuar që ky proces të ndërtohet mbi parime e kërkesa të prera nga shteti i Kosovës, duhet patur parasysh që është e nevojshme dhe, në afat të gjatë, më e dobishme që të ndiqet një qasje më realiste në këtë proces. Më konkretisht, me qasje më realiste nënkuptohet që presioni ndërkombëtar, roli i Serbisë në proces dhe vetë koncepti i dialogut do të bëjnë që ky proces të ketë një konkluzion që jo detyrimisht do të jetë në përputhshmëri me atë që shteti i Kosovës, e veçanërisht VV, do të mund të aspironin.

Së pari, shteti i Kosovës, që edhe ashtu ka një sovranitet të brishtë, pritet që t’i nënshtrohet një presioni nga Bashkimi Evropian dhe SHBA që në fakt tejkalon mundësitë e çdo lideri për kundërshtim, pa marrë parasysh fuqinë ose legjitimitetin e tij në popull. Duke patur parasysh që e kaluara dhe e ardhmja e Kosovës janë të ndërlidhura ngushtë me BE-në dhe SHBA-në, shteti i Kosovës pritet që të jetë i detyruar të bëjë sakrifica në këtë drejtim. Së fundmi, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte deklaruar që “gjithçka që është rënë dakord duhet të zbatohet” dhe një theks i veçantë ishte vendosur mbi zbatimin e marrëveshjes mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë drejtim, duket që Qeveria Kurti do të duhet ta pranojë një proces të tillë në kushtet e tanishme.

Po ashtu, duhet patur parasysh që qasja e VV-së dhe e shtetit të Kosovës në drejtim të forcimit të pozitës në dialog dobësohet nga pala tjetër, pra Serbia. Shteti serb në krye me presidentin Aleksandar Vučić ka dëshmuar një qasje konsistente në procesin e dialogut duke arritur në një masë të neutralizojë të kaluarën me Kosovën. Së fundmi, Vučić i është referuar idesë se komuniteti ndërkombëtar nuk i kanë ofruar ndonjë nxitje Serbisë që të marrë një hap të tillë si p.sh për të njohur Kosovën. Në këtë mënyrë duket që Vučić vazhdon me krijimin e një narrative të atillë që shteti serb është duke u shndërruar në një lloj viktime në këtë proces dhe kështu në mënyrë efektive ka arritur që të krijojë një pamje të paqartë mbi atë se cila realisht është pala e dëmtuar në këtë proces, e që pa asnjë dyshim kjo palë është Kosova nëse bazohemi në dëmet e luftës.

Argumenti i tretë në favor të asaj se do të duhej të ishim realist mbi rezultatet e një procesi të këtillë është se dialogu nuk supozohet që të ketë një palë fituese. Në fakt, autori i njohur Ken Cloke shprehet kështu mbi zgjidhjen e konflikteve: “ne duhet të heqim dorë nga ideja se ekziston një e vërtetë e vetme politike, e cila është e jona, dhe në vend të kësaj të njohim që çdo argument politik është një përpjekje për të vërtetuar të vërtetën dhe vlefshmërinë, vlerën dhe rëndësinë e përvojës së veçantë subjektive shoqërore ose politike të dikujt.” Pra, duhet patur parasysh që shteti i Kosovës dhe VV duhet të jenë të sinqertë para publikut në raport me parimin se nuk ka drejtësi në dialog.

Mund të konkludojmë se pa marrë parasysh komunikimin politik të realizuar deri më tani nga VV ose edhe aspiratat reale të shtetit të Kosovës, duhet të jemi realistë mbi atë se cilat janë pritjet tona për dialogun. Në fakt, rezultatet e këtij procesi pritet të ndikohen nga faktorë të ndryshëm që në fakt bëjnë të pamundur që shteti i Kosovës të pretendojë të dalë fitues. Për më tepër kjo nuk përkon as me idenë e dialogut si proces dhe maksimumi që mund të pritet është njohja nga Serbia e shoqëruar me kompromise reale.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.