Edhe një krizë

Qindra policë, gjykatës, prokurorë e disa qindra serbë të tjerë braktisën pozitat e tyre në institucionet shtetërore në Kosovë për shkak të nisjes së zbatimit të vendimit për përdorimin e targave RKS në veri të vendit nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës janë larguar nga institucionet e Qeverisë së Kosovës sepse janë detyruar nga qeveria serbe, në bashkëveprim me rusët. Megjithatë, shumë serbë të Kosovës renditin një sërë ankesash kundër qeverisë së Kurtit që sipas tyre kanë sjellë te kjo krizë.

0
75

Përveç flamujve të rinj serbë të vendosur në sheshin kryesor, qetësia normale e vjeshtës prishej vetëm nga fëmijët që luanin futboll mbas shkollës. Tani që shumica e kafeneve janë futur përbrenda ngase ajri ka nisur të ftohet, nuk po ndodhte ndonjë gjë përveç myshterinjëve të vonë të pasditës që po nxitonin për të blerë salsiçet e fundit, duke  shkëmbyer thashetheme me dyqanxhinj apo duke zënë vend dikur për drekë, kafe apo për birra nëpër bare, kafene a restorante.

Njerëzit – shqiptarë e serbë – kalonin urën ku ndodheshin të parkuara edhe ca automjete më shumë të KFOR-it dhe të karabinierëve italianë, si dhe vetura të Policisë së Kosovës. Dy ose tre gazetarë ecnin rreth rrethit me shtatoren e princit Lazar në kërkim të “tensioneve,” gjersa njerëzit i shpërfillnin e shikonin punët e tyre.

Porse, më 5 nëntor, mbi 500 policë, gjykatës, prokurorë e disa qindra serbë të tjerë braktisën  pozitat e tyre në institucionet shtetërore për shkak të nisjes së zbatimit të vendimit për përdorimin e tabelave RKS në veri të Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas disa llogaritjeve, rreth 6,000-7,000 (10,000, sipas Qeverisë së Kosovës) vetura, posedojnë tabelat e vjetra të paraluftës. Ka pasur njoftime për djegje të veturave nëse pronarët i riregjistronin ato.

Kjo krizë nënkupton se sistemi gjyqësor dhe policor ka ndaluar së funksionuari në veri dhe në horizont duket një krizë e plotë kushtetuese. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës janë larguar nga institucionet e Qeverisë së Kosovës sepse janë detyruar nga qeveria serbe, në bashkëveprim me rusët.

Megjithatë, shumë serbë të Kosovës renditin një sërë ankesash kundër qeverisë së Kurtit që sipas tyre kanë sjellë te kjo krizë, duke përfshirë mungesën e nismave për të provuar dhe nisur pajtimin; qasjen e pakompromis ndaj çdo problemi dhe mungesën e dialogut ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës. Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së Aktiv, Miodrag Miličević, tha se është abuzuar fizikisht e verbalisht nga policia speciale e Kosovës afër pikëkalimit kufitar në Jarinjë. Të enjten, më 16 nëntor, një kameraman i Insjader-it dhe një 15-vjeçar, të dy shqiptarë të Kosovës, sipas njoftimeve, janë sulmuar në veri të Mitrovicës nga një bandë serbe.

Për rrjedhojë, ata theksojnë se marrëdhëniet dhe vetë dialogu ka shënuar një kthim prapa. Një punonjës administrativ i Gjykatës Themelore, serb i Kosovës, tha se integrimi në fushën e gjyqësorit dhe të sundimit të ligjit ishin gjëja më e mirë që kishte rezultuar nga dialogu:

“Ky ishte suksesi i tij më i madh. Ai (Kurti) ia doli ta shkatërrojë plotësisht të vetmen histori multi-etnike dhe të Brukselit me veprimet e tij të marra në lidhje me gjëra të padëmshme… Ai do të shkatërroje edhe shumë më shumë, por ky është problem i tjetër kujt,” thotë ai.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë kërkuar serbëve të Kosovës që të kthehen në institucione:

“U bëjmë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe të serbëve të Kosovës të respektojnë obligimet e tyre nga Dialogu dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për t’i kryer detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale,” nënvizon BE-ja.

Ata po ashtu i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës të shtyjë zbatimin e vendimit për targat dhe të themelojnë menjëherë Asociacionin e Komunave me shumice serbe. Qeveria e Kosovës kishte rënë dakord për këtë në vitin 2013 por kjo akoma nuk është bërë.

Qeveria Kurti është fuqishëm kundër Asociacionit, ndërsa presidentja Vjosa Osmani thotë se Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar Asociacionin si jo-kushtetues. Sidoqoftë, ajo çfarë thotë Gjykata në fakt është se ai ishte kushtetues por duhen disa ndryshime për ta harmonizuar atë plotësisht. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë këmbëngulës, derisa BE thekson:

“BE po ashtu i bën thirrje Kosovës të nisë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se Asociacioni/Bashkësia duhet të themelohet. Kësisoj, themelimi i tij paraqet një obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për zbatimin e këtij obligimi minon parimin e Sundimit të Ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.”

Kurti gjithashtu deklaroi në një konferencë për media se kjo po ndodh ngaqë Serbia nuk dëshiron të pranojë propozimin franko-gjerman për Dialogun. Peter Stano, zëdhënës i politikës së jashtme për Bashkimin Evropian, deklaroi për New Perspektivën:

“Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, u ka paraqitur palëve një propozim për të bërë progres konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën drejt normalizimit  gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre… Tani ne kemi pranuar përgjigjet nga të dyja palët dhe po i shqyrtojmë ato.”

Në këtë moment, të dyja bashkësitë janë tepër të ndara derisa shqiptarët e Kosovës  ngulmojnë se serbëve u është thënë nga qeveria e tyre që të largohen, “dhe do të marrin një bursë nga qeveria serbe. Por ata s’duan t’i lënë vendet e tyre të punës,” theksoi një biznesmene shqiptare e Kosovës dhe drejtoreshë e një OJQ-je në Mitrovicë që punon me shumë serbë të Kosovës dhe ka shumë miq ndër ta. “Miqtë e mi akoma vijnë për kafe.”

Ndërkohë, shumë serbë të Kosovës ngulmojnë njëlloj se ata vetë kanë zgjedhur të largohen nga pozitat e tyre dhe se qeveria Kurti ka kohë që po i zhgënjen, kjo ka të bëjë me shumë më shumë sesa vetëm me targat. Në një artikull të saj të lexuar gjerësisht në Balkan Insight,  aktivistja e shoqërisë civile, Milica Andrić Rakić, shkroi se “dalja e serbëve të Kosovës nga institucionet dhe çmontimi i tyre nuk ka të bëjë me ndikimin rus, ka të bëjë me ndikimin e Kurtit.”

Më 21 nëntor, pas “gjithsejt 6 takimesh, që zgjatën 8 orë”, siç e përshkroi Kurti në RTK, nuk u gjet një marrëveshje dhe BE-ja e pranoi se kishin arritur në qorrsokak, duke fajësuar të dyja palët :

“Do të njoftoj shtetet anëtare (të BE-së), Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të Palëve dhe mungesën e plotë të respektit për obligimet ligjore [ndërkombëtare], dhe kjo vlen në veçanti për Kosovën. Kjo duergon një sinjal shumë negativ politik,” tha në një deklaratë, Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.