Edhe një qeveri Vučić: çfarë të pritet

A do të zgjedhë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, një rrugë për harmonizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe rreshtim me Evropën, apo do të vazhdojë qëndrimin e provokimit dhe sfidimit që ka zbatuar viteve të fundit?

0
343

(Ky artikull është shkruar nergut për botim në New Perspektiva. Autori, Dr Eric Gordy, është profesor në London University College.)

Ka kaluar një kohë e gjatë në Serbi që kur janë mbajtur zgjedhjet më 3 prill pa u krijuar ende një qeveri, ndonëse ekziston një pritje e përgjithshme se një e tillë do të formohet javët e ardhshme. Pjesa më e madhe e spekulimeve për qeverinë e re sillet rreth çështjes së orientimit të saj, posaçërisht në lidhje me politikën rajonale dhe të jashtme. A do të zgjedhë presidenti Aleksandar Vučić një rrugë për harmonizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe rreshtim me Evropën, apo do të vijojë qëndrimin e provokimit dhe sfidimit që ka zbatuar viteve të fundit?

Një parashikim mund të bëhet me nivel të lartë sigurie: përgjigjja në këtë pyetje varet mirëfilli nga njeriu tek i cili është përqendruar tërë pushteti politik, dhe pa dyshim ai është Vučići vetë. Një parashikim tjetër është më pak i sigurt, por duket i mundshëm: ka më tepër gjasa të shohim vazhdim të konfrontimit sesa ulje të tensioneve.

Vučići, me gjasë, do të sillet si Vučići, duke sunduar në mënyrë personaliste përmes një rrjeti zyrtarësh të emëruar, të cilët ose nuk shquhen për ndonjë gjë ose janë të pakëndshëm. Nuk është e sigurt se kë do të zgjedhë për kryeministër në vend të Ana Brnabićit, por hamendja e dëgjuar më së shpeshti është se ai do të jetë ministri i Financave, Siniša Mali. Mali me siguri i përshtatet kallëpit të të emëruarve të lartë nga Vučići: u mungon baza politike e pavarur dhe komprometohen lehtë. I kritikuar ashpër nga publiku i gjerë për arrogancën e tij dhe për korrupsion, ai mban një diplomë të dyshimtë doktorature, e cila mund të përdoret si shkas për ta shkarkuar kurdoherë. Ai do të ishte soji i vartësit të manipulueshëm që Vučići preferon.

Faktorët që sugjerojnë për një moderim më të madh

Duke pasur parasysh se Vučići përsëri po e pozicionon veten të bëjë ç’t’i do qejfi, ka në fakt një numër faktorësh që mund të të shtyjnë të mendosh se ajo çfarë me gjasë ai dëshiron është një moderim më i madh.

Kryekreje, ai duhet të marrë parasysh se ç’mendojnë njerëzit e tjerë. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare më 2020, Vučići arriti të sundojë, efektshëm, pa opozitë. Perveç 19 vendeve që mbaheshin nga partitë e minoriteteve, partia e vetme e jo regjimit në parlament ishte SPAS, e drejtuar nga dezertori i së djathtës ekstreme nga Partia Demokratike, ish-heroi i vaterpolos, Aleksandar Šapić. Mbarë anëtarësia e partisë së tij më vonë iu bashkua kolektivisht SNS-së së Vučićit, dhe Šapići u shpërblye duke u instaluar si kryetar i Beogradit.

Këtë herë, SNS-së së tij i mungojnë gjashtë ulëse për të pasur shumicën. Ajo mund të formojë shumicën duke u bashkuar në një koalicion me një grup partishë të minoriteteve apo cilësdo prej partive ideologjike. Më së shumti gjasa ka që qeveria e re do të përfaqësojë, porsi aktualja, një koalicion të SNS-së me Partinë Socialiste të Serbisë, e cila drejtohet nga Ivica Dačići që prej vdekjes në burg të ish-kryetarit themelues të partisë, Slobodan Milošević, më 2006. Gjersa përfaqësimi i minoriteteve ka zbritur në 13 ulëse, 86 ulëset e  partive opozitare mbulojnë një pjesë më të gjerë të spektrit sesa që është parë viteve të fundit në parlamentin e Serbisë. Tridhjetë e pesë ulëse u takojnë shëmbëllimeve të ndryshme të krahut nacionalist ultra të djathtë, dhe tridhjetë e tetë UZPS-së, grupimi i fundit i mbetjeve të asaj që dikur ishte Parti Demokratike. Më interesantja do të jetë prania e 13 deputetëve nga koalicioni i majtë i të gjelbërve Moramo (“Ne duhet”), paraqitja e fortë e të cilëve në zgjedhjet e fundit ta kujton paraqitjen e fortë të partisë me emrin e ngjashëme Možemo (“Ne mundemi”) në Kroaci më 2021, dhe shënon kthimin e politikës majtiste në rajon pas tre dhjetëvjeçarëve të përjashtimit total (përkundër numrit të madh të partive “socialiste” dhe “social-demokrate” të krahut të djathtë).

Vučićit nuk do t’i duhet ta dëgjojë opozitën parlamentare, por po të dojë, ajo do të jetë në dispozicion, dhe deputetët e opozitës do të kenë qasje më të madhe në media përmes pozitave që mbajnë. Kjo mund të krijojë hapësirë për llogaridhënie më të madhe. Nëse vazhdon vala e protestave herëpasherë të forta në lidhje me shkatërrimin e mjedisit, platforma e opozitës mund të zgjerohet.

Një faktor i dytë që mund ta shtyjë qeverinë e re të largohet nga ekstremizmi i saj është pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Agresioni i qartë dhe numri i madh i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit e kanë bashkuar Evropën, të paktën përkohësisht. Çdo shtet evropian ka shprehur solidaritet të fuqishëm me Ukrainën (në rastet e Gjermanisë e Francës, verbalisht) përveç Bjellorusisë, Hungarisë dhe Serbisë.

Para prillit, herë-herë është shprehur ndjesia se Vučići mund të kridhej në hezitimin e tij për t’u përballur me Rusinë derisa ishte para zgjedhjeve, me shpresën se Serbia do të rreshtonte politikën e saj me pjesën tjetër të Evropës sapo ta konsolidonte më tej pushtetin e tij. Këtu, presioni i madh diplomatik nga SHBA-ja dhe BE-ja bie ndesh me varësinë e lartë të Serbisë nga Rusia për energji. Anipse ka pasur ca shenja lëvizjeje nga ana e Serbisë, arsyeja që shumë outsajderë ende presin lëvizje është se veprimi i vonuar mbase shpërblehet me po aq zemërgjerësi sikurse veprimi i hershëm.

Faktorët që tregojnë vazhdim të mosndryshimit

Ka edhe disa faktorë që pengojnë atë lloj moderimi për të cilën është shpresuar. Këtu përfshihet hyrja e çuditshme të OHR-së (Zyra e Përfaqësuesit të Lartë) në qasjen përherë e më agresive të Kroacisë ndaj Bosnjës e Hercegovinës Kundërshtimi i fortë popullor në të cilin hasi nisma e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt për ndryshimin e ligjit zgjedhor për të favorizuar partitë etnokratike, pasuar me braktisjen e kësaj nisme nga Schmidt-i, në pamje të parë duket si fitore për pjesën e madhe të publikut që kundërshton ndarjen e mëtejme në baza etnike. Por nuk ka dyshim se ajo do të përdoret nga separatistët kroatë dhe serbë për të arsyetuar argumentin e tyre se janë të kërcënuar pandalur nga fqinjët e tyre, dhe se bota është përjetësisht e painteresuar.

Mbas tridhjetë viteve të përsëritjes së pikërisht kësaj formule si mantra për të akumuluar pushtetin, as Vučići e as ndonjë politikan tjetër nacionalist në rajon nuk do t’i bëjë ballë tundimit për ta përsëritur atë edhe një herë. Kjo do të thotë se do të ishte e arsyeshme të priten edhe disa vite të tjera pozash maksimaliste në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe (veçanërisht) Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës. Teksa ky ka qenë gjithmonë një rezultat i mundshëm, pa marrë parasysh hapat e gabuar të OHR-së, tani është bërë edhe më i mundshëm.

Kjo gjasë rritet nga mungesa e vazhdueshme e angazhimit kuptimplotë të Shteteve të Bashkuara. Kur Joe Biden mori postin e presidentit, tek njerëzit që ndjekin zhvillimet në rajon kishte pritshmëri të larta se administrata e tij do ta rikthente ndikimin amerikan me iniciativa të hershme për reformat kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë, dhe një shtysë të përtëritur për zgjidhje mes Kosovës e Serbisë. Arsyet pse kjo nuk ka ndodhë ndoshta sillen nga fuqia e kufizuar e administratës Biden në politikat vendore e deri te lindja e prioriteteve më urgjente në politikën ndërkombëtare. Sido që të jetë, kjo nënkupton se SHBA-ja nuk është e pranishme që të kompensojë angazhimin indiferent të BE-së.

Ndërkohë, çdo pritje se Vučići do të ndryshojë kursin e politikës ndaj Evropës apo ndaj shteteve fqinje duhet të ketë parasysh rolin e medias në jetën publike në Serbi. Tashmë është e zakonshme të thuhet se kontrolli i shtypit dhe mediave transmetuese përbën element kyç në mbajtjen në pushtet të grupit sundues. Qartazi, ky kontroll përdoret për të heshtur dhe qitur jashtë loje kundërshtarët potencialë, për të mbajtur një atmosferë kërcënimi dhe për të përforcuar urrejtjen ndaj shteteve fqinje dhe, kur është e nevojshme, për të admiruar elitat vendëse dhe Putinin.

Ajo që thuhet më rrallë është se kontrolli i fuqishëm i medias është edhe grackë. Vučići, apo cilido politikan tjetër, do ta ketë tepër të vështirë të kthejë mbrapsht kursin në lidhje me çështjet për të cilat, për shumë vite, përgjigjja është përsëritur pambarimisht si ungjill. Ky mund të jetë një rast në të cilin makineria propaganduese del të jetë më e fortë se pronari i saj, duke kufizuar kësisoj opsionet e mundshme dhe hapësirën për manovrime për shkak të suksesit të saj në mbytjen e diversitetit të ideve.

Në fund, edhe pse ka pasur pritje të mëdha se lufta në Ukrainë ka ndryshuar thelbësisht rrethanat politike në Evropë dhe ka rritur presionin e pashmangshëm për rreshtim, ky mëtim mund të vlejë vetëm për një kohë të shkurtër. Muajin e fundit, duket sikur Rusia ka ndryshuar qëllimet e saj të luftës nga pushtimi dhe ndryshimi i regjimit në përftime të kufizuara territoriale në lindje dhe jug të vendit. Kjo rrit gjasat që lufta të zgjasë për shumë kohë dhe që mund të marrë karakterin e një lufte rraskapitëse në të cilat zgjerimet e vogla të territorit kalojnë sa te njëri, aq te tjetri. Në një rast të tillë, edhe jehona morale edhe niveli i interesimit ndërkombëtar në luftë do të bie, siç do të bie edhe interesimi i Evropës nëse Serbia bashkërendon apo jo politikën me BE-në. Vučići mund të kalkulojë se mund të shmangë rrezikimin e marrëdhënieve të afërta me Putinit thjesht duke pritur.

Çfarë shenja ka dhënë Vučići?

Po të shohim këta faktorë që luftojnë pro dhe kundër një ndryshimi të politikës, cilido rezultat është pak a shumë njëlloj i mundshëm. Ajo çfarë duhet të mos harrojmë është se në një shtet të sunduar nga pushtete të përqendruara në personalitete, rrethanat shpeshherë dinë të jenë më pak përcaktuese sesa vendimet nga individi që ushtron pushtetin. Në Serbi, ai individ është, natyrisht, Aleksandar Vučići.

Atëherë, çfarë ka bërë Vučići që mund të japë ndonjë shenjë se në ç’drejtim priret më shumë? Javët e fundit që çojnë deri te vendimi se si do të krijohet qeveria e re, ai: 1) ka provokuar mosmarrëveshje të panevojshme diplomatike me Kroacinë duke organizuar dhe hequr dorë nga një vizitë “personale” tek përmendoret e Luftës së Dytë Botërore; 2) ka etiketuar si “agresiv” dhe “anti-serb” një grup protestuesish në Novi Sad pasi çoi agjentë privatë të sigurisë për t’i rrahur ata; 3) ka dërguar ministrin e Brendshëm në qytetin kufitar të Suboticës për t’iu bashkuar një parade force kundër refugjatëve; dhe 4) ka konsoliduar kontrollin e tij mbi mediat duke iu lëshuar frekuenca stacioneve në aleancë me politikën e tij.

Këto nuk janë sjellje të një personi që përgatitet për të bërë zhvendosje kah pajtimi dhe moderimi. Sado që disa elemente të situatës mund të duket se bëjnë thirrje për një ndryshim të tillë, mbetet mister se përse do të priste dikush një lëvizje të tillë nga Vučići, tërë karriera e të cilit është shënjuar nga një qëndrim paranojak dhe një nevojë dëshpëruese për armiq.

Brenda një a dy javësh, mund të marrim vesh nëse projektimet tona për të ardhmen janë të sakta. Por duket se provat që Vučići po na jep janë të mëdha. Nuk është se nuk e dimë se nga vjen ai,  dhe nuk është se nuk po na tregon se në ç’drejtim është nisur.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.