Është fshehtësi publike, për aq sa mund të flitet për fshehtësi, se Aleksandar Vučić dhe Mitropoliti i Malit të Zi dhe bregdetit, Amfilohije Radović, zoti e ndjeftë, nuk duroheshin mes vete. I pari si politikan, fillimisht me ngjyra të mbyllta radikale e më vonë edhe ato të “naprednjakut”* përkundër të gjitha instrumenteve të pushtetit të cilat tashmë i kishte në duar, gjithnjë është munduar, dhe ende mundohet të imponohet si udhëheqës shpirtëror i popullit serb.
Këtë e bënte me pak a shumë të njejtën energji me të cilën edhe Kisha Orthodokse Serbe provon (dhe ka sukses) të imponohet në çështjet “tokësore” , dmth në zgjidhjen e problemeve politike. Por, sido që të jetë, gjendja është kjo që është, pra pa kishë nuk ka komb, pa Vučić-in nuk ka shtet, pa ushtrinë nuk ka paqe, ndërkaq pa popull edhe bën.
Mos më keqkuptoni, por kjo kohë e virusit korona dëshmoi se jeta, edhe ajo kolektive, mundet të jetohet, pa problem, edhe pa popullin. Nëse dikur “ndodhte populli” tash po ngjan e kundërta, edhe pse po e kam vështirë të e gjej fjalën e duhur. Çndodhje e popullit, ndoshta? Ja një rast të jemi kreativ me fjalët.
Mundesh edhe pa dalë fare nga shtëpia të jetosh shumë komod, ndërsa në rrafshin shpirtëror, kjo paraqitet edhe më e lehtë. Mjafton të kesh një kyçje në rrjet dhe i ke të gjithë aty, edhe popullin edhe shtetin, edhe kishën, me një fjalë të gjithë. Populli në facebook, shteti në twitter, e të tjerët… edhe ata këtej rrotull sillen.
Punojnë në terren, apo zyrë, vetëm të domosdoshmit, veprimtaritë shërbyese, pra shërbimet. Ata janë heronjtë e heshtur të cilët na thurin gjithçka edhe pse nuk i shohim, nuk i njohim përpos kur identitetet e tyre nuk dalin në sipërfaqe, çka nuk domethënë patjetër të jetë sipërfaqja e Danubit, sepse kjo mund të ndodhë fare mirë edhe në det, pasi Serbia shpirtërore ka det. Apo së paku bregdet. Krejt kjo mund të dalë në sipërfaqe në formën e ndonjë afere apo konference për shtyp ashtu si do ta shohë të arsyeshme shërbimi i presidentit Vučić. Po çfarë shërbimi, ashtu si e sheh ai vet të arsyeshme. Shërbimi është ai vet, personalisht. A ju kujtohet ai rasti “Verifikojeni ku po shkon dhe çfarë po bën ai helikopter atje lart”? Guxoi helikopteri të luajë sipër kokës së tij, derisa ai po mbante konferencë!
Lëreni ju lutem, edhe pse duket krejt e pamundur para, ose së paku kështu mund të dukej moti, para dy-tri vjetësh për shembull, unë megjithatë mendoj se bën. Bën pa popullin. A nuk e dëshmuam në këtë kohë korone se edhe “derbi” më i madh mund të luhet pa publik, dhe kjo fare mirë mund të shijohet përmes ekraneve? Edhe bastoret punonin. Edhe paratë u shkonin bastoreve përmes rrjetit.
Ja, në kohën e robotëve dhe superkompjuterëve kuantik, madje edhe biokompjuterëve, kujt i duhet populli? Populli i kushton shumë shtrenjë shtetit. Edhe ashtu popujt e sotëm nuk janë çfarë ishin dikur. Nuk i ngjajnë më vetes. Vishen si gjithë popujt e zakonshëm të planetit, sa nuk dallohen, e madje as adetet e veta nuk i respektojnë. Por presidenti merret me paradigmën. Respekton adetet. Ja për shembull, shkoi në ceremoninë mortore të vlladikës, peshkopit ortodoks, të cilin derisa ishte gjallë as që e bënte fort hesap. Ndërkaq peshkopët, nga frika se ua merr publicitetin, dhe porositë e tyre “qiellore” dhe “tokësore” nuk do të jenë në qendër të vëmendjes, vendosën të mos e lejojnë të flasë. Njëzëri vendosën të vetëdijshëm se nëse Vučić e merr fjalën, atëhere…! Më më mirë dhe më sigurtë ishte të mos ia japin fjalën, vendosën peshkopët. Por, mundet kush, presidentit të Serbisë të ia ndalojë një konferencë për shtyp, pasi ja ndaluan fjalën në ceremoni? Peshkopët?
Kështu disa e shajnë, e disa thonë që ishte në rregull, se duhet përkulur edhe para atij të cilin derisa ishte gjallë nuk e respektoje, apo kishe “luftuar” me të në fushëbetejen politiko-shpirtërore. Kjo ngjanë si lojë online. Është fat që edhe populli me këtë rast ndodhet në rrjet, e jo në fushëbeteja reale, pra nuk i duhet të japë jetë.
Në fund, gjithçka mbetet disi joreale, virtuale. Disa thonë se ky ishte ofendim. Disa thonë të kundërtën. Sido që të ketë qenë, Presidentit Vučić, pa leje për fjalim shkoi në Mal të Zi dhe mbijetoi politikisht.
Tani, kur veç po flasim për çudira dhe të çuditshëm, të jesh i çuditshëm nuk dmth se nuk ke të drejtë. Pavarësisht se çfarë mendohet për një njeri të çuditshëm, ai gjithnjë vepron me të veten. Ai është definitivisht i çuditshëm por origjinal, sidomos në paraqitjet dhe fjalimet e tij. Por, pasi jemi mësuar me të, sikurse edhe pak a shumë me të gjithë internet liderët në Ballkanin perëndimorë për shkak të karrierës së gjatë politike e cila aspak nuk ngjan me një ylber, ai dëshmoi se di të shfrytëzojë dhe krijojë situata aq të çuditshme të cilat mediat nuk kanë se si i anashkalojnë edhe po të duan. Nuk mundet asnjë paraqitje e tij publike të kalojë pa u vërejtur. Nëse edhe ndodhë, dijeni se për këtë mediat do të kumbojnë me ditë të tëra.
Presidenti Vučić, sikur çdo mëkatarë tjetër, dhe gjithësecili në politikë, i do kamerat dhe do të bisedojë me njerëz përmes tyre. Posaqërisht ai do të llafosë për politikë, e sidomos për temën më të rëndësishme politike, pra për atë vet. Kjo dashuri është e sinqertë, e pamatshme dhe thjesht ndihet ajo marrëdhënie mes tij dhe teknologjisë, mes tij dhe medias, mes tij dhe kombit, në mes tij dhe… tij. Për kombin, Serbia është e vogël, e për Vučić-in edhe më e vogël, kështu që ai do të angazhohet për ide më të gjera. Sido që të jetë, për këdo që flisni ju në fakt flisni për veten, shfaqni një pjesë tuajën apo tërësinë sipas rastit, por ai nuk e shfaq kurrë tërësinë. E pse ta shfaqë?
Amfilohije, ndjesë pastë, doli para Zotit. Vučić del para popullit i cili rri ulur apo shtrirë në shtëpi dhe gjithçka e bënë nga distanca. Tash edhe njerëzit po i varrosim nga distanca dhe ngushëllime u dërgojmë ashtu. Për të gjallët, çka është më së keqi, sepse të gjithë janë pretendent që Vučić-it t’i rrëmbejnë publicitetin. Por, do të ketë rast, që edhe Vučić t’i thotë vlladikës fjalët që nuk arriti t’ia thoshte sa ishte gjallë. Mbase atje ”lart” kanë internet? Apo nuk është gjithçka veç një rrahje qerpiku?
*“përparimtarit”
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës