Është koha për pushim

Me datën 27.04.2017, rreth orës 10:00 të mëngjesit, erdhi lajmi se është refuzuar kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt dhe deklarata e tij se kjo është fitore e shqiptarëve ndaj Serbisë. E vërtetë, por edhe e dhunës mbi drejtësinë dhe organizimin ndërkombëtar. Të njëjtën ditë u caktua një mbledhje urgjente e Qeverisë së Serbisë… sigurisht për të thënë: “Uh, mirë është”!

0
1194

Kërcënime me dëbim. Kërcënime me luftë. Tubime para gjykatës. Presion politik. Presion mbi manastirin e Deçanit. Të gjitha këto e përcollën pritjen e vendimit të gjykatës në Colmar rreth  ekstradimit në Serbi të Ramush Haradinajt, i cili u arrestua më 4 janar në bazë të një fletëarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 me të cilën ai akuzohet për krime lufte në Kosovë. 

Prej ditës kur u arrestua Ramush Haradinaj, në Kosovë filloi të mbretëronte një histeri lidhur me këtë. Fakti se gjykata disa herë e shtyu vendimin e saj vetëm sa e shtoi këtë histeri dhe tërë ngjarjen, do të thoja, e çoi tepër larg. Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, deklaroi se “nëse e dojnë Kosovën etnikisht të pastër pa serbë, le t’bajnë hajgare me Ramushin!” Këtë e deklaron njeriu që është deputet në Kuvendin e Kosovës. Pa kurrfarë ngurrimi. Dhe? Askujt asgjë! Nuk ka reagim të qartë të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk ka reagim të Francës mbi sistemin gjyqësor të së cilës në këtë mënyrë bëhet presion i jashtëzakonshëm. Ka reagim vetëm nga Serbia, natyrisht – zemërim!

Pason deklarata e veteranëve të luftës, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët kërcënojnë me destabilizim të përgjithshëm në Ballkan, dmth në të gjitha mjediset ku jetojnë shqiptarët, në Kosovë, Maqedoni, në jug të Serbisë, nëse Ramushi ekstradohet në Serbi për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte të kryera gjatë konflikteve luftarake më 1998 dhe 1999 në Kosovë.

Koha është për një deklaratë të re kërcënuese. Vetë Ramush Haradinaj deklaron që kërkesa për ekstradimin e tij në Serbi është thirrje direkte për luftë! Paj ku po jetojmë ne kështu? Në çfarë kohe kështu po jetojmë ne? Nëse dikush ka kryer një krim, atëherë ai duhet të përgjigjet, apo jo? Nëse dikush nuk ka kryer krim do të lirohet nga akuzat, apo jo? Prej kur është synimi për drejtësi thirrje për luftë? Po flas për cilindo rast, jo vetëm për rastin e Ramush Haradinajt apo për rastin kur bëhet fjalë për shqiptarë. Paj kemi pasur me dhjetëra serbë të cilat i janë ekstraduar Tribunalit në Hagë e askush për këtë nuk bëri thirrje për luftë. Ishte pak a shumë e pakëndshme, por LUFTË?!

Sa i përket reagimeve nga Serbia ndaj të gjitha këtyre deklaratave kërcënuese, ato ishin kuazi të ashpra, por unë thellësisht besoj që edhe vetë pushtetmbajtësit në Serbi në fshehtësi kanë shpresuar që Franca nuk do ta ekstradojë Haradinajn. Sepse, çka të bëhej me të pastaj? Çka me serbët që do të shndërroheshin në pëllumba argjile? Çka me Preshevën?

Me datën 27.04.2017, rreth orës 10:00 të mëngjesit, erdhi lajmi se është refuzuar kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt dhe deklarata e tij se kjo është fitore e shqiptarëve ndaj Serbisë. E vërtetë, por edhe e dhunës mbi drejtësinë dhe organizimin ndërkombëtar. Të njëjtën ditë u caktua një mbledhje urgjente e Qeverisë së Serbisë… sigurisht për të thënë: “Uh, mirë është”!