Festival i Kafesë te Ura e Ibrit

Një Festival i Kafesë është mbajtur në fund të shtatorit në Urën Kryesore në Mitrovicë, si pjesë e një projekti më të madh pajtimi. Në Festival morën pjesë bende nga Shkolla multietnike e Rokut në Mitrovicë (Mitrovica Rock School), pati kafe e gjevrekë falas, ndërsa morën pjesë mbi 1500 vetë, sipas organizatorëve.

0
92

A pijmë kafe? Një ftesë e tillë aq normale e megjithatë brenda vetes bart shumë kuptim kur këtë e bëjnë shqiptarët, serbët, romët e Kosovës  – posaçërisht kur prej saj krijojnë një festival.

Festivali i parë i përvitshëm i Kafesë u mbajt më 29 shtator, në Urën Kryesore, i organizuar nga Community Building Mitrovica, New Social Initiative (NSI) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me mbështetjen e USAID-it dhe komunës së Mitrovicës Jugore. Në aktivitetet e festivalit morën pjesë bende muzikore nga Shkolla multietnike e Rokut në Mitrovicë (Mitrovica Rock School), pati kafe e gjevrekë falas dhe, sipas organizatorëve, në të morën pjesë mbi 1500 vetë.

Festivali ishte vonuar nga viti i kaluar për shkak të pandemisë.

Fillimisht ishte menduar të mbahej në urë, por organizatorëve iu mohua kjo kërkesë dhe kësisoj u mbajt në anën jugore të Urës Kryesore.

Për festivalin u njoftua gjerësisht në mediet e Kosovës, duke përfshirë edhe në transmetuesin publik RTK.

Shumë vetë diskutuan për të mbasi llogaria e njohur në Twitter @Kos_Data postoi një video të ngjarjes, duke marrë afro 3000 pëlqime dhe duke ndërruar perceptimin e asaj  se si janë në të vërtetë marrëdhëniet e komuniteteve në Mitrovicë. Shumë komentues vunë në pah dallimin ndërmjet asaj që tregohet në media dhe realitetit në terren.

Grupi protestues serb anti-Vučić, Čuvari/ke Vatre, ripostoi videon në faqen e tyre në Facebook, duke theksuar: “OK, regjimi i Aleksandar Vučićit shërben helm propagande për të mbajtur tensionin e përjetshëm në prag të luftës, ndërsa një festival kafeje po mbahet në Mitrovicë, mu pranë urës kryesor të Ibrit.”

Por festivali është vetëm një pjesë e një projekti më të gjerë pajtimi që përfshinte podcast-e me rrëfime pozitive nga të gjitha komunitetet si dhe një treg komuniteti ndanë Urës Kryesore, që tubonte bizenese nga të dyja anët.

Milivoje Raičević, zyrtar për komunikim nga NSI, një nga organizatorët, tha se ideja për festivalin erdhi nga vetë OJQ-të: “Festivali i Kafesë ishte nismë më vete, e zhvilluar nga ekipi, ngase donim të kthenim konotacionin pozitiv të urës dhe për të shërbyer si pikë takimi dhe jo pikë ndarjeje.”

Tregjet e komunitetit të cilat janë mbajtur në nëntor 2021 dhe në maj 2022 vinin nga grupe joformale të komunitetit me të cilat janë këshilluar OJQ-të. Së shpejti do të organizohen të tjera, theksuan OJQ-të.

A është i qëndrueshëm Festivali i Kafesë? Raičević thotë se “ideja është që festivali të bëhet ngjarje e përvitshme. Parashikohet të zhvillohet në 3 vitet e ardhshme [përmes projektit]. Ne po synojmë ta bëjmë më të gjatë për nga ditët, me pjesëmarrje të më shumë bizneseve, sponsorëve, dhe kësodore me më shumë vizitorë. Do të punojmë po ashtu nga afër me autoritetet lokale, edhe të veriut, edhe të jugut, në mënyrë që të identifikojmë mundësi të tjera. Pas përfundimit të këtij projekti, ngjarja do të bëhet periodike për qytetarët, me mbështetjen e tyre, duke marrë përsipër aspektin e planfikimit dhe të financave.”

Një shqiptar nga Mitrovica tha se “është ide e mirë, tani pala serbe do të shoh fotografitë tona së bashku ndërsa shqiptarët do të kenë ide më të mirë për jetën në Mitrovicë.”