Fitnesi ‘shkrin’ dallimet etnike

Qytetarët e Gjilanit njihen si adhurues të sportit përgjithësisht dhe, duke qenë një prej komunave që përmendet për të mirë kur është fjala për bashkëjetesën mes komuniteteve të ndryshme, nuk është çudi që në njërën prej palestrave të fitnesit në këtë qytet mund të takosh edhe shqiptarë edhe serbë duke ushtruar në të njëjtën hapësirë.

0
604

(Ky artikull është botuar për herë të parë më 11/11/2021)

Gjilani njihet si qytet i sportit, me klube si SC Gjilani e Drita në Superligën e Kosovës në futboll, KB Drita në basketboll e KH Drita në hendboll, dhe qytetarët e tij thonë se jetojnë për sportin. 

Si komunë, Gjilani është i rrethuar me disa komuna me shumicë serbe siç është Ranillugu e Parteshi. 

Bashkëjetesa me komunitete të ndryshme në këtë komunë nuk paraqet problem për qytetarët e këtij qyteti. 

Adrian Selimi, trajner i fitnesit në palestrën “Fivestar” në Gjilan, në një bisedë për New Prespektiva ka rrëfyer për punën e tij me dy klientë nga komuniteti serb. 

Selimi thotë se Bilja Tasić dhe Marija Stojanović, e kanë kontaktuar atë pasi e kishin parë punën e tij në rrjetet sociale. 

“Në kohën teknologjike në të cilën po jetojmë, rezultatet e punës tani më janë shumë herë më lehtë të prezantohen. Duke qenë shumë aktiv në rrjete sociale, duke publikuar rezultatet e klientëve, janë vënë re prej tyre dhe jam kontaktuar nga ato”, tregon Adrian Selimi.

Bilja Tasić, nga fshati Shillovë i Gjilanit, tregon se e ka nisur fitnesin para tri viteve, por e kishte ndërprerë disa herë për shkak të situatës së krijuar nga COVID–19. Ajo thotë se babai i saj ia kishte paguar abonimin njëvjeçar në këtë palestër. 

“Kam nisur të shkoj në fitnes para tre viteve, por e kam ndërprerë disa herë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Abonimin tim në këtë fitnes e ka paguar babai im sepse unë isha në Nish dhe këtu kishte një zbritje për abonim njëvjeçar. Unë nuk kam paragjykime e as nuk i ndaj njerëzit sipas kombësisë, por vetëm nëse janë të mirë apo të këqij, këtë e kam mësuar nga prindërit e mi” rrëfen ajo duke thënë se nuk ekzistojnë paragjykime te ajo dhe familja e saj.

Marija Stojanović, nga Cërrnica e Gjilanit, thotë se e do fitnesin dhe nuk e ka problem të ushtrojë në një palestër ku ka shqiptarë dhe nuk ka hasur në paragjykime asnjëherë pse i përket komunitetit serb.

“E dua sportin dhe fitnesin, kam filluar në palestër së bashku me shoqën time. Palestra është e mirë dhe e kënaqshme për të gjitha kriteret e mia. Nuk kam pasur paragjykime, sepse jam e lirë dhe nuk kam problem të shkoj në palestra shqiptare, kafiteri dhe markete, familja ime nuk kanë asnjë problem në lidhje me këtë që e bëj”, thotë Stojanović.

Trajneri Selimi thotë se në Gjilan është e pashmangshme jetesa me komunitetin serb në sfera të ndryshme.

“Ne duhet të pranojmë faktin që jemi duke jetuar në një shtet multietnik. Duke pasur parasysh që në Gjilan është një numër i konsiderueshëm i minoritetit serb është e pashmangshme edhe jetesa në një apo shumë sfera me ta. Paragjykimet gjithmonë do të ekzistojnë, por në punë apo biznes më shumë vijnë nga konkurrentët sesa nga klientët apo etniciteti shqiptar të cilit i përkas”, thekson Selimi i njohur te klientët e tij me nofkën “Kaninxha”. 

Bilja ka vetëm fjalë të mira për trajnerin Selimi i cili ka pranuar t’i ndihmojë në fillimet e saj që t’i realizojë si duhet ushtrimet në fitnes. 

“Me trajnerin, Adrianin, u takuam rastësisht, e mbaj mend që ai erdhi të më tregonte një ushtrim të cilin nuk e bëja siç duhet, pastaj vazhduam dalëngadalë të bëheshim miq. Unë jam një person që nuk kam paragjykime dhe kur e pashë që ai është një djalë i mirë, mbi të gjitha një shok i mirë, për mua kjo ka rëndësi të madhe dhe nuk kishte rëndësi se cilës kombësi i përkiste ai. Duke qenë se ai është vërtet një profesionist i madh në punën e tij, kohën e fundit kam filluar të stërvitem përsëri me kujdesin e trajnerit Adrian. Zgjodha që të stërvitem me një trajner të mirë”, tregon Bilja Tasić.

Selimi thotë se ambientimi i tyre ka qenë i lehtë dhe nuk ka pasur paragjykime që krijojnë dallime etnike apo diçka të tillë.

“Zakonisht puna me klientë në fitnese ka të bëjë me raportin vetëm trajneri dhe klienti. Ambientimi ka qenë i lehtë kur unë së bashku me klientë të tjerë të mi e kemi pranuar si të mirëqenë bashkëpunimin edhe me minoritete te tjera. Është e natyrshme që ka vështirësi. Por në përgjithësi janë pranuar pa krijuar dallime etnike”, tregon ai.

Bilja, e cila ka kryer fakultetin juridik dhe punon në farmaci, ka vetëm fjalë të mira për stafin e palestrës ku ushtron ajo.

“Unë kam vetëm fjalë falënderimi për të gjithë në këtë fitnes, në radhë të parë për trajnerin tim i cili është i sinqertë, këmbëngulë për të më ndihmuar për t’i arritur qëllimet e mia. Po ashtu edhe trajnerët e tjerë, punëtorët e tjerë në palestër më kanë pritur në mënyrë të mirë që nga fillimi dhe nuk jam ndierë në siklet asnjëherë”, thotë ajo. 

Marija është e kënaqur me mikpritjen që i është bërë nga stafi i kësaj palestre. 

“Pritja ka qenë e kënaqshme ndaj neve nga stafi i fitnesit, janë sjellur njëjtë sikurse ndaj të tjerëve që ushtrojnë aty, duke treguar respekt, dashuri dhe mirësjellje shoqërore”, tregon Marija Stojanović e cila punon si profesoreshë e edukimit fizik. 

Recepcionistja e “Fivestar” në Gjilan, Sofie Leka, vlerëson kulturën sportive të klientëve të komunitet serb për të cilët thotë se janë në numër të konsiderueshëm.

“Ka klientë të komunitetit serb në një përqindje të konsiderueshme prej të cilëve edhe meshkuj edhe femra; vlen të theksohet që kanë një kulturë shumë të mirë sportive. Ata kanë një komunikim shumë të mirë me të gjithë klientët. Po ashtu nuk ka pasur paragjykime apo hezitime nga shqiptarët, përkundrazi e vlerësojnë sjelljen e tyre”, thotë Sofie Leka në bisedë për New Perspektivën.