Fjalët e ambasadorit Hovenier: A pritet të ndryshojë diçka? 

Duket se këta emra [Hovenier, Hill, Escobar, Biden] do të përdoren si leva presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, në mënyrë që ajo e cila ka ndodhur deri tash, me të gjitha mangësitë dhe padrejtësitë, të vazhdojë

0
137

Jeff Hovenier është emri i ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë. Për shkak të një varg çështjesh të ndryshme, e dëgjova me vëmendje intervistën e tij dhënë për televizionin publik (RTK).

A nënkuptonte se ndryshimi i ambasadorit – e para kësaj edhe ndryshimi i administratës amerikane tash e një vit – do të sillte edhe ndryshim të qëndrimit amerikan për këto çështje?

Përveç Hovenierit, që u konfirmua nga Senati amerikan në nëntor të vitit të kaluar në këtë pozitë, administrata Biden ka nominuar edhe diplomatin tjetër me përvojë, Christopher Hillin, për ambasador në Serbi. Një gjë e tillë është parë gjerësisht si një përpjekje e Amerikës për ta përshpejtuar ritmin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli.

Sidoqoftë, në intervistën në fjalë, ambasadori Hovenier nuk e përforcoi atë shpresë. Përkundrazi! Ambasadori përforcoi qëndrimet e deritashme amerikane për çështjet kyçe që kanë shkaktuar ngërç në dialog.

Ai i dha mbështetje dialogut të zhvilluar tash e dhjetë vjet në Bruksel nën lehtësimin e Bashkimit Evropian (BE). Po ashtu, ai u shpreh se trajektorja e të dyja vendeve ishte në Evropë duke u munduar ta mohonte mirësjellshëm idenë e evokuar nga gazetari se angazhimi i SHBA-së mund të ndryshonte duke u bërë më i drejtpërdrejtë.

“Shumë punë është bërë, dhe mendoj se shumë punë ka mbetur të bëhet… mendoj se mund të shihni indikacione edhe se partnerët tanë evropianë po bëjnë çdo përpjekje  në këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja për të arritur përparim,” tha mes tjerash Hovenier.

Unë nuk arrij ta kuptojë se për çfarë indikacionesh e ka fjalën ambasadori, nuk arrij ta kuptojë as se ku është ajo “shumë punë e bërë” dhe nëse ka vizion të qartë mbi punën që ka mbetur të bëhet.

Përveç këtij qëndrimi, ai përforcoi edhe atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke kërkuar ide nga Qeveria për modele të caktuara që do të ishin të përshtatshme për vendin. Më pas, Hovenier po ashtu përforcoi qëndrimin për tokën te Manastiri i Deçanit dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Uashingtonit për të cilën kryeministri i Kosovës është shprehur në formë eksplicite se nuk do ta respektonte.

Dhe, pavarësisht shprehjes së qartë të kundërshtive me Kosovën, u kujdes të thoshte që marrëdhëniet tona ishin shumë të mira dhe se progresi i gjithëmbarshëm në vend ishte “mrekulli”.

Nëse ajo që është bërë në Kosovë përgjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve pavarësi mund të quhet mrekulli, si mund të shpjegohet atëherë se një pjesë fare e vogël e kosovarëve e besojnë një gjë të tillë? Dhe po ashtu, si është e mundur që shumica e kosovarëve, popullit më proamerikan në botë ndoshta (edhe sipas vetë ambasadorit), nuk e mbështesin pozicionin amerikan për asnjërën nga këto çështje?

Fjalët e z. Hovenier – një diplomat që ka punuar në Kosovë edhe më herët – nuk dukeshin se kishin lidhje me bindjet dhe pikëpamjet e popullit të Kosovës. E kam fjalën, fjalët e ambasadorit linin përshtypjen se ato bindje e pikëpamje të kosovarëve as që ekzistonin. Meqë populli i Kosovës është kaq proamerikan, pse ambasadori amerikan të paktën nuk merret me bindjet e shprehura në mënyrë fanatike, qoftë edhe sa për t’i ndryshuar ato? Për fat të keq, i njëjti moskomunikim ishte edhe më herët, me ambasadorët e tjerë dhe me administratat tjera amerikane.

Emri i Hovenierit, ashtu si ai i Hillit, e ashtu si ai i Escobarit apo edhe i vet Bidenit, pavarësisht që mund t’i rikujtojnë Kosovës një kohë të suksesshme në raport me Serbinë (arritjen e lirisë dhe Pavarësisë), bazuar në fjalët e të parit nuk del se japin shpresë. Më e shumta, duket se këta emra do të përdoren si leva presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, në mënyrë që ajo e cila ka ndodhur deri tash, me të gjitha mangësitë dhe padrejtësitë, të vazhdojë. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.