Fotografia e një banaliteti ekstrem

Mbiprodhimi i banaliteteve të tilla nisi me dialogun. Kishim një mbi-koncentrim në dialog, derisa në terren problemet trasheshin e lëmshi bëhej gjithnjë e më i madh. Madje, duket sikur sa më shumë probleme të kishte në terren aq më i rëndësishëm bëhej dialogu. Dhe vet dialogu, në vend se të zgjidhte probleme, krijoi probleme të reja.

0
319

Muajin e kaluar (23, 24 dhjetor) një fotografi nga Mitrovica mori shumë vëmendje. Aty shfaqej Mitrovica e Jugut e lënë në terr pa rrymë, dhe Mitrovica e Veriut krejt e ndriçuar. Një fotografi e ngjashme me ato që shfaqnin njëkohshëm favellat e varfanjakëve brazilianë me ndërtesat luksoze të pasanikëve brazilianë. Ironia është se ata që kishin rrymë në atë moment të dhënë, serbët, e kishin të paguar atë produkt prej atyre që nuk e kishin, shqiptarëve.

Një tjetër histori e zakontë diskriminimi? Unë nuk e besoj që i gjithë rrëfimi për Mitrovicën, lëre më për Kosovën, mund të përmblidhet në atë fotografi. Kjo mund të jetë një histori e pazakontë diskriminimi. Shteti i Kosovës nuk privilegjon serbët në kurriz të shqiptarëve. Fundja, janë shqiptarët (Albin Kurti) ata që e kanë në dorë pushtetin, për aq sa e kanë. Ajo që e prodhon këtë privilegj, bashkë me diskriminimin, është rrethana banale politike që u krijua nga një varg faktorësh të ndryshëm, përfshirë edhe shtetin e Kosovës (edhe pse, me një përfshirje shumë më margjinale krahas faktorëve tjerë). Pra, s’është fjala as për një fotografi të diskriminimit pozitiv. Është fjala për imazhin e një produkti banaliteti, për imazhin e një produkti shpërfilljeje, të cilin do ta shqyrtojmë në këtë tekst. 

Ky imazh banaliteti përveç që ilustron ndarjen absurde mes shqiptarëve dhe serbëve edhe në rrymë, efektivisht i ndan edhe perceptimet e tyre për atë realitet. Në një anë i kemi shqiptarët që ndihen të diskriminuar e i lënë fajin qeverisë aktuale, apo edhe të mëhershmeve (varësisht se cilës ia kanë parë hairin personalisht) për tradhti kombëtare. Në tjetrën kemi serbët, ata që s’e paguajnë rrymë, që kushedi se çka pretendojnë. Është e njëllojshme me ato fotografitë nëpër internet që i ndajnë njerëzit në bazë të ngjyrës që këta të fundit e shohin. Dikush të verdhë e dikush të gjelbër. Veç kësaj here, dallimi është shumë shumë drastik në ngjyra. Shqiptarët shohin të kuqen, serbët të kaltërtën. 

Ky imazh banaliteti, për më tepër, doli se ishte gënjeshtër. Por, kujt i bën, marrë parasysh që shumica edhe ashtu sheh atë që dëshiron të shohë e kurthuar brenda një rrethane fort banale. 

Kjo rrethanë banaliteti që e ka prodhuar këtë ndarje të thellë mes komuniteteve me aq shumë të përbashkëta është më e fortë se shteti i Kosovës dhe më e fortë se aspirata e Serbisë për copëtim apo defunksionalizim të shtetit të Kosovës. Kjo rrethanë banale edhe pse e mban shtetin e Kosovës me parimet e tij themeltare, efektivisht i sulmon përditë ato. Dhe, është mu kjo rrethanë e cila përkundër që i del kundër formalisht nacionalizmit shqiptar e serb, në të njëjtën kohë i ruan të dyja si të ishin artefakte të çmuara antikiteti. 

Çka e kompozon këtë rrethanë? I ashtuquajturi “stabilitet” në rend të parë. Pra, është qyqarllëku kokëfortë që s’heq dorë nga status quo-ja. Pastaj, është grumbulli i fjalëve idiote të pushtetarëve jokompetentë serbë e kosovarë. Dhe po ashtu është grumbulli i veprimeve të paguximshme që s’arrijnë të shtyjnë përpara kurrfarë agjende, kurrfarë politike, që për destinim e kanë dështimin. Dhe i cili dështim mbetet gjithnjë i pandëshkuar.  

Pse duhet që serbët e veriut të Kosovës të kenë rrymë në kohën kur shqiptarët që ua paguajnë atë rrymë (përveç që paguajnë edhe rrymë për veten) nuk kanë? Pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e shkarkoi ministrin e tij Goran Rakiq përkundër që ky dha deklarata tendencioze gjatë aksionit policor në Veri? Këto janë pyetje që një mitrovicas që ka pësuar dhunën e luftës në çfarëdo forme nuk mund t’i ndrydhë, sado i afërt me pushtetin të jetë. Është e padrejtë. Ishte e padrejtë. Pikë. 

Mbiprodhimi i banaliteteve të tilla nisi me dialogun. Kishim një mbi-koncentrim në dialog, derisa në terren problemet trasheshin e lëmshi bëhej gjithnjë e më i madh. Madje, duket sikur sa më shumë probleme të kishte në terren aq më i rëndësishëm bëhej dialogu. Dhe vet dialogu, në vend se të zgjidhte probleme, krijoi probleme të reja. Kjo qasje e bën “të dëshirueshëm” edhe ndonjë konflikt tjetër ndër-etnik me njerëz të thjeshtë të dhunuar apo vrarë, vetëm e vetëm që dialogu të marrë rëndësi e vëmendje. Dhe bash kjo qasje çon në idenë se rezultati i dialogut do të ishte shkopi magjik për zgjidhjen e të gjitha problemeve, dhe e të gjitha lëmsheve të krijuara ndër vite. Njerëzit realë u lanë në dorë të grupeve kriminale, dhe situatat reale prodhoheshin mu prej këtyre grupeve – siç është edhe rasti i rrymës. Dialogu ecte. Pastaj s’ecte. Ndërkombëtarët thonin që ai duhej të ecte domosdo. Pastaj ecte pak sërish. Ndarja në terren mund të thellohej, por optimizmi se gjithçka do të zgjidhej nga lart, përmes dialogut, mbetet çuditërisht tepër i fortë. Ku e ka pikëmbështetjen kjo pikëpamje? Ajo presupozon që mitrovicasi shqiptar i lartpërmendur ka një fuqi të papërfillshme në krahasim me pushtetarin Albin Kurti. Që ai mund të blihet lehtë. Ja që nuk është kështu. Në Kosovë, raporti i shtetit me qytetarin është rrënjësisht më i ndryshëm se në shtetet e tjera. Një qytetar i thjeshtë, fare i thjeshtë, mund të jetë më i pushtetshëm se vet përfaqësuesi i tij politik në situata që i njeh. Shihni historinë kryengritëse të shekullit të kaluar të shqiptarëve të Kosovës. Jo të gjithë janë servilë pushtetesh. 

Prandaj, zgjidhja nga lart poshtë nuk mund të kalojë. Marrëveshja përfundimtare nuk mund të zgjidhë kurrfarë problemi të anashkaluar tash e sa kohë. Shkëputja e dialogut prej qytetarëve për të cilët dialogohet ka kohë që ka ndodhur. E kjo shkëputje veç sa u konfirmua edhe me Albin Kurtin, që i hëngri krejt qëndrimet e tij për dialogun një nga një duke treguar se është krejtësisht pa qëndrim dhe krejt i paaftë për të përfaqësuar.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.