Frika, dhimbja dhe e ardhmja

Këta përvjetorë të rëndë, përderisa na bëjnë të kujtojmë frikën e dhimbjen dhe t’i kujtojmë anëtarët e familjes e fqinjët që mjerisht i kemi humbur, duhet të shërbejnë edhe si rikujtim, si thirrje për zgjim, që ta krijojmë, siç thotë Nevena, një të ardhme që nuk e përsërit të kaluarën, për ta vazhduar punën për një paqe të qëndrueshme.

0
1590

Shkrimi i Nevena Radosavljević-it, “Kujtimet e 17 marsit”, përmbyllet me mendime të rëndësishme. Ajo thotë se e kaluara nuk mund të ndryshohet por e ardhmja po, se depozitat e kujtesës sonë nga këto përvoja traumatike dhe ndërtimi i paqes janë të ndërlidhura. Pavarësisht kujtimeve të rënda, që ajo e pranon se i takojnë edhe komunitetit serb edhe atij shqiptar, ajo nuk do që ato të përsëriten më ndonjëherë. Paqja duhet të arrihet në mënyrë që këto kujtime të mos u përsëriten tjerëve.

Çfarë urtësie! Mënyra se si ua lëmë trashëgim kujtimet tona, historinë tonë fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhshme është thelbësore për mbajtur paqen. Paqja në Kosovë nuk duhet të arrihet, pasi ajo tashmë ekziston në vend, por është më se e rëndësishme që ajo të mbahet.

Kur i kujtojmë ngjarjet e tmerrshme të marsit të vitit 2004, duhet të kujtojmë që pati viktima nga të dyja palët, se si në të gjitha konfliktet e ngjashme të mëdha dhe jo aq të mëdha, gjithmonë kemi më shumë se vetëm një palë, përndryshe nuk do të kishte konflikt. Komuniteti serb përjetoi disa ditë të tmerrshme të dhunës dhe trajtimit çnjerëzor në duar të disa shqiptarëve. Tetë serbë u vranë dhe qindra u lënduan, kisha ortodokse dhe vende të trashëgimisë u shkatërruan dhe dëmtuan, njerëzit u dëbuan nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre. Në anën e shqiptarëve u vranë njëmbëdhjetë, dhe shumë vetë u lënduan, xhamitë në Beograd dhe Nish u sulmuan dhe iu vu zjarri. Dhe nëse numërojmë, u vra edhe një zyrtar policor i UNMIK. Por, është më mençur të mundohemi të kuptojmë përse ndodhin këto ngjarje të tmerrshme sesa vetëm të numërojmë.

Kjo është një arsye tjetër se pse duhet ta përdorim me kujdes fjalën “pogrom”. Është fjalë e paqartë dhe e kontestueshme. Fjala “pogrom” konsiderohet se nënkupton një masakër të organizuar të një grupi tjetër dhe natyrisht kjo është edhe më tej e diskutueshme sa i përket vitit 2004, edhe pse autoritetet qendrore në atë kohë ishin fjalëpak në reagimin e tyre. Kjo fjalë historikisht rrjedh nga rusishtja dhe zakonisht është përdorur për sulmet antisemitike. Heqja e kësaj fjale të rëndë dhe emocionuese nga narracioni mund të ndihmojë një qasje më të përshtatshme për të kuptuar çfarë ndodhi në Kosovë 13 vite më parë.

Duhet të mendojmë që t’ia kujtojmë vetes se këto ngjarje mizore janë zakonisht pjesë e një procesi dhe jo ngjarje të izoluara që mund të shkëputen nga ajo që ka ndodhur më parë. Është një proces zinxhiror dhe hallkat janë aty. Një situatë e ngjashme përkon edhe me memorializimin polako-gjerman të Luftës së Dytë Botërore, ku pala gjermane, në kuaduer të Qendrës së saj kundër Dëbimeve, planifikoi ta themelonte një muze në Berlin dedikuar dëbimeve gjatë luftës. Nga shumë vetë u përceptua se ata po përqëndroheshin në ekspozimin e dëbimeve të gjermanëve nga territoret polake më 1944 dhe 1945, pa i vendosur ato ngjarje në kontekst të mbarë luftës dhe pa i lidhur ato me krimet e luftës dhe veprimet e mëhershme, me atë proces të tërë të luftës.

Është shumë e vërtetë se viktimat e vitit 2004 që humbën anëtarë të familjes, miq dhe shtëpitë do të donin të gjejnë drejtësi dhe të mësojnë kush ishin autorët. Njëjtë edhe shqiptarët që humbën anëtarët e familjes dhe shtëpitë e tyre më 1998 e 1999 shtrojnë të njëjtat pyetje. Kush e bëri? Ku janë ata? Pse nuk ka drejtësi? Përgjigjet do të ndihmonin për të davaritur frikën.

Frika nuk njeh kombësi. Serb, shqiptar, i krishterë, hebre, musliman – të gjithë frikësohemi njëjtë. Të gjithë ndiejmë dhimbje të njëjtë. Jo më larg se në shkurt të këtij viti, njerëzit në Kosovë më thanë se kur si rezultat i retorikës politike me të cilën u shoqërua i ashtuquajturi incident me trenin, u përdorën narrativa të luftës, ata e kishin ndierë sërish atë frikën e tmerrshme të luftës. Këtë e dëgjova nga të dyja palët. Dhe kjo situatë ishte koreografuar dhe politizuar nga politikanë që duhej të dinin më mirë se sa t’i politizonin çështjet qoftë edhe vetëm për ta mbajtur pushtetin e tyre dhe kështu duke mos bërë asnjë hap përpara drejt një paqeje të qëndrueshme.

Sidoqoftë, për herë të parë, Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, kur takoi gazetarët në Çagllavicë me 16 mars tha se ngjarjet e marsit 2004 kishin qenë një turpërim për Kosovën dhe se çfarë ka ndodhur në atë kohë ishte e turpshme.

Këta përvjetorë të rëndë, përderisa na bëjnë të kujtojmë frikën e dhimbjen dhe t’i kujtojmë anëtarët e familjes e fqinjët që mjerisht i kemi humbur, duhet të shërbejnë edhe si rikujtim, si thirrje për zgjim, që ta krijojmë, siç thotë Nevena, një të ardhme që nuk e përsërit të kaluarën, për ta vazhduar punën për një paqe të qëndrueshme.