Gjendje para lufte, lëshim i topit në tokë apo përshpejtim i gjërave?

Thelbi i problemit, sipas mendimit tim, është që ajo marrëveshje që u nënshkrua, e cila u arrit me vështirësi të mëdha dhe ende nuk është implementuar as 50%, duket se nuk paraqet asgjë për askend. Atëherë çka kemi bërë gjatë 5 viteve të fundit?!

0
1283

Jemi dëshmitarë të tensioneve të reja në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës kohët e fundit. Shkak i drejtpërdrejtë për këtë ishte një tren jotipik të cilin Serbia e vendosi në linjën Beograd – Mitrovicë, si dhe reagimi i palës shqiptare dhe dërgimi i njësive të policisë speciale ROSU në veri të Kosovës, mirëpo duket që ky tregim është goxha më i thellë dhe që prapë diçka po “rrokulliset pas bregut”.

Në fakt, pas nënshkrimit të “Marrëveshjes së Brukselit” na kanë bindur, bile neve serbëve, se policia speciale dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nuk guxojnë të jenë në veri pa miratimin e KFOR-it. Ky tregim u shemb si kullë prej letrash që në rastin e  parë, d.m.th. në sfidën e parë pak më të madhe. Na mbetet të pyesim veten a kemi qenë të mashtruar nga „liderët“ dhe „negociuesit“ tanë apo pala shqiptare thjesht e ka shkelur marrëveshjen në të cilin të gjithë bëjnë be. Natyrisht, e kam parasysh edhe atë se ai tren special nuk ishte asgjë tjetër pos një provokim i pastër, por gjithsesi edhe reagimi ka qenë në shpërputhje me sfidën. 

Thelbi i problemit, sipas mendimit tim, është që ajo marrëveshje që u nënshkrua, e cila u arrit me vështirësi të mëdha dhe ende nuk është implementuar as 50%, duket se nuk paraqet asgjë për askend. Atëherë çka kemi bërë gjatë 5 viteve të fundit?! Ajo që për mua është edhe më e çuditshme është se pas atij incidenti organizohen negociata në Bruksel në nivelin më të lartë, d.m.th në nivelin e presidentëve dhe kryeministrave. Deklaratat që i dëgjuam pas kësaj, janë, thënë më së buti, konfuze dhe aspak nuk ngjallin besim pas tërë kësaj. Presidenti i Serbisë (përndryshe politikisht mjaft i parëndësishëm në këtë moment) qysh nga ai treni fatkeq flet sikur mobilizimi për luftë vetëm sa nuk ka filluar. Kryeministri i Serbisë dhe zonja Mogherini njoftojnë se është rënë dakord që të ulen tensionet dhe të vazhdojnë negociatat në nivelin më të lartë. Presidenti i Kosovës del me deklaratën se Serbia, me ndihmën e Rusisë, dëshiron të aneksojë veriun e Kosovës sipas skenarit të Krimesë, derisa Kryeministri i Kosovës thotë se po hyhet në fazën e fundit, përfundimtare të dialogut. A e keni ju ndonjë gjë të qartë nga e tërë kjo, sepse unë nuk po kuptoj asgjë? Në këtë moment nuk do të vijë (nuk guxon të vijë) deri tek lufta në Ballkan. Serbia nuk ka fuqi të aneksojë veriun e Kosovës, nuk ka pasur fuqi ta mbrojë, e lëre më që tani ta kthejë atë me çfarëdo intervenimi ushtarak, e as Rusia nuk do t’i hynte ndonjë aventure të tillë, për këtë jam goxha i sigurtë. Faza përfundimtare e dialogut? Këtu shoh një lloj logjike, në veçanti pasi bisedimet janë ngritur në nivelin më të lartë, edhepse deri tani as për së afërmi nuk është implementuar ajo që është dakorduar e as që funksionon ajo që është implementuar. Duke e pasur parasysh këtë, për çka atëherë shërben faza përfundimtare e negociatave? Çka po përfundon me këtë? Dhe çka do të ndodhë atëherë kur të përfundojnë këto negociata, me çfarëdo rezultati? Gjithçka është zgjidhur? Të gjithë janë të lumtur? Paj, ju lutem. 

E tërë kjo më duket pa shumë logjikë. Pa mençuri, gjithsesi. Të kalohet në një nivel të ri kur vetëm sa e kemi gërvishtur pak nivelin e mëparshëm, në një moment delikat të çrregullimeve në botë është larg nga sjellja e mençur e veçanërisht larg nga ajo e dobishmja për njerëzit të cilëve këta njerëz në krye do të duhej t’u shërbenin.   

Paj, për hair na qoftë.