Goditja elektrike

Me gjithë respektin e duhur për të gjithë bashkëqytetarët dhe situatën financiare në të cilën ndodhemi të gjithë, taksat dhe detyrimet duhet të paguhen. Jo më kot kudo në botë është i njohur proverbi i famshëm anglez “nuk ka drekë falas”.

0
35

Këto ditë jemi dëshmitarë të bisedave që zhvillohen dhe debatohen intensivisht si në planin politik ashtu edhe në atë të përditshëm shoqëror, e që kanë të bëjnë me një temë shumë të ngutshme, e cila, si një pikë në çdo buxhet familjar, është një shpenzim i madh. Sigurisht e keni qëlluar, bëhet fjalë për faturën mujore të energjisë elektrike.

Pas ngjarjeve fatkeqe në Kosovën e përfshirë nga lufta, dhe për të ndihmuar popullin që u gjet në gjendje të vështirë financiare dhe varfëri të përgjithshme, për arsye se nuk kishte punë dhe asnjë mënyrë tjetër për të siguruar ekzistencën e popullsisë, qeveria e atëhershme ndërmori një zgjidhje solomonike, për të lehtësuar bile deri diku në çdo mënyrë të mundshme jetën e popullatës e cila nuk mori vendim të largohet nga territori i Kosovës dhe të emigrojë më tej në Serbi dhe në perëndim. Njëri prej këtyre mekanizmave është edhe ai që të mos i paguhen detyrimet e rregullta mujore apo vjetore shtetit siç janë faturat e energjisë elektrike, faturat e ujit, taksat, regjistrimi i mjeteve motorike e kështu me radhë. Duke qenë se kjo ishte një temë delikate për mbarë popullin dhe politikanët në periudhën në vijim, praktika e çdo qeverie të mëpastajme ishte e njëjtë. Kjo ishte një lloj marrëveshjeje e heshtur që u respektua derisa të gjendet zgjidhja më e mirë për këtë situatë pa rrugëdalje në të cilin hyhej gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës.  Dhe kohë kishte kaluar. Dhe atë shumë kohë. Kishin kaluar rreth 23 vite. Kur njeriu shikon prapa 23 vite, mund të ishte bërë shumë më tepër sa i përket kësaj çështjeje, por kjo çështje është futur vazhdimisht nën tepih dhe duket se tani i ka ardhur fundi.

Në dorën e liderëve aktualë politik mbetet që ta zgjidhin këtë çështje sepse definitivisht e gjithë kjo situatë nuk po shpie askund. Me gjithë respektin e duhur për të gjithë bashkëqytetarët dhe situatën financiare në të cilën ndodhemi të gjithë, taksat dhe detyrimet duhet të paguhen. Jo më kot kudo në botë është i njohur proverbi i famshëm anglez “nuk ka drekë falas”. Pikërisht për shkak të një proverbi të tillë kaq të thjeshtë, vendet që e shikojnë botën përmes tij, kanë përmirësim në çdo kuptim të kësaj fjale. Taksat duhet të paguhen ashtu që për të gjithë ne të jetë më mirë. Të gjithë do të pajtohemi për këtë dhe mendimi im personal është se duhet të krijohen nivele për pagesa në mënyrë që secili të klasifikohet në grupe për pagesa sipas të ardhurave të tyre mujore. Në këtë mënyrë, bashkëqytetarët që janë në gjendje më të vështirë financiare do të mund të paguanin më lehtë detyrimet e tyre sepse ato do të reduktoheshin, për dallim nga bashkëqytetarët që kanë më shumë të ardhura në baza mujore.  

Se si do të zgjidhet mënyra e pagesës këtë do ta shohim në periudhën e ardhshme, por sa i përket fillimit të aplikimit të të gjitha atyre që u përmendën më sipër nuk do të ketë më surpriza sepse marrëveshja është arritur. Siç transmeton gazeta ditore „Danas“ por edhe mediat tjera, Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme njoftoi se negociatorët në Bruksel arritën një marrëveshje për një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve energjetike në kuadër të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së, në të cilat përcaktohen detyrimet specifike të të dyja palëve. Siç citon gazeta e mësipërme nga burimet e saj, kompania Elektrosever, e cila është në pronësi të Serbisë dhe e cila është themeluar në Kosovë, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe sipas ligjit të Kosovës. Në këtë mënyrë i jepet fund praktikës aktuale jotransparente dhe të parregulluar. Qëllimi i gjithë kësaj është pikërisht sigurimi i një rrjedhjeje të vazhdueshme të parave në buxhet në mënyrë të rregullt dhe që pas kësaj, nga të ardhurat reale financiare, paratë t’u kthehen qytetarëve përmes investimeve në gjëra të tjera që do t’ua lehtësojnë jetën. Ajo që është e sigurt është se vetëdija e njerëzve do të duhet të ndryshojë shumë shpejt, edhe pse kjo nuk do të jetë diçka e lehtë. Është e vështirë, pas njëzet e më shumë vitesh, t’u rikthehesh zakoneve të vjetra, por gradualisht dhe me shumë mundim gjithçka mund të vihet në rregull përsëri. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.