Gurët e thyer

“Njeri ish ma i fortë se guri” mëton t’i kundërvihet kulturës kolektive të heshtjes dhe stigmatizimit, dhe hegjemonisë burrërore të kujtesës, duke i rivendosë të mbijetuarat në sfondin e përgjithshëm historik dhe duke u krijuar platforma për të artikuluar historitë e tyre dhe për të rrëfyer përvojat e tyre, thuhet në njoftimin mbi ekspozitën e autores Brikena Shabani.

0
350

Për ekspozitën “Njeri ish ma i fortë se guri” e cila u hap të premtën në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, autorja Brikena Shabani ka zgjedhur gurin e thyer si medium, të shoqëruar edhe me rrëfimet autentike të personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, për t’iu kundërvënë kulturës kolektive të heshtjes dhe stigmatizimit.

“Punimet janë gurë të thyem, njëjtë janë edhe ato gra të thyeme prej dhunës që e kanë përjetu, por sikur guri ashtu edhe këto gra janë nana, motra, shoqe, janë pjesë e kësaj shoqërie dhe i kanë po ato vlera që i kanë pasë edhe ma herët, pa marrë parasysh traumës edhe dhunës që e kanë përjetu. Ndërsa xhami është ajo zhurma, ajo jehona e thirrjes së tyre për drejtësi,“ shpjegon për New Perspektivën autorja, Brikena Shabani.

Në mesin e veprave që flasin me zërin autentik të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe me gjuhën universale të simbolikës së gurit, forcën, veçohet njëra me guri të bardhë të thyer copë-copë ashtu brenda në kutinë e zezë, e mbuluar me xhamin e zhbiruar dhe krisur por pa tekstin shoqërues sikur të tjerat.

Prej rreth njëzet mijë viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, shumica prej tyre ende ballafaqohen me dhimbjen dhe traumat e tyre në heshtje.

Në pyetjen e New Perspektivës se çfarë reagimi ndaj ekspozitës pret nga publiku, autorja Shabani përgjigjet: 

“Për mua, seni kryesor që kisha dashtë me reagu publiku dhe krejt shoqëria e jonë është që të gjithë me i njohë këto rrëfime, dhe thjesht, në njëfarë mënyre me i pranu dhe mos me i paragjyku, se, ashtu qysh e ka titullin ekspozita, ‘Njeri ish ma i fortë se guri’, ashtu është edhe ideja që ato gra janë njëmend shumë të forta.”

Duke folur për përshtypjet e saj nga veprat e ekspozuara, aktorja Sheqerie Buqaj thotë se edhe ne si shoqëri duhet të lirohemi duke i liruar ato prej traumës së tyre. 

“Kjo është një dhimbje e lënë që njëzet vjet, po hyn në dekaden e tretë. Kështu që na jemi të pa liruem prej kësaj, definitivisht, edhe na femnat që s’e kemi përjetue dhunën e edhe ato që e kanë përjetu. Por na si shoqni duhet me u liru edhe na t’ue i liru ato prej traumës së tyre. Vetëm me art kemi me mbërri këtë punë. Përndryshe jo. Drejtësia vihet në vend veç nëse ato kanë me folë. Është e pamundun në tjetër mënyrë,” thotë Buqaj.

Ajo shton se, si shoqëri, duhet të bëjmë të pamundshmën që ato të lirohen prej traumës.  

“Por nëse ato nuk flasin është e pamundshme me mbërri drejtësia në vend. Ky është kushti i parë për drejtësi. Për lirimin nga traumat që gjithashtu mendoj është shumë e rëndësishme sa edhe drejtësia, na duhet të bëjmë me art gjithçka, të pamundshmen që ato me u liru prej traumës, e bashkë me to edhe na”, thotë Buqaj.  

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla-Schwartz, dhe ministren e drejtësisë Albulena Haxhiu. Kurti tha se “përdhunimi është përdorur si mjet i luftës nga okupatori serb, ka shkatërruar shumë jetë, ka hapur shumë plagë, e ka shuar shumë histori,” dhe shtoi se “të flasim në emër të tyre, pa denjuar t’i dëgjojmë, është gabim. Ka një arsye pse vëllimi “Unë dua të dëgjohem” ka pikërisht këtë emër. Sepse këta persona duan dhe meritojnë të dëgjohen.” 

Ekspozita “Njeri ish ma i fortë se guri” është organizuar nga ForumZFD, bazuar në librin “Unë Dua Të Dëgjohem” që përmban histori të të mbijetuarave të torturës dhe dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Libri është botuar fillimisht si projekt i OJQ “Integra” dhe “ForumZFD” për të thyer heshtjen rreth rasteve të përdhunimeve gjatë luftës.